Kulturë

Bota shqiptare zbërthehet në studimet britanike qysh prej shekullit XIV

ASHAK

Të mërkurën, nën titullin “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Evropës Veriore” është përuruar edhe përmbledhja me kumtesa po nga ASHAK-u. Në të njëjtën ceremoni është promovuar edhe libri “Bota letrare”, me autor ish-ambasadorin e Kosovës në Britani të Madhe e profesorin universitar, Muhamet Hamiti

“Studimet për shqiptarët në Britani dhe në vendet e Evropës Veriore” që përmbledh kumtesat e konferencës me të njëjtin titull dhe zbërthen botën shqiptare nga këndvështrime të ndryshme, bashkë me “Botën letrare” të Muhamet Hamitit, i cili sjell qasje të re në këtë fushë studimi, kanë qenë dy veprat e përuruara të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

“Studimet për shqiptarët në Britani dhe në vendet e Evropës Veriore”, titullohej konferenca shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vjet në tetor, në të cilën, ndër të tjera, ishte thënë se përtej studimit të kulturës e historisë shqiptare hulumtuesit britanikë me krejt vrojtimet e tyre shkencore lanë gjurmë edhe tek emancipimi perëndimor në raport me shqiptarët, me Shqipërinë dhe me Kosovën. Në atë konferencë shkencore ishin shoshitur dijet albanologjik të britanikëve. 

Mbi 50 studiues shqiptarë dhe të huaj qenë të pranishëm në ambientet e ASHAK-ut e edhe nëpërmjet lidhjeve online kanë nxjerrë në pah kontributet e dijeve albanologjike të britanikëve. Kjo konferencë kishte ardhur pas atyre si “Studimet albanistike në Amerikë”, “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht”, “Studimet albanistike në Itali” e “Studimet shqiptare në Francë”. 
Të mërkurën nën titullin “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Evropës Veriore” është përuruar edhe përmbledhja me kumtesa po nga ASHAK-u. Në të njëjtën ceremoni është promovuar edhe libri “Bota letrare”, me autor ish-ambasadorin e Kosovës në Britani të Madhe e profesorin universitar, Muhamet Hamiti. Konferencat shkencore për dijet albanologjike te popujt e ndryshëm janë ideuar e organizuar, sipas të pranishmëve, nga akademik Rexhep Ismajli. Të mërkurën ai ka thënë se vëllimi i ri sjell 40 ndihmesa për fusha të ndryshme studimi. Sipas tij, në 518 faqet e tij do të gjenden referime, analiza, shqyrtime, diskutime për aspekte të ndryshme të interesimeve për botën shqiptare të autorëve britanikë dhe të Evropës Veriore. 

“Në këtë rast bien në sy përqendrimet e shpeshta rreth veprave të autorëve si Lordi Byron, Stuart Mann, Edith Durham, Noel Malcolm, Christian Sandfeld, Holger Pedersen, Arthur Evans, apo John Wilkes, por në përgjithësi horizonti vjen e zgjerohet më shumë se në konferencat e tjera, tani jo më vetëm në gjuhësi, po edhe në letërsi, në studimet etnologjike-etnografike, në arkeologji, e deri edhe në aspektet gjeopolitike e historiografike”, ka thënë akademik Ismajli. 

Ka përmendur se në vitin 1322 në një udhëtim për vendin e shenjtë nga Irlanda françeskani anglo-irlandez, Symon Simeonis, bashkë me Hugo Illuminatorin rrugës kaluan pranë viseve shqiptare dhe shënuan në “Itinierarium Symonis Symeonis ab Hybernia ad Terram Sanc¬tam”, mrekullimin e tyre me këto vise, rrëfyen për gjendjen në Durrës. 

“Këto shënime nuk i kishte njohur Lumo Skëndo. Është botuar sërish në Britani më 1960. Janë shënuar te ‘Kulturne veze između jugoslovenskih zemalja i engleske do 1700. godine të V. Kostić (Beo¬grad, 1972, f. 278-79) dhe te Robert Elsie më 1991 dhe më 2003”, ka thënë akademik Ismajli. Sipas tij, aty jepej njoftimi se dy fran¬çeskanët nga Irlanda kishin arritur në Venedik më 28 qershor, ndërsa më 19 gusht ishin nisur drejt Pulas, dy ditë më vonë te Zara, përskaj Hvarit e Korçulës kishin arritur në Dubrovnik. 

“Kishin vazhduar përskaj Ulqinit, ‘që i përket Mbretit të Rashës’ [Rashka] dhe Arbënisë, ‘të cilën mbreti i sipërpërmendur rashian e ka shtruar nën pushtetin e tij’, për të vazhduar në Korfuz e Kretë. Rëndësi ka fakti se ky shënim vjen vetëm 14 vjet pas ‘Descriptio Euro¬pae Orientalis’ (Përshkrimi i Europës Lindore),1308, të Anonimit dominikan, dhe vjen nga bota jo e afërt irlandeze”, ka thënë Ismajli. Ka cituar edhe një pjesë të shënimeve në latinisht të riprodhuar nga Kostiq. 

“Qyteti [Durrës] brenda mureve të tij shumë i gjerë, por në ndërtesa mjerisht i vogël, sepse një herë qe tërësisht i rrënuar nga tërmeti, gjatë të cilit qytetarët e begatshëm dhe banorët, në numër prej 24.000, siç është dëshmuar, ishin varrosur brenda pallateve të tyre dhe vrarë. Tani është ngjeshur i banuar nga njerëz që dallojnë sa i për¬ket fesë, zakoneve dhe gjuhës, nga latinët, grekët, çifu¬tët perfidë, dhe arbrit bar¬barë”, ka cituar ai. 

