Mund të mos i ketë bërë vaki që në karrierën e tij të bujshme të ketë edhe “probleme teknike”, dhe ajo që i ka ngjarë në natën e dytë të “Sunny HIll Festivalit”, është dukur sikur një skenar i qëllimshëm, test për të, njësoj sikurse për durimin e fansave të tij. Kur Burna Boy është rikthyer në skenë, gati krejt i kanë harruar edhe pritjen e problemet teknike. E performancës së tij i kanë prirë e pasuar edhe të tjera.
Nja 40 minuta pas mesnatës, Burna Boy është ngjitur në skenë e cila merr të tjera ngjyra tok me atmosferën.
“Është hera e parë që vij në këtë pjesë të Evropës dhe jam i lumtur që jam pikërisht në ‘Sunny Hill Festival’”, ka thënë ai me të dalë në skenë. Pas dy këngësh është larguar dhe këtu nis rrëfimi tjetër.
Dritat e skenës fiken, s’ka më ngjyra, pritja 20-minutëshe zgjat. Në ekran shfaqet njoftimi për “probleme teknike”, masa i largohet skenës, por ky duket të ketë qenë pushimi i mjaftueshëm për ta akumuluar energjinë.
Kur Burna Boy është rikthyer në skenë, gati krejt i kanë harruar edhe pritjen e problemet teknike.
“Kishim probleme teknike, por nuk do të ndalemi”, ka thënë ai. Sapo ka nisur kapitulli i tij është dëshmuar se përse është në mesin e atyre që cilësohen yje të këtij edicioni, e për më tepër edhe si fitues i çmimit “Grammy” në vitin 2021, kur triumfoi me albumin “Twice as Tall” në kategorinë “Best Global Music Album”.

Valëvitja e flamurit të Kosovës, mbështjellja me të gjatë gjithë kohës, kanë qenë “koreografia” e tij në skenën gjigante me orkestër plotësisht “live” që e shkundin atmosferën.
Thirrjet “Ju dua Prishtinë” janë gati si refren midis këngëve të tij. Kur akordohet “Shayo”, Burna Boy – i mbështjellë me flamurin verdh e kaltër siç janë edhe ngjyrat e skenës – nuk përmbahet dot. Del nga skena, por tash jo për probleme teknike, por për t’iu bashkuar publikut.
Stili origjinal e i veçantë i muzikës së Burna Boy kanë bërë që ai t’i pushtojë zemrat e publikut anembanë botës, duke i shënuar disa suksese mbresëlënëse për herë të parë. Në vitin 2023 u bë artisti i parë afrikan që i shiti të gjitha biletat e koncertit në një stadium në SHBA dhe një vit më vonë u bë artisti i parë i zhanrit ‘afrobeats’ që interpretoi në ceremoninë prestigjioze “Grammy”.
Ndezja e fishekzjarrëve ka qenë shenja e fundit të performancës së tij.
Burna Boy vazhdon të bëjë histori në skenën e muzikës. Ajo në “Sunny Hill” është njëra faqe e saj. E nata e dytë e festivalit ka edhe faqe të tjera, sepse nis ende pa perënduar dielli.
Para muzgut të natës së dytë
Pop, rap, afrobeat, alternative e indie, kanë qenë vetëm disa nga zhanret që mbajtën në formë publikun në mbrëmjen e dytë me të mega-ngjarjes së vitit. Ndryshe nga nata e parë e cila si fillim shumë nga të pranishmit i zuri pa përgatitur, qoftë nga veshjet, njëjtë dhe nga ecuria e festivalit, në natën e dytë ishin marrë masat.
Moti më i freskët duket se ka bërë që vizitorët ta kenë marrë më shtruar. S’ka radhë të gjata. Me freskinë që sjell fakti i të qenit i vendosur mes një fushe hektarëshe, “sunnyhillët” teksa po afrohej mbrëmja, vazhdojnë me defilimin e një kulture të pasur festivali.

Në pritje për performancat hapëse të ditës së dytë turma është e shkapërderdhur në të katër anët e parkut masiv të festivalit, kush duke mbledhur energji për mbrëmjen e gjatë duke marrë rrezet e fundit të diellit, e kush duke u argëtuar me aktivitete e lojëra të cilat ofrohen për të pranishmit aty. Të veçanta në këtë edicion janë edhe mesazhet sensibilizuese si ai kundër dhunës ndaj gruas. Flamujt e purpurt në qiellin e kaltër janë ngritur në shenjë solidarizimi e proteste për çdo grua të vendit. Interesante është edhe përmbysja e përshtypjes se një festival i tillë tërheq vetëm vizitorë të rinj.
