Kulturë

Bota e Andy Warholit zbarkon në Tiranë

Andy Warhol - Tirane - ekspozite

Një copëz nga trashëgimia e Andy Warholit e sjell Galeria e Artit në Tiranë, në bashkëpunim me “Visconti Fine Art” të Lubjanës

Janë 39 vepra që ofrojnë një shëtitje në botën e ikonës së “pop artit”, Andy Warhol dhe muret e Galerisë së Artit të Tiranës tashmë janë pushtuar. Ndërkohë që sot, 50 e ca vjet më vonë, në realitetin global të shekullit 21, kemi të bëjmë me një konsumerizëm akoma më ekstrem se në vitet ‘60-‘70, në kohen e internetit , “Big Brotherit” dhe jetës virtuale. Shprehja e Andyt se në të ardhmen çdokush do të bëhet i famshëm për 15 minuta, rezonon kaq fort”, ka thënë për KOHËN Edit Pula, drejtoreshë e GAT-it

“Pop arti” dhe Andy Warholit ecin përherë paralel. Sa herë që përmendet lëvizja artistike, emri i tij është në krye të listës. Vitet ’60 janë periudha më e frytshme e veprimtarisë së artistit. Pikërisht në këtë periudhë vijnë në skenën e artit edhe veprat ikonike si kënaçja me supë “Campbell” dhe portretet e Marilyn Monroes. Krijimtaria e tij përqendrohej kryesisht te pop-kultura, konsumerizmi dhe personazhet e famshme. Arti i Warhol (6 gusht 1928 – 22 shkurt 1987) sfidonte nocionet tradicionale se çfarë mund të ishte arti duke përfshirë objekte dhe imazhe të përditshme nga reklamat dhe mediat masive. 

Kështu ai instrumentalizonte aspekte të tilla shoqërore duke sulmuar dogma të ndryshme politike të kohës. Theksi i tij mbi prodhimin masiv, konsumimin dhe mjegullimin e linjave midis “artit të lartë” dhe atij “të ulët” vazhdon të jetë ende pjesë e diskursit mes qarqeve të artit bashkëkohor. 
Një copëz nga trashëgimia e Warhol e sjell Galeria e Artit në Tiranë, në bashkëpunim me “Visconti Fine Art”.

Janë 39 vepra origjinale të artistit që prej të mërkurës kanë zënë vend në ambientet e Galerisë së Artit në Tiranë. Do të jenë aty deri më 5 gusht të këtij viti. E vendosur në të tria sallat e GAT-it, kjo ekspozitë prezanton jo vetëm disa vepra shumë të njohura e më shumë të riprodhuara –  siç janë tetë serigrafi, edicioni i dytë, (Edicioni.250) i Marilyn Monroes (Marilyn), 1967, apo “Campbell’s Soup” (Kënaçja e supës ‘Campbell’), 1970 serigrafi, edicioni i dytë – por përfshin edhe disa edicione të rralla, siç është: seria “Ladies and Gentlemen” (Zonja dhe Zotërinj), me tetë serigrafi të vitit 1975 (Edicioni 125) dhe seria “Space fruit”: Still Life (Fruta Hapësinore: Natyrë e qetë), 1979, me gjashtë serigrafi, edicion i veçantë (Edicioni 30). 

Sipas përshkrimit, “ekspozita përfshin edhe serinë me gjashtë serigrafi ‘Speedskater’ (Skiatori), 1979, një edicion i veçantë (Edicioni 30) i lindur nga Projekti i Artit të Lojërave Olimpike në Sarajevë më 1972, i nisur nga Lazo Vujiq dhe gruaja e tij, Zhiva Shkodlar Vujiq, të cilët bënë bashkë 18 artistë botërorë si: Mimmo Paladino, Michelangelo Pistoletto, David Hockney, James Rosenquist, Giuseppe Santomaso, Gabrijel Stupica, Cy Twombly dhe Andy Warhol për të krijuar vepra që përshkruajnë frymën e Lojërave Olimpike”. Në fakt Lojërat Olimpike Dimërore u mbajtën në Sarajevë në shkurtin e vitit 1984. 

Një vepër fort të veçantë të Warholit e posedon edhe Galeria Kombëtare e Kosovës në fondusin e saj. Bëhet fjalë për veprën e regjistruar si “Patinazhisti”, akuarel në letër të vitit 1983.  

Për drejtoreshën e GAT-it, Edit Pula, kjo ekspozitë përkon edhe me vizionin themeltar të krijimit të kësaj galerie.  Në mungesë të Galerisë Kombëtare për shkak të rikonstruktimit të saj, kjo galeri erdhi si një institucion i ri nga Bashkia e Tiranës me qëllimin që të operonte si një muze i artit bashkëkohor me fokus në promovimin e artistëve shqiptarë, por dhe në sjelljen e ekspozitave të rëndësishme botërore si kjo me veprat e Warholit. 

Ani pse ky kishte qenë synim i shkruar qysh në fillim, sjellja e veprave të Warhol ishte një rastësi për drejtoreshën Pula.