Përderisa ka folur edhe për botimet paraprake në kuadër të ciklit të konferencave për dijet albanologjike në botë ka përmendur edhe recensionin që është botuar për vëllimin për “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht” në revistën e rëndësishme “Zeitschrfit für Balkanologie” nga profesori nga Berlini, Christian Voss. 

“Në mënyrë magjepsëse, 50 ndihmesat na tregojnë gjendjen dhe dinamikën e një ‘fahu tipikisht të vogël’, që gradualisht po emancipohet nga tradita indo-europiane dhe po lidhet me qasje më të reja dhe ndërdisiplinore... Ky proces nënkupton një ndërkombëtarizim të fahut ... Me këtë vëllim Prishtina po dëshmohet sërish si qendër graviteti për albanologjinë europiane”, ka cituar akademik Ismajli. Ai ka shtuar se cikli i këtyre konferencave do të vazhdojë vitin që vjen. 

Anëtari korrespodent i AShAK-ut, Bardh Rugova, ka thënë se të gjitha vëllimet e konferencave do të mund të konsideroheshin të një niveli të jashtëzakonshëm në nivel bote. 

“Konferenca për studimet për shqiptarët në Britani dhe në Evropën Veriore është veç një prej konferencave. Natyrisht studimet mbi shqipen dhe shqiptarët janë realizuar edhe në vende të tjera. Dhe, vitin tjetër do të mbahet edhe konferenca e radhës”, ka thënë ai. 

Më pas është promovuar libri “Bota letrare” i Muhamet Hamitit. Kjo vepër vjen në katër kapitujt themelorë, “Përgjithësime”, “Letërsi angleze”, “Letërsi botërore” dhe “Letërsi shqipe”. Ai trajton kanonin letrar perëndimor, spektrin e ndikimit filozofik-kulturor në civilizimin letrar botëror, si rrjedhojë edhe ndikimin e tij në kulturën dhe në letërsinë shqipe. 

“Muhamet Hamiti përvijon raportin e përligjshëm ndërmjet religjiozes e letrares duke konstatuar se poezia, në fakt krejt letërsia në nisje është motër binjake me religjiozen, por që në vijë historike diferencohet në raport intertekstual me të për t’u shndërruar në modernitet në religjion në vetvete”, ka thënë studiuesi i letërsisë, Nysret Krasniqi në cilësinë e recensentit të veprës. Sipas tij, libri është një vepër e vlefshme studimore e dalë nga dija dhe përvoja jetësore, akademike e profesor Muhamet Hamitit, e cila është një vepër e dobishme për njohjen, vetënjohjen dhe dialogjikën kulturore.

“Një vepër e cila e refuzon ishullimin dhe mendimin radikal për fenomenin e letërsisë”, ka thënë ai. 
E vetë autori Hamiti ka thënë se studimi i letërsisë është shumë i vjetër, ndër më të vjetrit në historinë perëndimore, me përjashtim të retorikës. Por, sipas tij, është koha që studimet letrare të ecin pak më ndryshe. 

“Duket se do të ketë nevojë për risituim të studimeve letrare dhe të vetë letërsisë në një fushë të transformuar kulturore në kohën tonë, të zhvillimeve marramendëse teknologjike, sidomos të inteligjencës artificiale, por edhe të ndryshimeve të rendit ekonomik që e ka bërë kapitalin kulturor të letërsisë më pak të vlefshëm në terma të tregut”, ka thënë ai. Sipas Hamitit, ndoshta do të ketë nevojë për riorganizim të studimeve letrare, të cilat, sikur edhe dijet humanitare në përgjithësi, të paktën me sa thonë studimet e vonshme në botën anglishtfolëse, janë në krizë. 

“Duhet të ketë rivendosje të fokusit në letërsi, sido që të përkufizohet kjo, po ashtu edhe në letërsi kombëtare”, ka thënë ai. E ka mbyllur fjalën duke dhënë lajmin se Programi i Letërsisë, në esencë program doktoral i studimeve letrare në Kosovë, po akreditohet sërish. 

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Siç veprojnë zakonisht politikanët, nëpërmjet njoftimeve në rrjete sociale tregojnë aktivitetet ditore. Por kryetari Rama, në bazë të asaj që ka shkruar në “Facebook”, di ku ka qenë por jo edhe për çka ka qenë në ambientet e Akademisë. 

“Diaspora shqiptare mbetet vlerë e shtuar e Kosovës. Kontributi i tyre nga sot do të jetë i faktuar në letërsinë shqiptare, përmes botimeve ‘Studime për Shqiptarët e Britanisë së Madhe dhe në vendet e Evropës Veriore’ dhe ‘Bota Letrare’. Botime të realizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë”, ka shkruar ai duke ia ndërruar edhe titullin botimit dhe duke keqkuptuar se botimi flet për mërgimtarët shqiptarë në Britani të Madhe. 

“Është me rëndësi jetike që të shkruhet historia jonë e viteve 80-të, 90-të. Histori e dhimbjeve dhe sakrificave të shumë shqiptarëve që lanë vendin nga respresioni i kohës, por, që në vazhdimësi ndihmuan çështjen dhe prosperitetin e Kosovës”, ka shkruar më tej Rama. Por politika e shkenca vështirë të ecin së bashku. Të paktën në këto kohë.