Kulturë

Bota sekrete e regjisorit Wes Anderson zbulohet me artefakte filmash

Krijimtaria e Wes Anderson

Krijimtaria e regjisorit të shpërblyer amerikan, Wes Anderson, po festohet me një ekspozitë të re në Paris. Ekspozita retrospektive e hapur në qendrën “La Cinematheque Francaise”, sjell në një vend një mori rekuizitash dhe kostumesh origjinale të filmave të tij, si dhe dokumente dhe fotografi personale të Andersonit, duke ofruar kështu një pasqyrë të krijimtarisë unike të regjisorit

Foto: Associated Press

Regjisori Wes Anderson është i njohur për punën e tij të kujdesshme para çdo produksioni filmik: skica të detajuara të ngjarjeve, libra pune, arkiva të skenarëve dhe vizatime paraprake. Të gjitha këto janë të ekspozuara për publikun, të shoqëruara me shumë rekuizita, kostume dhe një përzgjedhje të fotografive dhe të cilat nuk janë parë më herët. Me mbi 500 nga këto artefakte, ekspozita krijon një lloj nostalgjie si dhe zbulon procesin sekret prapa stilit të tij të veçantë të punës

Regjisori amerikan, fitues i çmimit “Oscar”, Wes Anderson, pozoi para kamerave në tapetin e kuq të shtruar me rastin e hapjes së një ekspozite të re në Paris që promovon punën e tij.
Bashkëpunëtorët si kompozitori francez, Alexandre Desplat, i cili fitoi një çmim “Oscar” për muzikën më të mirë në filmin e Andersonit, “The Grand Budapest Hotel”, dhe shkrimtari, regjisori e aktori francez, Nicolas Saada, i cili ka luajtur në filmin e Andersonit, “The French Dispatch”, e shoqëruan regjisorin në këtë ngjarje, duke dëshmuar  mbështetjen e tyre.

Stili i Wes Andersonit është menjëherë i dallueshëm, duke krijuar një imazh që të kujton ngjyrat pastel, simetrinë, skenat e krijuara me kujdes dhe një sasi të detajeve të çuditshme dhe unike.
Ekspozita e hapur në qendrën “La Cinematheque Francaise” ndjek evolucionin kronologjik të punës së tij, nga hapat e parë si regjisori i vetëmësuar në vitet ’90, me filmin debutues “Bottle Rocket” – skenarin e së cilët e shkroi së bashku me mikun e tij, aktorin Owen Wilson – e deri te filmi i tij më fitimprurës dhe fitues i katër çmimeve “Oscar”, “The Grand Budapest Hotel”, i lansuar në vitin 2014.
“Veçantia e kësaj ekspozite dhe e punës së Wes Andersonit, është se ai ka ruajtur me kujdes shumë nga objektet dhe rekuizitat që shihni në këtë ekspozitë, e të cilat e përshkruajnë karrierën e tij më shumë se 30-vjeçare në film. Kështu që duke filluar nga ‘Rushmore’, i publikuar në vitin 1998, që është një nga filmat e parë që i shikojmë në këtë ekspozitë, ai filloi të ruante rekuizitat që kishte krijuar për këtë projekt”, ka thënë Johanna Agerman Ross, bashkëkuratorja e ekspozitës dhe kuratorja kryesore në Muzeun e Dizajnit në Londër.

Kostumi i kaltër dhe kapela e kuqe të cilat Bill Murray i kishte veshur në filmin “The Life Aquatic with Steve Zissou”, të krijuara nga dizajnerja e shpërblyer me disa çmime prestigjioze, Milena Canonero

Anderson është i njohur për punën e tij të kujdesshme para çdo produksioni: skica të detajuara të ngjarjeve, libra pune, arkiva të skenarëve dhe vizatime paraprake. Të gjitha këto janë të ekspozuara për publikun, të shoqëruara me shumë rekuizita, kostume dhe një përzgjedhje të fotografive dhe të cilat nuk janë parë më herët. Me mbi 500 nga këto artefakte, ekspozita krijon një lloj nostalgjie si dhe zbulon procesin sekret prapa stilit të tij të veçantë të punës.

