Është një version krejt unik i shfaqjes, flamenkoja e mban ritmin e pasionit edhe kur Carmeni vritet. Pas lë shumë mesazhe dhe shumë prej tyre lidhen me moton e sivjetme të festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve, “FemArt” – “Motërzimi: n’Kohë Lufte dhe Paqe”. “Carmen” e “Barcelona Flamenco Ballet” nuk peshon vetëm te ana estetike e saj. “Nganjëherë gjërat nisin me shumë pasion, por nuk përfundojnë gjithmonë kështu. Kemi dashur që ta kthejmë një energji të mirë”, ka thënë regjisorja Zana Hoxha, organizatore e “FemArtit”
Skena me duaj sane në prapavijë, brenda mundësive krijon njëfarë ambienti solid të performancës. “Carmen” në histori njeh shumë inskenime qoftë si balet apo edhe si operë. Në një version spanjoll e ngjyrosur mirë me flamenko, këtejpari nuk është parë ndonjëherë. Kur treshja e muzikantëve zë vendin në fund të skenës, merret vesh se një pjesë e mirë e performancës do të ketë muzikë të atypëratyshme. Instrumentet në këtë rast dihen: kitarat. Këngëtari ka edhe rolin e dubluesit në raport me valltarët. Është kombinim i përkryer. Në dhjetë minutat e para defektet teknike në zërim marrin hov, por pasi tejkalohet ky telash, loja e pesë valltarëve bashkë me instrumentistët i zbeh të metat logjistike. I bën thuajse të padukshme. Flamenko duket goxha ekzotike për Ballkanin dhe ka efekt të drejtpërdrejtë tek audienca.
“Carmen” e “Barcelona Flamenco Ballet” sjell historinë me nam botëror që rrënjët i ka në shtetin iberik. Së pari si novelë e francezit Prosper Mérimée më 1845 e më pas si operë e francezit tjetër Georges Bizet e edhe si shfaqje baleti e një tjetër francezi, Roland Petit, “Carmen” ka në qendër gruan pas së cilës çmendet ushtari Jose. Flamenko që ka për bazë folklorin spanjoll i jep tjetër ritëm rrëfimit. Në performancën nën regji të David Gutiérrez Molina, njëherësh valltar në skenë, ka alamet ritmi.
Trupa ka harmoni të pazakontë dhe duket sikur secili është lindur për të luajtur “Carmenin”. Ritmi i tyre pos kitarave ndihmohet edhe nga tinguj të tjerë – qoftë edhe me goditje të tavolinës me dorë – kur kombinohet me goditjen që ia bëjnë dyshemesë me taka është botë më vete. Shkathtësitë që kanë demonstruar të mërkurën mbrëma në hapjen e edicionit të sivjetmë të festivalit të artisteve dhe aktivisteve “FemArt” jo shpesh shihen në skenat vendore. E marrin publikun në një rrugëtim që i fut në botën e vallëzimit dhe e bëjnë kurioz edhe për vetë rrëfimin. Spektakli që kanë ofruar ka ngjallur energji, përderisa kontrapunkt i krejt kësaj është epilogu: Carmen vritet.
Lajmet për vrasjet e grave nganjëherë marrin hov. E “FemArt” edhe në edicionin e 12-të mundohet që nëpërmjet artit e aktivizmit të ngjallë ndërgjegjësim shoqëror. Sivjet me temën “Motërzimi: n’Kohë Lufte dhe Paqe” festivali vjen me thirrje të drejtpërdrejtë. Në konceptin e organizatorëve baza e feminizmit është motërzimi.

“Motërzimi në kohë lufte na bën fitimtarë, kurse në kohë paqeje na siguron progres. I shpërbën kufijtë e racës, kombësisë, fesë dhe ideologjisë. Është një lidhje e krijuar në ndjeshmëri, e ushqyer nga empatia dhe e forcuar përmes veprimit kolektiv. Motërzimi na mundëson ta shohim veten të reflektuar në betejat e të tjerëve, të njohim humanizmin e tyre si tonin dhe të solidarizohemi në kërkim të drejtësisë dhe dinjitetit”, shkruhet në konceptin e sivjetmë.
