Statuja dy metra e lartë, e zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike në lokalitetin Heraclea Sintica në Bullgarinë jugperëndimore, që shtrihet afër kufirit grek, është një artefakt me peshë që zbërthen edhe historinë e qytetit antik të themeluar prej mbretit Filip II
I papritur ka qenë zbulimi kur arkeologët bullgarë hasën në një thesar gjatë gërmimeve në një kanalizim të lashtë romak. Prej aty nxorën statujën prej mermeri e ruajtur mjaftë mirë. Paraqet perëndinë greke Hermes.
Zbulimi i statujës dy metra e lartë u bë gjatë gërmimeve arkeologjike në javën e parë të këtij muaji në lokalitetin e qytetit antik të Heraclea Sintica në Bullgarinë jugperëndimore, që shtrihet afër kufirit grek.
Arkeologët që drejtonin këto gërmime kanë thënë se pasi një tërmet kishte shkatërruar qytetin e populluar rreth vitit 388 pas Krishtit, statuja ishte vendosur me kujdes në një pusetë kanalizimi dhe ishte mbuluar me dhe, duke shpjeguar kështu gjendjen e saj të mirë.

“Koka e saj ka mbijetuar. Është në një gjendje shumë të mirë. Ka disa fraktura në duar”, ka thënë Lyudmil Vagalinski, i cili drejtoi ekipin e arkeologëve, duke shtuar se statuja ishte një kopje romake e një origjinali të lashtë grek.
Heraclea Sintica ishte një qytet i gjerë i themeluar nga mbreti i lashtë maqedonas Filipi II i Maqedonisë, midis 356 p.e.s. dhe 339 p.e.s. në atë që tani është rajoni bullgar i Pirin Maqedonisë.
Arkeologët kanë thënë njerëzit e Heraclea Sintica me gjasë u përpoqën të ruanin statujën, edhe pasi krishterimi ishte adaptuar si fe zyrtare në Perandorinë Romake.
“Çdo gjë pagane ishte e ndaluar dhe ata i janë bashkuar ideologjisë së re, por me sa duket ata janë kujdesur për hyjnitë e tyre të vjetra”, ka thënë ai.
Pas tërmetit, filloi edhe rënia e qytetit Heraclea Sintica që nisi të braktisej me të madhe rreth vitit 500 pas Krishtit.
Marrë nga “Jerusalem Post”.