“Mendoj se diçka që nuk është treguar më parë në publik, është procesi rreth metodës së tij të punës, që do të thotë përshkrimi i projektimit të tij. Po ashtu, janë shënimet që ai mban, fotografitë, gjërat e tilla që janë pjesë e procesit të tij”, shpjegon Matthieu Orlean, bashkëkurator i ekspozitës dhe kurator në qendrën “La Cinematheque Francaise”. “Njerëzit e dinë se Andersoni nuk është një regjisor që bën improvizime kur është në xhirime. Çdo gjë është menduar mirë, është parashikuar. Kjo nuk do të thotë që nuk ndodh asnjë ndryshim gjatë xhirimeve, por ai është një regjisor që e di mirë se çfarë dëshiron të ketë në kuadër, para se xhirimi të fillojë”, deklaroi Orlean.

Për Andersonin, me çdo film vjen një aventurë e re, një që i shtyn personazhet në botë të pazakonta, që kërkojnë qindra rekuizita – nga mobiliet, te librat, hartat dhe artefakte të tjera të dizajnuara me kujdes nga regjisori dhe ekipi i tij i bashkëpunëtorëve.

Sipas Orleanit, një nga momentet kulmore të ekspozitës është modeli i “The Grand Budapest Hotel”.

“Ajo është skena e parë e filmit.  Me të arritur e shikon këtë maket të bukur dhe në fakt hoteli nuk ekziston në jetën reale. Kështu që ata duhej ta riprodhonin atë. Dhe Wes ka punuar me shumë njerëz që merreshin me rekuizita dhe krijimin e objekteve miniatura. E realizuan atë dhe tani ky model është përfshirë në ekspozitë. Është një maket i madh, i bukur dhe vërtet ndihesh sikur filmi të vjen menjëherë në mendje, sepse është kaq i fuqishëm dhe njerëzit e njohin mirë atë”.

Një nga momentet kulmore të ekspozitës është modeli i “The Grand Budapest Hotel”

Qysh në fillimet e karrierës, Anderson pati idenë e duhur për të ruajtur gjithë këtë punë, dhe ekspozita synon t’i prezantojë para publikut shumicën e këtyre objekteve kulturore. 

“Kur bëhet fjalë për animacionin me lëvizje të ndërprera, në të cilin ai kaloi me filmin ‘Fantastic Mr. Fox’ në 2009, ai vërtet u kthye në një stil më të vjetër të krijimit të animacioneve”, ka thënë Agerman Ross. “Në atë kohë, efektet speciale (CGI) kishin filluar të bëheshin shumë më të njohura brenda industrisë së animacionit, por ai vendosi të rikthehet te mënyra më tradicionale e krijimit të animacionit me lëvizje të ndërprera. Kështu që, kukullat janë krijuar me kujdes në miniaturë, në përmasa të vogla, mesatare dhe më të mëdha, për t’u përshtatur me setet e ndryshme që ishin krijuar për filmin”, ka shtuar ajo. 

Agerman Ross ka thënë se ekspozita gjithashtu nderon bashkëpunëtorët e Andersonit. “Ajo që kemi mësuar përmes kësaj ekspozite është numri i jashtëzakonshëm i njerëzve që janë të përfshirë në këtë punë. Janë ata që krijojnë kukullat, por janë gjithashtu ata njerëz që pozicionojnë kukullat në mënyra të ndryshme”.

Diçka që nuk është treguar më parë në publik, është procesi rreth metodës së punës të Wes Andersonit që do të thotë përshkrimi i projektimit të tij

Ekspozita gjithashtu përfshin figurat miniaturë të Simon Weisse, dhe kostumet ikonike – përfshirë kostumin e kuq të markës “Adidas” të cilin Ben Stiller dhe djemtë e tij e kishin veshur në filmin “The Royal Tenenbaums”, ose kostumi i kaltër dhe kapela e kuqe të cilat Bill Murray i kishte veshur në filmin “The Life Aquatic with Steve Zissou”, të krijuara nga dizajnerja e shpërblyer me disa çmime prestigjioze, Milena Canonero.

E titulluar “Wes Anderson”, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur qendrën “La Cinematheque Francaise” në Paris deri më 27 korrik, para se të udhëtojë në Londër nga 14 nëntori deri më 26 korrik të vitit 2026.

Më pas, ekspozita do të bëjë një turne botëror për tre vjetët e ardhshëm, deri në vitin 2029.