Kulturë

Cannes e shkëlqimit në hapje dhe hijes së skandaleve të paralajmëruara

Juria e edicionit të 77-të të Festivalit të Filmit në Cannes, të martën në tapetin e kuq (Foto: AFP/Festival de Cannes/FB)

Juria e edicionit të 77-të të Festivalit të Filmit në Cannes, të martën në tapetin e kuq (Foto: AFP/Festival de Cannes/FB)

Së paku në ditën e hapjes, shkëlqimi sikur ka lënë nën hije skandalet e paralajmëruara dhe në ceremoni ka reflektuar në frymën e asaj për të cilën shquhet. Festivali i Filmit në Cannes të martën ka hapur edicionin e 77-të, yjet tashmë kanë ateruar, e me një kapitull të vetin sivjet rikthehet edhe Kosova. E premtja e javës që vjen është dita e “Rrugës” së Samir Karahodës që konkurron për “Palmën e Artë”

Tapeti i kuq është shtruar, yjet kanë parakaluar, projektorët janë ndezur dhe Cannes është kryeqendra botërore e filmit, prej së martës me hapjen e edicionit të 77-të të atij që njihet si festival i festivaleve dhe jo vetëm. Mund të jetë festivali më prestigjioz i filmit në botë, por siç raportojnë kritikët botërorë, rrallëherë kalon pa probleme. 

Organizatorët e ngjarjes këtë vit po përgatitet për dy pengesa të mundshme: Njëra është një grevë e paralajmëruar nga punëtorët e festivalit, të cilët janë ankuar se punët e tyre afatshkurtra nuk i lejojnë të kualifikohen për përfitime të papunësisë. Tjetra është një histori ende e freskët në vend që e përball industrinë franceze të filmit me lëvizjen e saj, #MeToo, derisa flitet se gjatë festivalit do të vijnë më shumë akuza për ngacmime seksuale.

Por së paku në ditën e hapjes, shkëlqimi sikur ka lënë nën hije skandalet e paralajmëruara dhe në ceremoni ka reflektuar në frymën e asaj për të cilën shquhet: si një prej ngjarjeve më tërheqëse të kinematografisë në botë, ku filmat me buxhet të lartë dhe ata autorialë që synojnë të lënë gjurmë në industri, debutojnë njësoj për turmat magjepsëse të njerëzve të mbledhur përgjatë bulevardit “Croisette” në qytetin bregdetar të Francës. Sivjet “Palais des Festivals et des Congrèss” ku zhvillohet Festivali, mirëpret një numër premierash të bujshme, duke përfshirë filmin hollywoodian të regjisorit George Miller, “Furiosa: A Mad Max Saga”, projektin e fundit kinematografik të Fransis Ford Coppolas, “Megalopolis” dhe filmin e çuditshëm e të mbushur me aktorë yje të regjisorit grek, Yorgos Lanthimos, “Kinds of Kindness”.

Pasditen e së martës mysafirët e festivalit – në mesin e së cilëve dhe aktorë yje të Hollywoodit – filluan të mblidhen në tapetin e kuq shoqëruar prej brohoritjeve të gazetarëve, publikut si dhe muzikës së përzgjedhur nga organizatorët. Madje aty nuk mungoi as hiti i këngëtares me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, “Dance the Night”. Siç e do tradita, aktorët e regjisorët e famshëm si: Meryl Streep, Juliette Binoche, Greta Gerwig, Lily Gladsonte, Lea Seydoux dhe të tjerë, nuk ngurruan të pozojnë për fotografët e shumtë para se të futeshin brenda në ndërtesë për ceremoninë e hapjes zyrtare të edicionit të 77-të të Festivalit, nën drejtimin e aktores franceze, Camille Cottin.

Rikthimi i Meryl Streepit

Gjatë ceremonisë së hapjes, aktorja veterane Meryl Streep, u nderua me çmim special “Palma e Artë” për arritje jetësore. Ndërkaq në ceremoninë e mbylljes së festivalit, një shpërblim të tillë do ta marrë edhe regjisori ikonik, George Lucas. 

Si mysafire nderi, aktorja e shpërblyer me “Oscar”, shënoi rikthimin në festivalin francez pas një kohe goxha të gjatë. Ajo ka qenë e pranishme në Cannes vetëm një herë, para 35 vjetëve, kur e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” për performancën e shkëlqyer në filmin “Evil Angels”.

