Kulturë

Burna Boy i shumëpritur në “Sunny Hill” me rikthim të furishëm në skenë

Sunny Hill

Folegjenda: Burna Boy pas pauzës për shkaqe teknike, e ka ndezur atmosferën. Me flamurin e Kosovës në dorë, është rikthyer furishëm. “Kishim probleme teknike, por nuk do të ndalemi”, ka thënë ai

(02:01) - Burna Boy ka qenë artisti që është pritur gjatë në natën e dytë të “Sunny Hillit”. Ka dalë në skenë 40 minuta pas mesnatës dhe ka ndryshuar krejt atmosfera. Por pjesa e parë nuk ka zgjatur shumë. E ka ndalur ritmin problemet teknike që kanë zgjatur rreth 20 minuta. Është rikthyer furishëm.

“Është hera e parë që vij në këtë pjesë të Evropës dhe jam i lumtur që jam pikërisht në ‘Sunny Hill Festival’”, ka thënë ai kur ka dalë në skenë për herë të parë.

Sapo ka nisur kapitulli i tij është dëshmuar se përse është në mesin e atyre që cilësohen yje të këtij edicioni, e për më tepër edhe si fitues i çmimit “Grammy” në vitin 2021, kur triumfoi me albumin “Twice as Tall” në kategorinë “Best Global Music Album”. Artisti nigerian të cilin revista “Times” e ka listuar në mesin e 100 personave më me ndikim në botë më 2024 – kur edhe Dua Lipa u fut në listë – ka nisur shpalosjen e repertorit karakteristik të tij që përfshin muzikën afrobeat, dance-hall e pop. Qysh më 19 prill, ka qenë artisti i parë i konfirmuar për edicionin e sivjetmë të “Sunny Hill”.

Por pas dy këngësh Burna Boy është larguar nga skena ndërkohë që publiku është ndezur. Më pas në ekran është shfaqur njoftimi se ka probleme teknike. 

E gjatë është dukur pauza prej 20 minutash. Kur është rikthyer, ka valëvitur flamurin e Kosovës.

“Kishim probleme teknike, por nuk do të ndalemi”, ka thënë ai.

Me orkestër plotësisht “live” artistë të këtij kalibri janë ata që e bëjnë diferencën. Ka interpretuar edhe këngën “Jerusalema”, remiks nga ai, përderisa turma i është afruar skenës. Në natën e dytë duket se ka më shumë publik se sa në hapje.

Stili origjinal e i veçantë i muzikës së Burna Boy kanë bërë që ai t’i pushtojë zemrat e publikut anembanë botës, duke i shënuar disa suksese mbresëlënëse për herë të parë. Në vitin 2023 u bë artisti i parë afrikan që i shiti të gjitha biletat e koncertit në një stadium në SHBA dhe një vit më vonë u bë artisti i parë i zhanrit ‘afrobeats’ që interpretoi në ceremoninë prestigjioze “Grammy”. Ai vazhdon të bëj histori në skenën e muzikës.

Po ashtu, revista “Rolling Stone” e ka radhitur në vendin e 197 në listën e 200 këngëtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Tani një brez i tërë të rinjsh nga kontinenti e admiron atë dhe admirues të tillë ka gjetur edhe në “Sunny Hill Festival” ritmin e të cilit, në natën e dytë, deri në agim, e mbajnë “The Martinez Brothers”, dyshja e muzikës house, tekno dhe hip-hop.


Dua Lipa, shqiponjë në “Sunny Hill Festival”

(23:46) - Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është në mesin e publikut edhe në natën e dytë të “Sunny Hill Festivalit”. Ajo është shfaqur në ekranet anash skenës teksa po këndonte Dhurata Dora. Ka qenë ajo që e ka ftuar për përshëndetje. E Dua Lipa përshëndetjen e ka kthyer duke bërë shqiponjën. “Dua të duam shumë. Kënga e radhës është për ty, po ashtu. Se pyetja është: ‘Ku janë shqipet e mia sonte?” Masa ka shpërthyer në brohoritje. 


