Arti i saj është një reflektim mbi patriarkatin dhe shtypjen emocionale të burrave. Blerta Kambo, e quan “feminizëm në mbrojtje të burrave”. E një koncept si ky zbërthehet me estetikë në projektin e saj artistik, “Man of the Castle/Burrë i kështjellës”, i cili shpaloset pjesërisht edhe në Prishtinë, në “Galerinë 17”. Shoqëria patriarkale i detyron burrat dhe djemtë të performojnë një heshtje emocionale, që unë e barazoj me një shtypje të ngjashme me atë që i bëhet grave dhe vajzave”, ka thënë Kambo
Në një botë ku debati mbi barazinë gjinore shpesh përqendrohet në sfidat e grave dhe vajzave, Blerta Kambo ofron një perspektivë unike që sfidon këndvështrimet tradicionale mbi patriarkatin. Projekti i saj artistik “Man of the Castle/Burrë i kështjellës” zhytet në një eksplorim më të thellë. Përbiron te shtypja emocionale dhe pritshmëritë e rënda që patriarkati ua imponon burrave dhe djemve. Vetë ajo, e quan “feminizëm në mbrojtje të burrave”.
Kambo, nëpërmjet ndjeshmërisë, sjell në vëmendje mënyrat se si normat shoqërore i detyrojnë burrat t’i heshtin emocionet e tyre. Aty janë fotografitë që flasin në gjuhën e simbolikës, si kullat e kështjellave të ndriçuara me drita infra të kuqe. Krijon një univers që sfidon perceptimin klasik të ngjyrave. Ajo në instalacionin e saj përdor edhe disa thënie popullore të cilat në fokus e kanë gruan dhe vajzën. Projekti i saj, “Burrat e kështjellës”, ka ardhur në një format të pjesshëm edhe në Prishtinë me ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma në “Galerinë 17”.
Veprat artistike nuk janë thjesht akuzë ndaj patriarkatit, por ftesë për reflektim. Ajo i fton qytetarët të shohin përtej stereotipeve dhe të kuptojnë se si shoqëria, në mënyra të ndryshme, krijon kushte shtypëse si për burrat, ashtu edhe për gratë. Prek me empati plagët e padukshme të një sistemi që ka formësuar jetët e kësaj shoqërie.
Kambo nuk kërkon vetëm të provokojë, por të nxisë edhe diskutim të gjerë mbi nevojën për një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj sfidave që përballen të gjithë, pa dallim gjinie. Veprat e saj janë dritare drejt një realiteti të hidhur, por edhe një rreze shprese për ndryshim.
Instalacioni i saj trajton një çështje të rrënjosur thellë në shoqërinë shqiptare: gjakmarrjen dhe ndikimin e saj tek individët dhe familjet. Një nga seritë fotografike të shfaqura, nxjerr në pah izolimin fizik dhe psikologjik të përjetuar nga burrat dhe djemtë që jetojnë me frikën e hakmarrjes. Kjo ndjenjë izolimi pasqyron një mesazh domethënës nga Kanuni, ku kodet morale dhe shoqërore diktojnë jetën dhe ndëshkimin. Gjakmarrja, e rrënjosur në një kuptim të vjetruar të nderit dhe turpit, pengon çdo shans për çlirim dhe përparim, duke rezultuar në rezultate tragjike për breza të tërë.

Thënia “herë tjetër me djalë” e punuar me drita LED, ngjyrë të purpurt, nxjerr në pah rolin dominues të meshkujve në kulturën shqiptare. Kjo frazë lidhet me konceptet e trashëgimisë ekonomike dhe prejardhjes familjare, të cilat tradicionalisht pritet të kalojnë te djemtë. Vajzat shihen si “kalimtare”, të destinuara të martohen dhe të bashkohen me një familje tjetër. Fatkeqësisht kjo formë e patriarkalizmit vazhdon të jetë e pranishme në aspekte të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Termi “burrnesha” përfaqëson një aspekt unik por domethënës të shoqërisë shqiptare, ku një grua adopton role dhe status mashkullor për të siguruar të drejtat dhe respektin që shpesh i mohohen. Ky fenomen nxjerr në pah natyrën e rrënjosur thellë të patriarkatit dhe mundësitë e kufizuara për barazi gjinore, ku çlirimi i grave shpesh përfshin heqjen dorë nga identiteti i tyre gjinor.
Termi “vajzë për shtëpi” përmbledh pritshmëritë tradicionale të grave në shoqërinë shqiptare. Një vajzë shihet shpesh si kujdestare e shtëpisë dhe familjes së saj, e cila pritet ta ruajë virgjërinë e saj deri në martesë. Për më tepër, ajo përforcon idenë se martesa është qëllimi i vetëm i jetës së një vajze, duke i lënë pak hapësirë asaj në domenin publik ose profesional.
