Kulturë

“Burgu i idealit”: 204 mijë euro për koncept e funksionalizim me kompani e OJQ

“Burgu i idealit"

Ministria e Kulturës me kompani private e organizata joqeveritare ia ka mësyrë kaherë që ta bëjë ish-Burgun e Prishtinës funksional

Foto: Driton Paçarada

Mbi 200 mijë euro është kostoja e “strategjisë” së re të Ministrisë së Kulturës për konceptimin e funksionalizimin e Muzeut të ish-Burgut të Prishtinës, “Burgut të idealit”. 144 mijë është çmimi me të cilin do të paguhet një kompani private për konceptim e 60 mijë në vit do t’i jepen një organizate joqeveritare për funksionalizim. Deri më tash, MKRS-ja nuk ia ka parë hairin kësaj politike të re. Vjet kishte shpallur fituese një organizatë për funksionalizmin e shtëpisë muze të Katarina Josipit në Zym të Hasit. Por s’kishte funksionuar plani.

Ministria e Kulturës ka kohë që ia ka mësyrë që ta hapë kuletën për organizatat joqeveritare që mund të “funksionalizojnë monumente”. Ka provuar vitin e kaluar, por ka dështuar. Sivjet në tentativën e dytë, të paktën ka një listë preliminare. 

Për Muzeun e ish-Burgut të Prishtinës ka përzgjedhur një organizatë joqeveritare. Në atë që është Listë preliminare e OJQ-ve nga ftesa publike për funksionalizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore del se për dy vjetët që vijnë do t’i jepen nga 60 mijë euro OJQ-së “Molla e Kuqe”. po kaq do të marrë edhe fondacioni “Agim Çavdarbasha” për funksionalizimin e hapësirës ku ruhen veprat e skulptorit. 

Deri me tash MKRS-ja nuk ia ka parë hairin kësaj politike të re. Vjet kishte shpallur fituese një organizatë për funksionalizmin e shtëpisë muze të Katarina Josipit në Zym të Hasit. Por s’kishte funksionuar plani. 

Në rastin e organizatës kulturore “Molla e Kuqe”, që udhëhiqet nga Mentor Berisha, parashihen një varg aktivitetesh për dy vjet. 

“Projekti që po parashtrojmë, konsiston në funksionalizimin e hapësirës së ‘Burgut të idealit’ në një qendër me aktivitete të ndryshme kulturore”, ka treguar Berisha. Ka listuar edhe aktivitet e parapara për dy vjet. 

Procesi i dokumentimit si mbledhja e materialeve, interpretimi, mënyra alternative e përkujtimit, digjitalizimi i materialeve, rikonceptimi i ambientit, ekspozita e përhershme e ato të përkohshme janë pjesë e listës. 

“Sound-Scapes (Kompozim / Instalime); Punëtori mbi trajtimin e kujtesës nga fushat e ndryshme të kulturës dhe artit interdisiplinar; Inskenime: Shfaqje për rinj ‘N.N.’; Shfaqje për të rritur (triptik) nga autori R. Goetz, shfaqje mysafire); 6. Solo-Performancë (Koncert) me M. Formentti; Lexime skenike të letërkëmbimeve, letrave nga burgu...”, janë disa nga aktivitetet e parapara. 

Lista midis të tjerash, parasheh aktivitete si konferenca shkencore, programi veror për bashkatdhetarët, projeksion filmash nga tema përkatëse e një realizim të një filmi dokumentar për këtë monument. 

Berisha ka thënë se nëse lidhin kontratë me MKRS-në, do të jenë përgjegjës për mbajtjen e hapësirës me aktivitete. 

Në anën tjetër, MKRS-ja ka një proces të veçantë që po e zhvillon për “Burgun e idealit”. 

Ministria e Kulturës do të paguajë 144 mijë e 550 euro një kompani private për projektin e ekspozitës. Kontrata e titulluar “Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe funksionalizmin e muzeve ekzistues të vendosur në asete të trashëgimisë kulturore arkitekturore të ‘Muzeut të Burgut të Prishtinës – Burgu i idealit’ në Prishtinë”, është lidhur midis MKRS-së dhe kompanisë projektuese “GM Architecture” në fund të prillit. 

“GM Architecture” është kompani projektuese që ofron shërbime arkitekturore. I është besuar konceptimi i Muzeut që synon të shpërfaqë tmerret e jetës nëpër burgjet politike e trysninë e ish-Jugosllavisë në Kosovë. Sipas kontratës, në afat prej tetë muajsh, kompania do të bëjë dokumentimin e koleksioneve muzeore, konceptim ekspozitash, udhërrëfyes me audio e video, katalog ekspozite, do të përgatisë dokumentacionin teknik për rivitalizim, vlerësime për krejt anët inxhinierike të projektit, projektin ideor e atë të hollësishëm të asaj se si do të duket muzeu. Implementimi është muhabet më vete. Për të duhet tender i veçantë. E njëjta kompani ka punuar edhe projektin për ndërhyrjet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe projektin për restaurimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. 
Ministria e Kulturës me kompani private e organizata joqeveritare ia ka mësyrë kaherë që ta bëjë ish-Burgun e Prishtinës funksional. 

Në qershorin e vitit 2020 do të hapej përkohësisht për vizitorë. Asokohe Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Vlora Dumoshi, tash deputete. Pas dy vjetësh, në korrikun e 2022-s, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, organizoi edhe një hapje tjetër, pa e përmendur të parën. Me ekspozitën e përkohshme të titulluar “Burgu i idealit”. 

Në gusht MKRS-ja i ishte kthyer thirrjes që kishte dështuar vjet. Kësaj radhe në listë ishte edhe parku arkeologjik “Ulpiana”. Aty zinte vend edhe Kalaja e Prizrenit për të cilën vjet MKRS-ja kishte dështuar ta bëjë funksionalizimin me OJQ. Njëjtë pas dështimit të vitit të kaluar në listë ishin edhe Hidroelektrana –  Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren. Për dallim nga vjet, listës i qe shtuar Kulla e Ministerit në Pejë e galeria e arteve  “Agim Çavdarbasha” në Çagllavicë, Prishtinë.

Nëpërmjet thirrjes publike, qëllimi ishte që periudha e zbatimit të programit të jetë tre vjet. Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” mbështetja financiare do të ishte prej 50 mijë në 100 mijë euro në vit. Kurse për monumentet e tjera prej 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit. 

Te Kalaja e Prizrenit dhe “Ulpiana” ideja qe që të zbatohen planet e menaxhimit. 

Vjet kur MKRS-ja për herë të parë kishte tentuar që ta realizonte këtë nismë, KOHA e kishte pyetur këtë institucion se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideronte ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, që kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për shumicën e këtyre monumenteve nuk ka akte të themelimit si institucione.

Sipas përgjigjeve të MKRS-së, shoqëria civile është partner strategjik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të MKRS-së. Në përgjigje shkruhet se kjo iniciativë, përmes kësaj thirrjeje është një nga format konkrete të fuqizimit të këtij partneriteti.

“Përmes kësaj thirrjeje synojmë të zhvillojmë modelin e partneritetit publiko-civil si metodologji e avancuar dhe model evropian, duke rritur kapacitetet promovuese të monumenteve të lartcekura dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm”, shkruhej në përgjigje. Sipas institucionit më të lartë kulturor në vend, organizatat fituese të këtyre thirrjeve do të bashkëpunojnë ngushtë me profesionistët e institucioneve vartëse të MKRS-së dhe njësitë menaxhuese në kuadër të MKRS-së, për të zhvilluar aktivitetet e parapara në kuadër të projekteve të funksionalizimit.