Hitet shqiptare me Capital T, Yll Limanin dhe Dhurata Dorën

(23:18) - Se që të tre janë të lindur në fillim të viteve ’90, nuk është e përbashkëta e vetme e Dhurata Dorës, Capital T e Yll Limanit. Që të tre janë në mesin e artistëve më të shquar të gjeneratës së tyre, gjenerojnë miliona klikime e të premten mbrëma janë ngjitur në skenën e “Sunny Hillit” që sjell yje botërore. 

E furishme ka qenë hyrja në skenë e Capital T-së, njërit prej repereve me të dashur nga publiku vendor. U paraqit për herë të parë në “Sunny Hill”. Fakti që është njëri ndër me të njohurit në vend dhe jo vetëm, bëri që të gjitha këngët t’i këndojë bashkë me publikun. Në repertor ka futur edhe disa këngë të vjetra të tijat të cilat sollën një lloj nostalgjie. Krejt në fund Trim Ademi hyri midis publikut teksa shkrepi fotografi edhe me fansat.

Të njëjtin avaz e kapi edhe Yll Limani i cili pasoi me hitet e tij të njëpasnjëshme. E publiku i çuar peshë pa ndalim këndoi me të. “Lshoja zonin” ka qenë kënga që e elektrizoi publikun.

Ka qenë Ylli që e ka ftuar Dhurata Dorën në skenë dhe performanca ka vazhduar me “Mallin” në duet, e cila për vetëm dy javë ka shënuar hiç më pak se 9 milionë klikime në “YouTube”. 


Elsa Mala me muzikë alternative në “Sunny Hill”

(21:03) - Elsa Mala është këngëtarja tjetër vendore e cila ngjitet në skenë me të rënë muzgu. Bashkë me panoramën e qiellit pas skenës gjigante, këngët e Malës shkojnë për shtati me atmosferën e krijuar.

Me stil më alternativ Mala bashkë me instrumentistët në skenë u tregua e lirshme në një performancë të saj alla Kate Bush. As komunikimi me publikun nuk mungoi.


“Sunny Hill Festival” në natën e dytë, ritëm në skenë

(20:02) - Moti me i freskët se në natën e parë duket se ka bërë që vizitorët e “Sunny Hillit” ta kenë marrë më shtruar natën e dytë. Me freskinë që sjell fakti i të qenit i vendosur mes një fushe hektarëshe, “sunnyhillët” të premten teksa po afrohet mbrëmja, po vazhdojnë me defilimin e kulturës komplekse të festivalit.

Veshjet ekstravagante, stili bohem, aksesorët e ndryshëm e të personalizuar, flamujt e shteteve të ndryshme, janë vetëm disa nga detajet që tregojnë mishërimin e tyre me këtë ngjarje. E “të djegurit” e mbrëmjes së djeshme të cilët u përballën me temperatura goxha të freskëta pas mesnate kur në skenën “C4” u ngjitën artistë – si Black Coffe – sot janë pajisur së paku edhe me nga një rrobë më tepër.

Skena kryesore deri vonë ka shërbyer për provat e fundit të artistëve derisa reperi Jolle nga Peja u ngjit i pari. Performanca e tij tashmë ka nisur.

Energjik e plot pritshmëri publiku i “Sunny Hillit” sonte pret performancën e artistit nigerian Burna Boy dhe “The Martines Brother”, dyshja e muzikës elektronike.

Burna Boy, qysh më 19 prill, ka qenë artisti i parë i konfirmuar për edicionin e sivjetmë të “Sunny Hill”.

Është fitues i çmimit “Grammy” në vitin 2021, kur triumfoi me albumin “Twice as Tall” në kategorinë “Best Global Music Album”. Është shpallur në mesin e 100 personave më me ndikim në botë nga revista “Times”.