“Jam jashtëzakonisht e nderuar për këtë çmim prestigjioz. Fitimi i një çmimi në Cannes, për komunitetin ndërkombëtar të artistëve, ka përfaqësuar gjithmonë arritjen më të lartë në artin e filmbërjes. Të qëndrosh nën hijen e atyre që janë nderuar më parë, është po aq përulëse dhe emocionuese. Mezi pres të vij në Francë për t'i falënderuar të gjithë personalisht”, kishte deklaruar Streep me ta marrë lajmin se festivali do t’ia dhurojë “Palmën e Nderit”.

Në ceremoninë e hapjes aktorja amerikane u mirëprit me ovacione nga të pranishmit në sallë. E pushtuar nga emicionet, me të dalë në skenë ajo filloi të kërcejë me ritmin e duartrokitjeve të ngrohta. 

Gjatë ceremonisë së hapjes, aktorja veterane Meryl Streep, u nderua me çmim special “Palma e Artë” për arritje jetësore (Foto: Getty Images)  

Ishte aktorja franceze, Juliette Binoche, ajo që ia prezantoi çmimin në skenë.

“Ju e keni ndryshuar mënyrën se si ne e shikojmë kinemanë”, deklaroi Binoche, pasi i përmendi disa prej roleve më të njohura të karrierës së Streepit.

Në fjalimin e saj, Streep i falënderoi organizatorët e festivalit që e kanë mirëpritur 35 vjet pas pjesëmarrjes së parë. Gjithashtu ka thënë se atëkohë ishte një nënë e tre fëmijëve gati për t’i mbushur 40 vjet dhe mendonte se karriera e saj kishte përfunduar. 

“Ato nuk ishin pritshmëri joreale për aktoret e asaj kohe. Dhe e vetmja arsye që unë jam këtu sonte dhe që vazhdoj të bëjë filma, është për shkak të artistëve shumë të talentuar me të cilët kam punuar... Unë jam shumë mirënjohëse që nuk jeni mërzitur ende nga fytyra”, ka thënë aktorja.

Hija e zezë që rri pezull

Edicioni i 77-të i Festivalit të Cannes nisi me një përzierje të emocioneve të lumtura dhe debateve kontroverse. Ana pozitive rrethon një pjesë të vogël të titujve në konkurrencën kryesore, që gazetarët dhe ekspertët e industrisë kanë deklaruar se mezi presin t’i shikojnë në ekran të madh. Por në orët e para të festivalit, siç kanë raportuar mediat botërore, ishin çështje të tjera që e rrëmbyen fokusin nga filmat që do të shfaqen së shpejti. Ekziston mundësia reale për një grevë, pasi punëtorët e pavarur të festivalit kërkojnë përfshirje në infrastrukturën gjithnjë e më të ndryshueshme të ndihmës së papunësisë në Francë. Nëse këta mijëra punëtorë largohen nga puna për një kauzë të mirë, festivali do të përfshihej në një rrëmujë të paimagjinueshme.

Skandali tjetër që rri varur mbi festivalin, është artikulli i përfolur që mund të publikohet orë e çast. Sipas raportimeve të mediave të huaja, thuhet se është një artikull i cili ekspozon jo pak burra të shquar që kanë përjetësuar një kulturë të abuzimit seksual brenda industrisë franceze të filmit. Emrat e përfshirë në listë thuhet se janë të personave goxha të famshëm. Gjashtë vjet e gjysmë pasi lëvizja #MeToo përfshiu Shtetet e Bashkuara, Franca më në fund duket se po i drejtohet këtij fenomeni të keq dhe skandaloz në komunitet. 

Tradicionalisht, festivali i Cannes lulëzon nga polemika – duket se çdo vit në një mënyrë ose tjetër, kjo ngjarje i ndjek debatet e ashpra. Zhurma që ato shkaktojnë shijohet nga organizatorët, pasi ndihmon në ruajtjen e reputacionit të festivalit, si i respektuar dhe i rrezikshëm. Por kjo duket të jetë një lloj tjetër vëmendjeje. Sfidat e punës dhe abuzimet seksuale nuk janë thjesht tema që marrin vëmendje. Në fakt janë çështje të pahijshme sociale që festivali nuk mund t’i anashkalojë me një buzëqeshje të hidhur. Janë edhe dhjetë ditë para për të parë nëse këto tërmete kontradiktore ndikojnë edicionin e sivjetmë të festivalit. Së paku në hapje, nuk e ka hijezuar shkëlqimin ani pse, sipas atyre që me vite e përcjellin nga afër, një re e zezë është përherë kërcënuese. Ka pasur “shenja” të saj edhe disa orë para ceremonisë së hapjes.