“Kjo qasje u bashkërendua me një rastësi.  Galerinë e Artit në Tiranë e gjeta me një urë bashkëpunimi të ngritur me ‘Galerinë Viskonti’, por çka ishte planifikuar ishte sjellja e një koleksioni me grafika sllovene dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi të trashëguar bëra një vizitë në tetor të 2023-tës  në Galerinë  e Arteve të Bukura ‘Visconti’ në Lubjanë të Sllovenisë, e ftuar  nga pronarët e  saj  Lazo Vujiq dhe Zhiva Shkodlar-Vujiq,  ku u njoha me një  koleksion  të madh  veprash të rëndësishme arti. Kjo falë marrëdhënieve personale të ndërtuara në kohë nga Lazo Vujiq dhe Zhiva Shkodlar Vujiq me artistë të ndryshëm botërorë sikur Henry Moore, Andy Warhol, David Hockney, James Rosenquist, e të tjerë, si edhe për shkak të punës së tyre intensive në fushën e botimeve (Botime nga Visconti) dhe menjëherë shpreha interesin tim që në vend të grafikave sllovene të mund të sillnim  në  Tiranë, një pjesë të koleksionit të tyre, e cila më vonë konsistoi në  përzgjedhjen e veprave të  Andy Warhol, një ndër figurat më emblematike të skenës së artit amerikan”, ka thënë Pula në një prononcim për KOHËN.

Galeria e Arteve të Bukura “Visconti” u themelua në vitin 1973 në Milano dhe pak kohë më vonë ndërtoi një hapësirë të re në Vjenë. Në vitin 1991, galeria zhvendosi hapësirat e saj në Lubjanë, duke u bërë një nga të parat galeri private në Ballkan, e cila zotëron një koleksion të madh veprash të rëndësishme.

Përtej një koncepti kuratorial, kjo ekspozitë namin e merr edhe nga vetë emri i autorit të veprave. Por, në aspektin organizativ kjo iniciativë, e para e llojit të vet, nuk kishte qenë e lehtë.

“Nga dëshira e shprehur, në ngritjen e besimit për t’i huazuar këto vepra, lidhjes së kontratave, sigurimin e veprave dhe hapësirës së galerisë, krijimin e mundësive për realizim ka qenë një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Nuk ka pasur asnjë bazë precedentë institucionalë, nuk ka qenë një operim i zakonshëm, është një proces zinxhiror ku asgjë nuk duhet të cedojë”, ka shtuar Pula.
Edhe pse shumë kritikë, pop artin e konsiderojnë si banal duke mohuar dhe vlerat artistike të tij, kjo frymë duket të mos e ketë humbur fuqinë e tij. Si e tillë ajo ka revolucionarizuar artin bashkëkohor në shekullin e kaluar. Por, për Pulën, ky fakt rezonon në mënyrë të drejtpërdrejtë me fatet e Shqipërisë.
“Në kohën e regjimit të egër diktatorial të Shqipërisë, njohja dhe studimi i kësaj dhe shumë rrymave të tjera moderne dhe gjithçkaje që vinte si influence imperialiste-kapitaliste, jo vetëm që mungonte thellësisht, por edhe dënoheshe në rast se fshehurazi diku mund të kishe ndeshur apo manifestuar diçka prej saj. Që nga veshja e xhinseve e deri tek “Coca-Cola” si dije dhe imazh kanë qenë konsideruar fantazi për ne. Pra, ka një boshllëk të madh kohor në përjetimin dhe njohjen e veprës së Andyt në kohën kur është krijuar. Ndërkohë që sot 50 e ca vjet më vonë, në realitetin global të shekullit 21, kemi të bëjmë me një  konsumerizëm akoma më ekstrem se në vitet ‘60-‘70, në kohen e internetit , “Big Brotherit” dhe jetës virtuale. Shprehja e Andyt se në të ardhmen çdokush do të bëhet i famshëm për 15 minuta, rezonon kaq fort”, ka shtuar Pula ,duke u shprehur se “pop arti” së fundi ka pësuar një rikthim dhe kjo ekspozitë, sipas saj, ia mundëson Tiranës të “kapë hapin e botës me trendin dhe interesin bashkëkohor”.

Ekspozita “Andy Warhol” vjen edhe me programe shoqëruese në kuadër të saj. Nga GAT janë paraparë që të realizohen dhe leksione të hapura dhe vizita edukative nga shkolla dhe grupmosha të ndryshme.

Për Galerinë, kjo ekspozitë ka rëndësi të veçantë. Nëpërmjet iniciativave si kjo synohet të arrihet qëllimi parësor që është shndërrimi i GAT-it në një galeri arti konkurruese që promovon artin shqiptar, por dhe sjell më të mirën e artit ndërkombëtar në Tiranë.

“Besojmë dhe jemi entuziastë se do të kemi një numër të konsiderueshëm vizitorësh, pasi është një ekspozitë e rrallë që vjen në Tiranë. Këtë mund ta vërejmë dhe nga interesi që ka ngjallur te njerëzit dhe nga pronotimet e biletave nga vendet fqinje. Tirana këtë verë pret një fluks të madh turistësh dhe kjo natyrisht se do të luajë rolin e saj, pasi kjo ekspozitë është futur si një pikë e rëndësishme referimi në kalendarin e aktiviteteve kulturore në Tiranë”, ka përfunduar ajo.