Blerta Kambo, artiste vizuale nga Shqipëria, është aktualisht pjesë e “Pop-up Art Week” në “Galerinë 17”, që shfaq pjesë nga projekti i saj artistik “Man of the Castle/Burrë i kështjellës”.
“Mua më pëlqen ta quaj feminizëm në mbrojtje të burrave. Shoqëria patriarkale i detyron burrat dhe djemtë të performojnë një heshtje emocionale, që unë e barazoj me një shtypje të ngjashme me atë që i bëhet grave dhe vajzave”, ka thënë Kambo.
Në këtë projekt, ajo përfshin fotografi të kështjellave, të realizuara me drita infra të kuqe, të cilat krijojnë një efekt ëndërrimtar dhe e kthejnë gjithë skenën në rozë, një ngjyrë që artistja e lidh me energjinë femërore dhe të padukshme.
“Kjo dritë është një metaforë për energjinë femërore, e cila shpesh është e padukshme. Drita infra e kuqe, që nuk mund të shihet nga syri njerëzor, simbolizon këtë dimension të fshehur”, ka thënë ajo.
Në një prej serive të saj, Kambo ka thënë se trajton edhe stereotipet e sjella nga aplikacionet si “Tinder”. Ka përfshirë edhe screenshote të profileve të djemve që i përdorin në makinat e tyre. Natyrisht, kjo ka një dozë humori, por nuk është për të kritikuar vetëm djemtë sepse në fund të fundit shoqëria është ajo që i detyron t’i shfaqin këto gjëra të dukshme, sepse ata nuk rriten që të kujdesen për veten, pritet gjithmonë që vajzat të kryejnë punët e shtëpisë.
“Projekti ‘Man of the Castle’ është shfaqur dy herë në Tiranë gjatë këtij viti, fillimisht në COD (Center for Openness and Dialogue) dhe më pas në “Tulla Cultural Center”, me kërkesë të një kolektivi të rinisë, pjesë e të cilit është edhe vetë Kambo.
“Është një prej punëve që unë e kam shumë për zemër. Në këtë projekt përpiqem të shfaq empatinë time për vështirësitë që hasin djemtë dhe burrat. Një prej pjesëve më të rëndësishme të projektit është një triptik që mbulon një faqe të tërë muri dhe përmban një përsëritje të kullës së kështjellës”, ka thënë ajo.

Për Kambon, kulla ka një domethënie të veçantë, duke simbolizuar “kullën e ngujimit” sipas Kanunit.
“Imagjinoj gjithmonë një djalë të vogël që i thuhet se duhet të ngujohesh në kullë, përndryshe gjakmarrja do të të zërë. Kjo është një formë shtypjeje që, edhe pse ndryshe, ende ekziston në shoqërinë tonë. Djemve u kërkohet të jenë të fortë dhe ky është paralelizmi që unë bëj. Pra, kulla mbrojtje, në mbrojtje ndaj shoqërisë, në mbrojtje edhe ndaj vetvetes”, ka thënë ajo. Kambo ka thënë se shpreson që ky projekt të vijë i plotë në Kosovë përderisa synon ta çojë edhe nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë por edhe përtej.
“Në fakt kjo vlen si histori kudo në Ballkan, rajon ky i cili është prekur tej mase nga konflikte dhe nga luftëra që i ka bërë praktikisht djemtë dhe burrat, le të themi, agresivë por ndërkohë dhe pak më në shoqërinë të presin më shumë prej tyre e automatikisht t’i vërë në pozicion që krijon kushtet e një lloj agresioni”, ka thënë Kambo, për të cilën, siç e shpjegon edhe galeria nikoqire e shpalosjes së pjesshme të projektit të saj “Burrë i kështjellës”, patriarkalizmi si sistem që i nënshtron gratë, “është i njëjti sistem që i shtyp burrat, i detyron ata të performojnë dhe i hesht emocionalisht”.
“Dritat LED me fjalë të urta mizogjene shqiptare dhe seria ‘X-Five tinder-screenshots’ janë pjesë e ‘Burrë i kështjellës’, një projekt konceptual multimedial i realizuar në tre vjet”, ka shpjeguar “Galeria 17”. Projekti është i ndarë në tre kapituj. “Secili përmban printime fotografike, në madhësi të ndryshme, instalime LED dhe një skulpturë”, shkruhet në shpjegim.
Gjatë “Javës së Pop Artit” ekspozohen instalacionet që janë pjesë e kapitullit “Lindja” dhe “Dashuria”.