Një grup miqsh nga SHBA-ja ka ardhur enkas për “Sunny Hill”, por për disa nga ta nuk është hera e parë që vijnë në Kosovë.
Për Miles, amerikanin i cili ka dëshmuar mbi zhvillimin e Kosovës qe disa vjet pas vajtje-ardhjeve të tij, vendi ku gjendet “Sunny Hill” është fusha me e madhe që ai ka parë ndonjëherë, marrë parasysh se vjen nga New Yorku.
“Është shumë atmosferë e mirë, ka entuziazëm, shumë energji, Kosova po rritet çdo vit dhe të dëshmosh në këtë ngjarje, të shohësh gjithë këta njerëz teksa kalojnë kohë të mira është fantastike. Unikja është ajo që më bën ta dua këtë festival, nuk mund ta përjetosh këtë diku tjetër. Unë këtu kam parë artistë që nuk i kam parë kurrë dhe kjo më bën që ta pëlqej dhe më shumë”, ka thënë ai.
Për shokun e tij Jacob Endemano, “Sunny Hill” lirisht mund të krahasohet dhe me festivalet e tjera të botës. Ka përmendur që ka vizituar shumë festivale të tilla dhe “Sunny Hill” sipas tij, ngjan me to.
“Mendoj qe definitivisht i arrin standardet ndërkombëtare të një festivali, dhe në disa mënyra dhe i kalon ato sepse e feston kulturën e këtushme duke arritur dhe te bota, përtej Kosovës. Kosova dhe njerëzit e saj janë shumë mikpritës dhe bujarë në mënyrën që na presin ne amerikaneve gjithmonë. Është një përjetim shumë i mirë të jesh këtu”, është shprehur ai.
“Sunny...” nuk ndalet vetëm te muzika. Në radhët e mesazheve sensiblizuese qëndron dhe një shtand i veçantë nga të tjerët rreth tij që shesin ushqim e pije. “RozitheBeeSaver”, iniciativa e Rozit 11-vjeçare nga Prishtina, është aty për të avokuar për ambientin, bletët dhe mbrojtjen e habitatit të tyre. E kjo është ana e qetë e “Sunnyt...”. Mesazh më vete është imazhi i festivalit.
“On” në skenë
Kur dielli fshihet në horizont, shkëlqimin e merr skena kryesore e cila deri vonë shërben për provat e fundit të artistëve. Reperi Jolle (Jon Prelvukaj) nga Peja u ngjit i pari diku rreth orëve të para të mbrëmjes. “Cool” e energjik me një paraqitje tipike prej reperi, Jolle hidhet me shumë mundësi nga entuziazmi i një performance në skenë të tillë. E thënë edhe nga ai, ishte hera e parë dhe ndihej shumë i lumtur për këtë. Pas rap-muzikës, thuren tingujt alternativë. Kosova njihet tashmë që ka dhjetëra artistë që eksperimentojnë suksesshëm me këto zhanre. Këtë radhë qielli i perëndimit prapa skenës masive dukej sikur ishte pjesë integrale e skenës kryesore me artisten Elsa Mala dhe kitarën e saj. Me stil më unik e më të ndjeshëm në interpretim, Mala solli një performancë të saj alla Kate Bush krahas komunikimit të vazhdueshëm me publikun. Çdo këngë vjen si një kapitull i jetës së saj, e me “Table for Two”, këngë e cila i ka një muaj qëkur është publikuar, mori shumë ovacione nga turma e cila sa vinte e shtohej drejt saj. E thjeshtë në skenë Mala përshëndetet me turmën për t’i lënë radhën artistit ndërkombëtar Kamal.
Në ujëra të ngjashme ishte dhe artisti anglez në të njëzetat e hershme. Shumë emocional dhe i qetë nuk i shqitet pianos pothuajse fare gjatë performancës e cila sjell plot hite të pëlqyera kryesisht nga “Gen Z”. Me publikun e “SunnyHillit” komunikon vazhdimisht.
“Jam shumë i lumtur që jam në ‘Sunny Hill’ për herë të parë. Faleminderit shumë Kosovë!”, ka thënë ai para se të lajmëronte këngën e fundit “Blue”, hitin e tij që u publikua në vitin 2021.

