Kulturë

“Break on Through” në thyerje kufijsh prej Jim Morrisonit te Shostakovich

Chopin Piano Fest

Përmbyllja e koncertit me “Sonatën për violonçel dhe piano në re-minor, Op. 40” të Shostakovich nga Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher ishte kulmimi i duhur i një mbrëmjeje të jashtëzakonshme muzikore. Në këtë akt final, Manaev dhe Scheucher sollën një interpretim plot me dramë dhe pasion (Foto: Chopin Piano Fest)

Për adhuruesit e flaktë të rockut, “Break on Through” është këngë ikonike, por për muzikantë të kalibrit si violonçelisti nga Gjermania, Konstantin Manaev dhe pianisti austriak Philipp Scheucher, një mundësi për thyerje kufijsh jo vetëm në muzikë por edhe në mendësi. Kësisoj është titulluar edhe koncerti i dyshes, që ka depërtuar përtej me muzikë klasike. Koncerti ka qenë si një rrëfim unik, kapitujt e të cilit janë edhe Beethoveni, “Break on Through” është kompozim i Johanna Dodererit si homazh për Morrisonin e finalja vjen me Shostakovich. Emërues i përbashkët i krejt veprave është loja mjeshtërore

Zbehja e dritave qe shenja e parë për nisjen e koncertit. Skena e edicionit të 14-të të “Chopin Piano Fest” në koncertin e gjashtë ka risjellë emra e të njohur ndërkombëtarisht në muzikën klasike.

Pikëtakimi i njëjtë po sikur në netët pararendëse – Amfiteatri i Bibliotekës Universitare në kryeqytet – u bë sërish një vend i cili bëri bashkë artdashësit. Kësaj radhe pjesë e programit qenë violonçelisti nga Gjermania, Konstantin Manaev dhe pianisti austriak Philipp Scheucher, të cilët për publikun e Kosovës kanë përzgjedhur repertor veprash nga periudha të ndryshme të veprimtarisë klasike muzikore botërore.

Duo, Manaev e Scheucher zaptuan vëmendjen duke u ngjitur në skenë, gati për të endur një rrëfim tingujsh me ndërthurjen e thellësisë dhe dinamikës së këtyre dy instrumenteve. 

Performancën e tyre e nisën me “Sonatë” nga Bernhard Romberg. Qysh në lëvizjen e parë, Manaev solli një interpretim plot pasion dhe thellësi në meloditë e buta që e karakterizojnë kohën e parë “Allegro non tropo” të veprës. Intimiteti me publikun u fitua menjëherë, ndërkaq Scheucher në piano e ka mbështetur violonçelin me një interpretim që thekson kontrastet dinamike që karakterizojnë këtë sonatë. Manaev dhe Scheucher komunikonin me njëri-tjetrin nëpërmjet frazave muzikore, teksa krijonin një dialog të rrjedhshëm e plot harmoni. Ndjenja e përbashkët për muzikalitet dhe frazim qe evidente gjatë gjithë kohës. Ka ardhur në konsideratë edhe më, kur pianisti Scheucher i pozicionuar pas Manaev me violonçel hidhte nga një shikim prapa për ta përcjellë atë edhe me sy. 

Kjo sinergji evidentohej përgjatë mbrëmjes në çdo pjesë që ata ekzekutonin, por veçmas u ilustrua edhe me një vepër tjetër e cila u luajt pas intermexos dhjetë minutëshe. “Break On Through” ishte kënga e cila dyshen e vendosi para audiencës sërish, por këtë radhë me një vepër bashkëkohore. E kompozuar nga austriakja Johanna Doderer, kjo vepër ka ardhur si homazh për këngën me po të njëjtin titull të Jim Morrisonit me “The Doors”. Pas tyre, në monitor shfaqej dhe video muzikore e realizuar në vitin 2012 e po asaj performance. 

Karizmatik, plot pasion dhe virtuozitet të jashtëzakonshëm, gjithmonë me thellësi dhe ekspresivitet të madh emocional – Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher kanë mishëruar energjinë e muzikantëve rock teksa thirrja “Break on Through” ka kumbuar në skenë, në fakt edhe titulli i koncertit qe po ashtu “Break on Through". 

Jim Morrison, vokalisti dhe autori kryesor i teksteve për bendin ikonik “The Doors”, ishte shumë i ndikuar nga filozofia ekzistencialiste, letërsia dhe poezia. Kënga “Break On Through” pasqyron pikërisht këtë interesim të Morrison për eksplorimin e kufijve të perceptimit dhe ndërgjegjes.

