Kulturë

Çeku e quan etapë të re për kulturën miratimin e projektrregullores mbi rabatin

Hajrulla Çeku

Foto: Driton Paçarada

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektrregulloren e rabatit në Ligjin për Kinematografinë.

Në mbledhje, kryeministri Albin Kurti ka thënë të mërkurën se rabati synon të tërheqë investime në prodhimin e kinematografisë dhe përmbajtjeve audiovizuele.

“Shuma prej 30 për qind e të cilit investim i kthehet kompanisë investuese në vend, kjo me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, avancimin e ekonomisë kreative dhe prodhimtarisë artistike në Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Ndërsa, pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se rabati nuk do të jetë vetëm për filma e seriale, por edhe për animacion, videoklipe e video-lojëra.

“Miratimi i rregullores padyshim se do të nisë një etapë të re”, ka shtuar Çeku.

Ai ka theksuar se aplikimi për këtë duhet të bëhet në Qendrën Kinematografike të Kosovës.  

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Çeku ka thënë para mediave se anëtarësimi është punë ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke shtuar se MKRS-ja “po i kryhen detyrat tona e momentumi politik duhet të vlerësohet nga ekspertiza e MPJD-së”.

Ndërsa për raportimet se ka pasur rrahje brenda Ministrisë së Kulturës, Çeku ka shtuar se është duke u marrë me rastin.

“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrollu, besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj që është shumë e rëndësishme në këto raste. Nuk mund të marrë më shumë informata pasi edhe unë po marrë. Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm”, ka shtuar ai.

KOHA ka adresuar pyetje në Policinë e Kosovës për këtë rast, por s'ka marrë konfirmim derisa në momentin e raportimit.

I pyetur për paralajmërimet e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) për mbajtje të grevës, Çeku ka shtuar se është në kontakt me sindikatën “dhe në të gjitha këto takime i kemi bërë të qarta edhe pozicionet tona”.

“Për të hyrë në grevë duhet të ketë një mospajtim ose refuzim...Buxheti për teatrin përfundimisht është i dinjitetshëm, Stafi i teatrit është plotësuar...Në infrastrukturën teatrore të Kosovës kemi investuar e zotuar 20 milionë euro. Punimet vazhdojnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në shumë qytete tjera vazhdojnë punimet. Me ligjin e pagave performuesit dhe krijuesit njihen si kategori e veçantë”, ka theksuar Çeku.