Tradicionalisht, festivali i Cannes lulëzon nga polemika – duket se çdo vit në një mënyrë ose tjetër, kjo ngjarje i ndjek debatet e ashpra. Zhurma që ato shkaktojnë shijohet nga organizatorët, pasi ndihmon në ruajtjen e reputacionit të festivalit, si i respektuar dhe i rrezikshëm (Foto: Festival de Cannes/FB)

Greta Gerwig bën histori

Aktorja e shndërruar në regjisore, Greta Gerwig, i shton një tjetër titull mbresëlënës rezymesë së saj gjithnjë në rritje. Është regjisorja e parë amerikane si kryetare e Jurisë së festivalit të sivjetmë. Jane Campion ishte regjisorja e fundit amerikane që e gëzoi këtë rol para një dekade. 

“Kjo është më shumë se një ëndërr e shndërruar në realitet”, deklaroi Gerwig gjatë konferencës për media të mbajtur paraditen e së martës. “Nuk isha në dijeni se e ëndërroja një gjë të tillë dhe jam ende e shokuar që jam këtu”.

Në konferencën e parë të festivalit, Gerwig, e cila këtë vit ishte në garë për çmim “Oscar” me filmin e saj “Barbie”, i trajtoi me mjeshtëri pyetjet e mprehta nga gazetarët, në lidhje me shumë tema të diskutueshme që silleshin rreth ngjarjes së këtij viti. Shoqërohej edhe nga anëtarët e tjerë të jurisë, aktorja franceze Eva Green, regjisori japonez, Hirokazu Kore-Eda, regjisori spanjoll, Juan Antonio Bayona, aktorja dhe fotografja turke, Ebru Ceylan, aktorja indigjene amerikane Lily Gladstone, aktori francez Omar Sy, aktorja e regjisorja libaneze, Nadine Labaki dhe aktori Italian, Pierfrancesco Favino.
Kur u pyet në lidhje me thashethemet se disa kineastë së shpejti do të përmendeshin në një artikull denoncues të frymëzuar nga lëvizja #MeToo, Gerwig shprehu mbështetjen e saj duke thënë: “Është gjithmonë diçka pozitive kur ka njerëz në komunitetin e filmave, që tregojnë historitë e tyre dhe përpiqen t’i ndryshojnë gjërat për të mirë. Kam parë ndryshime thelbësore në komunitetin e filmit amerikan”.

Komente shpërthyese priten edhe aktorja dhe regjisorja franceze, Judith Godrèche, e cila e sjell në festival filmin e saj të shkurtër “Moi Aussi” (“Me Too”). Së fundmi ajo u bë kryefjalë në mediat pasi akuzoi regjisorin, Benoît Jacquot, për sulm seksual kur ishte vetëm 14-vjeçare. Ajo gjithashtu ka akuzuar regjisorin, Jacques Doillon, se e ka sulmuar dy herë seksualisht. Të dy personalitetet e famshme i kanë mohuar akuzat.

Filmi i cili e hapi zyrtarisht edicionin e 77-të të Cannes ishte komedia “The Second Act” e regjisorit Quentin Dupieux, e cila në rolet kryesore sjell aktorët Léa Seydoux, Louis Garrel dhe Vincent Lindon. Është në mesin e 58 filmave të përzgjedhjes zyrtare në 12 ditët e ardhshme, të cilët me gjasë do të përcaktojnë agjendën e industrisë botërore të kinematografisë për vitin e ardhshëm.

Konkurrencë e fortë për “Palmën e Artë”

Konkurrentët e këtij viti janë përzierja e zakonshme e pjesëmarrësve të rregullt të festivaleve, regjisorë të rinj me një pikëpamje të re të kinemasë artistike dhe artistë unikë që shtyjnë kufijtë e zhanreve dhe filmave.

Regjisori iranian, Mohammad Rasoulof, filmi i të cilit “The Seed of the Sacred Fig”, do ta ketë premierën botërore në Cannes dhe debuton në konkurrencë për “Palmën e Artë”, u dënua me tetë vjet burg nga Gjykata Revolucionare Islamike. Filmi vazhdon të jetë pjesë e programit dhe do të shfaqet për publikun në ditën e fundit të festivalit. 

