Kulturë

Brenda kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Në vitin 1955, me para të sindikatave të punëtorëve, u ndërtua kinemaja asokohe e njohur si “Kino Rad”.

Ndër vite, objekti që sot mban emrin e Jusuf Gërvallës do të shndërrohej në njërin prej vendtakimeve të vetme kulturore e shoqërore në qytetin e Pejës.

Historiku i këtij institucioni është dokumentuar në një libërth të publikuar në version digjital.

Në të mund të shfletohen histori interesante, të shoqëruara me fotografi e posterë të vjetër. Ndër të tjerash, pasqyrohet edhe dhuna fizike e shikuesve para fillimit të luftës së vitit 1999.

Granit Karagjyzi, hulumtues që ka dokumentuar historikun e kinemasë, rrëfen kronologjinë e ngjarjeve.

Në objekt ruhen dy projektorë me të cilët asokohe filmat shfaqeshin edhe nëpër fshatra. Dëshmi se kinemaja ishte në hap me kohën janë edhe posterët e filmave të njohur si “Forrest Gump” me Tom Hanks.

Pas përfundimit të luftës, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës qe shkatërruar dhe fatin e shumë objekteve e pati edhe kinemaja.

Ruajtja dhe rivitalizimi i saj u bë nga organizata joqeveritare “Anibar”.

Arlinda Kastrati, menaxhere e projektit, flet për rëndësinë e dokumentimit të rrëfimit për kinemanë.

Kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete ditore për shkak të mungesës së kushteve teknike.