Kthesë 180-shkallëshe me artistët vendorë
Ndryshim 180 shkallësh ka qenë pjesa tjetër e një nate që kishte rezervuar shumë performanca. Capital T, njëri nga reperët më të dashur nga publiku vendor u ngjit në skenën e “Sunny Hill” furishëm, plot stil me një kostum të bardhë e syze sikur “rap star”. Ishte hera e parë për të në shtëpinë e “Sunny Hill” në Prishtinë, pasi që debutimin e kishte pasur dy vjet më parë kur ky festival u zhvendos edhe në Tiranë. Fakti që është njëri ndër më të njohurit në vend dhe jo vetëm, bëri që të gjitha këngët t’i këndojë bashkë me publikun. Në repertor ka futur edhe disa këngë të vjetra të tijat të cilat sollën një lloj nostalgjie, bashkë me nostalgjinë si mysafir i papritur në skenë Capital T-së iu bashkua reperi “2po2” me këngën “Prishtinali jom”. Krejt në fund, Trim Ademi hyri midis publikut teksa shkrepi fotografi me fansat e entuziazmuar nga prania e tij dhe premtoi se kryesorin e mbrëmjes artistin BurnaBoy do ta dëgjonte në mesin e tyre e jo në lozhën e VIP-ve.
Të njëjtin avaz e kapi edhe Yll Limani i cili pasoi me hitet e tij të njëpasnjëshme. E publiku i çuar peshë pa ndalim këndoi me të. “Lshoja zonin” ka qenë kënga që e elektrizoi publikun. Pikërisht Ylli ishte ai që e ka ftuar Dhurata Dorën në skenë dhe performanca ka vazhduar me “Mallin” në duet, e cila për vetëm dy javë ka shënuar hiç më pak se 9 milionë klikime në “YouTube”.
Rishfaqja e Dua Lipës... në ekran
Paraqitja e Dhurata Dorës në “Sunny Hill” ka krijuar përshtypjen se për të ngjitur skena të tilla nevojiten disa elementë, të cilët ajo i dëshmoi një nga një secilin teksa performonte. Stil, vallëzim me koreografi që i përshtatej atmosferës, këndim e komunikim të sinqertë me publikun. Një këmbim e kishte dhe me yllin Dua Lipa, e cila ishte në publik dhe në mbrëmjen e dytë. Ajo është shfaqur në ekranet anash skenës teksa po këndonte Dhurata Dora. Ka qenë ajo që e ka ftuar për përshëndetje. E Dua Lipa përshëndetjen e ka kthyer duke bërë shqiponjën. “Dua të duam shumë. Kënga e radhës është për ty, po ashtu. Se pyetja është: ‘Ku janë shqipet e mia sonte?” Masa ka shpërthyer në brohoritje. Se që të tre janë të lindur në fillim të viteve ’90, nuk është e përbashkëta e vetme e Dhurata Dorës, Capital T e Yll Limanit. Që të tre janë në mesin e artistëve më të shquar të gjeneratës së tyre, gjenerojnë miliona klikime, e të premten mbrëma janë ngjitur në skenën e “Sunny Hillit” që sjell yje botërore.

Lancey Foux ka qenë akti i fundit para “headlinerit” të mbrëmjes së dytë. Reperi 28-vjeçar nga Stratfordi i Londrës i dha publikut plot energji për rreth 30 minuta me ngjyrime të hip hop-it e tingujve trap.
Julia H., është për herë të parë në “Sunny Hill”. Ajo thotë se synon të njihet edhe me emrat e skenës muzikore kosovare. E ka pasur rastin para yllit absolut të kësaj nate Burna Boy performanca e të cili ka zgjatur dy orë e gjysmë pas mesnatës.
“Është shumë interesant të shohësh se sa shumë të rinj ka këtu, pastaj lineup-i është shumë interesant, ka shumë emra internacionalë, por gjithmonë duke mos anashkaluar dhe artistët lokalë dhe besoj që është një mundësi shumë e mirë për të kaluar kohë dhe për t’u argëtuar”, ka thënë ajo.
Përkundër fishekzjarrëve që sinjalizojnë largimin e Burna Boy, mbrëmja nuk përfundon këtu. DJ Danielle Johnsson, Artsassin e Chloe Callet. Shpejt ndizen dritat e skenës “C4” me “The Martinez Brothers”, dyshen e muzikës house, tekno dhe hip-hop. E ky është kapitulli me fansat për të cilët, për katër net, dielli lind e perëndon me “Sunny Hill”.