Udhëheqësja e organizatës “Artpolis” që e organizon Festivalin, regjisorja Zana Hoxha, ka thënë se kanë zgjedhur që të fillojnë edicionin me këtë performancë për shkak të mesazhit, dashurisë e pasionit që ka në përmbajtje.
“Por që lidhet edhe me temën nëpërmjet femicidit që është prezent në Kosovë. Nganjëherë gjërat nisin me shumë pasion, por nuk përfundojnë gjithmonë kështu. Kemi dashur që ta kthejmë një energji të mirë”, ka thënë ajo. Ka përshkruar se bota është keq dhe një pjesë të madhe të programit ia kanë kushtuar luftërave e kthimit të paqes.
“Shpresojmë që kjo hapje t’i bëjë njerëzit për vete dhe t’i sjellë në ditët në vijim. Sivjet panele që flasin për femicidin, shfaqje nga Serbia, meqenëse Kosova e Serbia me dekada nuk kanë marrëdhënie të mira midis tyre”, ka thënë ajo. Synim kanë mesazhet për paqe, pasi në konceptin e tyre paqja duhet të jetë realitet pasi pa të nuk ka siguri.
“Qëllimi i këtij edicioni është thirrja për paqe dhe nevoja për të pasur një stabilitet më të madh. Thirrja për motërzim vjen për tejkalimin e barrierave të brendshme e të jashtme. Fryma e feminizmit është solidariteti. Nuk duhet të bashkëveprojmë me konfliktin por bashkëndiejmë me paqen”, ka thënë ajo. Pasioni e dashuria e madhe në performancë të paktën në 80 minutat e saj e kanë bërë publikun me të ndjeshëm në raport me marrëdhëniet njerëzore.
Regjisori i performancës, David Gutiérrez Molina, ka thënë se nëpërmjet këtij koncepti bëjnë thirrje për ndalje të dhunës gjinore. Në kokën e tij “Carmen” tregon se si një cigane dhe një ushtar si Don Jose duhet të jetojnë të lumtur. Por performanca që noton midis baletit e operës ka të trishtën brenda për të përforcuar mesazhet që nxirren nga loja.
“Është një “Carmen’ i ri, ku fokusin e kemi te gruaja, sepse mendojmë që është aktuale dhe flet për dhunën gjinore. Publiku këtu është i mahnitshëm”, ka thënë David Gutiérrez Molina.
E ajo që ka portretizuar “Carmenin” ka treguar se bëhet fjalë për një rol me fuqi të shumëfishtë. Judith Martin Gonzalez zotëron shkathtësi në interpretim. Me portret prej aktoreje ajo në skenë është një Carmen që rrëmbehet nga pasioni.
“Kur e luaj Carmenin jam në një tjetër botë. Jam e zonja, jam e lumtur, jam e hidhëruar. Asaj shpesh i ndërron gjendja. Ajo lufton shumë. Thjesht, jam vetvetja, por në një botë tjetër”, ka thënë Judith Martin Gonzalez – Carmen.
Për gjashtë ditë “FemArt” me punëtori, panele diskutimi kundër dhunës ndaj grave e performanca nga vende të ndryshme do të bëjë thirrje kundër dhunës. Festivali çdo vit e ashpërson “gjuhën” krijuese në raport me të drejtat e grave. Por sivjet kanë qenë të ashpër qysh në natën e parë me “Carmen” 100 për qind spanjoll ku pasioni, dashuria e xhelozia përplasen fort. Shkojnë deri te vrasja. E historia që i ka rrënjët në rrëfimet që shkrimtari Prosper Mérimée i kishte dëgjuar në Spanjë shërben për vetëm një qëllim: të nxjerrë njerëzoren në pah. Njerëzoren e mirëkuptimit e të paqes.