Ndërkaq kompozimi klasik i “Break on Through” nga Johanna Doderer, i interpretuar nga Konstantin Manaev në violonçel dhe Philipp Scheucher në piano, paraqet një përvojë tërësisht unike dhe moderne në krahasim me veprat klasike të luajtura në pjesën e parë të koncertit. Kjo pjesë bashkëkohore, e inspiruar nga stili dhe energjia e frontmanit të “The Doors”, solli freski në këtë koncert. Ashtu edhe e kishte menduar dyshja kur kishte bërë gati repertorin. Për pianistin Scheucher, Prishtina ka një audiencë e cila gjithmonë e mirëpret muzikën klasike. 

“Menduam të sillnim një freski në një program klasik dhe Prishtina është një vend ku njerëzit janë shumë të hapur, janë shumë të shoqërueshëm, janë të etur për muzikën klasike andaj erdhëm edhe me ‘Break on Through’ nga Jim Morrison dhe Shostakovich që t’i bashkojmë këto stile dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, ka thënë Scheucher.

Që në notat e para është e qartë se kjo vepër shquhet për një karakteristikë të theksuar dhe eksperimentale. Manaev nis me një interpretim të fortë dhe të guximshëm, duke përdorur teknika të ndryshme të violonçelit për të krijuar tinguj të pazakontë dhe të fuqishëm. Vibrimet e thella dhe të papritura të violonçelit tërheqin vëmendjen e publikut dhe janë si rikujtim i faktit se violonçeli konsiderohet edhe si instrumenti i cili i ngjan më së shumti zërit të njeriut. 

Scheucher, nga ana tjetër, krijon një sfond dinamik dhe të pasur që mbështet dhe ndërvepron në mënyrë të përsosur me violonçelin e Manaevit. Krijon një ndjesi tensioni dhe lirimi, duke reflektuar energjinë dhe shpirtin rebel brenda fabulës së këngës origjinale.

Kështu të dy muzikantët demonstronin aftësinë e tyre për të interpretuar muzikën bashkëkohore me të njëjtin përkushtim dhe shkathtësi që kanë për veprat klasike. 

Kompozitorja Doderer nëpërmjet këtij trajtimi shpalos mundësitë e reja të instrumenteve dhe ekzekutuesve të tyre, ndërkaq Manaev dhe Scheucher u treguan të gatshëm për këtë sfidë. Si përfundim e tëra përveçse një homazh dinjitoz për Jim Morrison evidentoi dhe aftësinë e instrumentistëve për të kapërcyer kufijtë e zhanreve muzikore.

Manaev pati paraqitjen e tij të parë publike në Prishtinë në tetor të vitit të kaluar, ku performoi si solist me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Ndërkaq programin e këtij koncerti e kishte zgjedhur me shumë kujdes. 

“Për këtë natë kam zgjedhur diçka nga kompozitorja ime e preferuar austriake, sepse edhe mua më pëlqen Jim Morrisoni dhe sipas meje është një kombinim i mirë. Në fillim e kemi klaisken me emra si Beethoven, por pastaj në pjesën e dytë kemi Doderer dhe Shostakovich, një program i konceptuar mirë dhe që shkojnë së bashku sipas meje”, është shprehur ai në një prononcim për KOHËN. 

Përmbyllja e koncertit me “Sonatën për violonçel dhe piano në re-minor, Op. 40” të Shostakovich nga Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher ishte kulmi i duhur i një mbrëmjeje të jashtëzakonshme muzikore. Në këtë akt final, Manaev dhe Scheucher sollën një interpretim plot me dramë dhe pasion. Lëvizjet e sonatës nga introspektiva dhe melankolia e “andantes” deri te vrulli dhe energjia e “alegros” përfundimtare janë interpretuar me mjeshtëri dhe ndjenjë të thellë që përkon me dramën dhe ironinë që karakterizon veprat e Shostakovichit. 

I pranishëm në publik, violonçelisti Antonio Gashi e vlerësoi performancën e dyshes si të arrirë, pavarësisht sfidave që i karakterizojnë performancat me dy apo më shumë instrumente. 

“Ishte performancë shumë e veçantë, të dy ishin mjeshtër të instrumenteve të tyre, por pa dyshim që kur dy mjeshtër bëhen bashkë duhet të bëhen edhe kompromise. Programi ishte shumë i këndshëm, i pranueshëm për publikun. Ishte në fahun e vet, Konstantini kishte për shembull Shostakovichin, një vepër të cilën dukej se e do dhe e kultivon kaherë”, ka thënë Gashi. 

Ndërkaq “Chopin...” vazhdon koncertin e radhës këtë të shtunë, e kësaj radhe në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës me solistë pianistin francez François Dumont dhe dirigjentin zviceran Antoine Marguier.