“Filmi nuk ishte gati paraprakisht. Realizimi i tij ishte një arritje mjaft akrobatike dhe më kërkuan ta planifikoja atë për ditën e fundit të festivalit. Në fakt ishte për arsye teknike. Keni të drejtë që bëni pyetje për Rasoulofin, por pyetja e drejtë do të duhej të ishte për prezencën e filmit dhe kushtet në të cilat ai mundi ta realizonte filmin. Kushtet në të cilat Festivali i Cannes mbështet atë që filmi i tij përfaqëson. Festivali flet përmes filmit. Në vitin 1946 gjatë festivalit, filmi ‘La Bataille du Rail’ mori një çmim. Rasoulof u zbulua këtu në ‘Un Certain Regard’ disa vjet më parë. Kjo është shenjë e angazhimit të tij, luftës së tij dhe ajo për të cilën flet ky film. Ne mendojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Është e rëndësishme që ai të jetë këtu”, deklaroi drejtori i festivalit, Thierry Frémaux, në një konferencë për shtyp të organizuar gjatë ditës së martë.

Filmi të cilin publiku po e pret me padurim padyshim se është “Megalopolis”, një projekt epik i vetëfinancuar nga regjisori 85-vjeçar, Francis Ford Copola, dhe i cili mori 40 vjet për t’u finalizuar. Në rolet kryesore vijnë aktorët yje të Hollywoodit, Adam Driver dhe Forest Whitaker. Regjisori ikonik amerikan – njëherësh fitues i dyfishtë i “Palmës së Artë” – rikthehet në Cannes 45 vjet pas shfaqjes së filmit “Apocalypse Now”, me një përzierje emocionesh dhe ankthi për atë që mund të jetë filmi i tij i fundit.

Në garë për çmimin kryesor të festivalit është me disa projekte të mëdha si, trilleri i David Cronenbergut, “The Shrouds”, filmi i ri i Yorgos Lanthimos, “Kinds of Kindness”, filmi i Paolo Sorrentinos, “Parthenope” dhe mjuziklli i regjisorit Jacques Audiard, “Emilia Perez”. 

“The Apprentice” nga regjisori danezo-iranian, Ali Abbasi, është një tjetër projekt i shumëpritur nga publiku, që e ekranizon ngjitjen e të riut Donald Trump drejt suksesit në industrinë e pasurive të paluajtshme, gjatë viteve ‘70 dhe ‘80. Filmi e shënon premierën në Cannes më 20 maj, pothuajse gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të cilat Trump shpreson se do t’i fitojë. 

Kina përfaqësohet mirë këtë vit me filmin e Jia Zhang-Ke, “Caught By the Tides” dhe “She’s Got No Name” nga Peter Ho-Sun Chan, i cili shfaqet në kuadër të programit garues. 

Me vëmendje të madhe pritet të shoqërohet edhe premiera botërore e filmit, “Furiosa: A Mad Max Saga”, nga regjisori George Miller, që shfaqjet jashtë konkurrencës të mërkurën, tetë vjet pasi vazhdimi i kaluar, “Mad Max: Fury Road”, e rrëmbeu fuqishëm festivalin e Cannes.


E premtja e “Rrugës” së Kosovës në Cannes

Posteri i filmit “Rrugës” të Samir Karahodës. Dizajni i posterit: Albian Gagica  

E premtja e 24 majit, është dita e Kosovës në Festivalin e Filmit në Cannes. “Rrugës” i Samir Karahodës – konkurrent për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër – do ta ketë premierën botërore në ngjarjen e madhe. Do të jetë dita e parafundit e Festivalit kur projektorët në teatrin “Debussy” do të ndizen për këtë projekt filmik, që sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Tek përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen. Është ngjarje e vetë regjisorit me të birin e tij, Miron Karahoda. Repriza do të jetë në ditën e ndarjes së çmimeve, të shtunën e 25 majit. “Nuk e di se sa është e saktë, por kam dëgjuar që më tepër se 20 vjet nuk ka ndodhur që në konkurrencën zyrtare të filmit të shkurtër të jetë i njëjti autor dy herë. Kjo më bën edhe më të lumtur në emër të ekipit, të vendit tonë dhe mua personalisht që si ekip i filmit kemi arritur diçka të tillë. Nuk dua të pres diçka më shumë, pasi që e gjithë kjo veçse është shumë për mua”, kishte thënë Karahoda të hënën për KOHËN. Me “Rrugës” ai rikthehet në ngjarjen e madhe pas “Pa Vend” tre vjet më parë.  “Do të bëjmë një përfaqësim të dinjitetshëm dhe do të shohim verdiktin e jurisë”, kishte thënë bashkëproducenti Eroll Bilibani. Kosova tashmë nuk është e panjohur për Cannes dhe përfaqësimi i dinjitetshëm prej një ekipi që lë prapa 4 mijë e 420 filma nga të katër anët e botës dhe garon për “Palmën e Artë”, është i sigurt.