Kulturë

Burgu i Spaçit sërish në rend dite për t’u bërë muze

Burgu i Spaçit

Burgu i Spaçit

Spaçi, ku kanë vuajtur dënimin mijëra të burgosur politikë, do të kthehet në kampus muzeor. Në një dokument me të cilin parashihet shndërrimi i ish-burgut në muze llogaritet që kostoja e konkretizimit të këtij projekti kap shumën prej 4 milionë eurove, ndërsa në të do të rikthehen mjetet e torturës, si dhe do të restaurohen edhe pikturat e realizuara nga të burgosurit mbi suvatë e qelive. Një projekt si ky, të martën ka qenë temë në takimin e ministrit për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, për ecurinë e projekteve me organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHWB – Albania),  që ka në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen. 

“Në diskutim u fol për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa nga tërmetet, si dhe për projekte më konkrete, siç është kthimi i ish- burgut famëkeq të Spaçit në një Muze kujtese”, shkruhet në njoftim. E, për këtë ka hapa konkretë. Në dokumentin prej 182 faqesh thuhet se edhe pikturat mbi suva, ku të dënuarit politikë ilustrojnë ekranin e televizionit duke dhënë ndeshje futbolli apo duke dhënë lajme të shoqëruara me lule, do të restaurohen.

Edhe qelia ku kardinali Ernest Troshani qëndroi dhe ku u rezistoi torturave në periudhën e komunizmit do të kthehet siç ishte. Edhe simboli i farmacisë dhe i ushtarit që nderonte regjimi do të kthehet në origjinal.

Hartuesit kanë sjellë në vëmendje edhe formën se si u veprua me Auschvitzin në Gjermani, manastirit të Suso dhe Yuso të San Millán de la Cogolla, dhe, ish-kampin e përqendrimit të Fossolit, që u shndërrua nga Bashkia e Carpit në vend përkujtimor.

Në total janë 4 milionë e 230 mijë euro që kërkohet të financohen, ku përfshihen investimet dhe kostot e tjera, përfshirë pagat e punonjësve që do të angazhohen për 8 muaj.

Në dokument shtohet se janë 1 milion e 97 mijë euro që parashikohet të grumbullohen në 5 vjet, ku 1 milion janë fonde nga Bashkimi Evropian, 72 mijë nga biletat dhe 25 mijë prej sponsorëve.
Për menaxhimin propozohet krijim i një fondacioni të krijuar nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, me themelues Ministrinë e Kulturës ose lënia në kompetencë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ose dhënia te Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Shkodër.

Numri i vizitorëve aktualisht shkon në 400 mijë në vit, ndërsa në të kanë qëndruar nga 900 deri në 1200 të dënuar politikë në të njëjtën kohë.
Dokumenti tashmë është publikuar në faqen e konsultimit publik e pas kësaj do të kërkohet miratimi në Qeveri.

E kahershme ka qenë kërkesa që Burgu i Spaçit të bëhet muze. Njëra prej nismave konkrete, por që dështoi deri më tash, ka qenë ajo e shtatorit të vitit 2015, kur Instituti për Krimet e Komunizmit paralajmëroi hapa konkretë për konkretizimin e projektit të propozuar prej kohësh, i cili ishte harruar për shkak të mungesës së fondeve për restaurimin dhe kthimin e tij në ambient të vizitueshëm nga qytetarët. Instituti i kishte bërë thirrje qeverisë, por edhe donatorëve që të mundësojnë financat e nevojshme për restaurimin e ambienteve të Burgut të Spaçit. 

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç. Renditet si monument kombëtar i kategorisë së dytë. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jokomunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat protesta e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Në Burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm.