“Ta shikosh Tokën nga hapësira është si një fëmijë që shikon në pasqyrë dhe kupton për herë të parë se personi në pasqyrë është vetë ai”, ka thënë Samantha Harvey, fituese e çmimit “Booker” për romanin “Orbital”, për të cilin hulumtoi duke lexuar libra të shkruar nga astronautë dhe duke ndjekur “transmetimet live” nga stacioni hapësinor. “Atë që ia bëjmë Tokës, ia bëjmë vetes”, ka thënë ajo
Shkrimtarja britanike, Samantha Harvey, ka marrë çmimin “Booker” për letërsi me romanin “Orbital”, një tregim i shkurtër, plot mrekulli, ngjarja e të cilit zë vend në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe që trajton bukurinë dhe brishtësinë e Tokës.
Harvey u nderua me çmimin që kap vlerën e 64 mijë dollarëve, për atë që ajo e ka quajtur një “fabul hapësinore” rreth gjashtë astronautëve në orbitë, të cilën e filloi ta shkruante gjatë kohës së izolimit, si pasojë e pandemisë. Personazhet e ngujuara në hapësirë i kalojnë 16 lindje dhe 16 perëndime dielli gjatë një dite, në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të magjepsur nga pamjet gjithmonë në ndryshim të planetit tonë.
“Ta shikosh Tokën nga hapësira është si një fëmijë që shikon në pasqyrë dhe kupton për herë të parë se personi në pasqyrë është vetë ai”, ka thënë Harvey, e cila hulumtoi për romanin e saj duke lexuar libra të shkruar nga astronautë dhe duke ndjekur “transmetimet live” nga stacioni hapësinor. “Atë që ia bëjmë Tokës, ia bëjmë vetes”, ka thënë ajo.
Autorja britanike ka thënë se romani nuk flet saktësisht për ndryshimet klimatike, por i nënkuptuar në pamjen e Tokës është fakti i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ajo ia dedikoi çmimin të gjithë atyre që flasin “për dhe jo kundër Tokës si dhe për dhe jo kundër dinjitetit të qenieve të tjera njerëzore”.
“Të gjithë njerëzit që flasin për dhe kërkojnë e punojnë për paqe — ky çmim është për ju”.
Shkrimtari dhe artisti, Edmund de Waal, i cili kryesoi panelin e jurisë pesanëtarëshe, e quajti “Orbitalin” një roman të mrekullueshëm që e bën botën tonë të duket e çuditshme dhe diçka e re për ne.
Gaby Wood, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të çmimit “Booker”, ka theksuar se “në një vit krize gjeopolitike, që pritet të jetë viti më i ngrohtë në histori”, libri fitues ishte shpresëdhënës, i kohës dhe i pavdekshëm.
Samantha Harvey, e cila ka shkruar katër romane dhe një libër me kujtime për pagjumësinë, është shkrimtarja e parë britanike që fiton çmimin “Booker” që prej vitit 2020. Çmimi është i hapur për shkrimtarët që shkruajnë në anglisht, pavarësisht nga kombësia, dhe ka një reputacion për transformimin e karrierave të shkrimtarëve. Disa prej fituesve të kaluar ishin, Ian McEwan, Margaret Atwood, Salman Rushdie dhe Hilary Mantel.
De Waal ka bërë të ditur se jurisë iu desh një ditë për të zgjedhur fituesin dhe arriti në një përfundim unanim. Harvey i mposhti pesë finalistë të tjerë që vinin nga shtete si, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Holanda. Gjithsej 156 romane ishin dorëzuar nga botuesit për të garuar për çmimin e sivjetmë “Booker”.
Finalistët e tjerë ishin: shkrimtarja amerikane Rachel Kushner me historinë e saj të spiunazhit “Creation Lake”, romani poetik i kanadezes Anne Michaels, i titulluar “Held”, saga australiane e Charlotte Woodit “Stone Yard Devotional” dhe romani “The Safekeep” nga Yael van der Wouden, autori i parë holandez që është përfshirë në listën e ngushtë për çmimin “Booker”.
Harvey është shkrimtarja e parë fituese e çmimit Booker që prej vitit 2019, megjithatë ajo është një nga pesë gratë që janë përzgjedhur në listën e ngushtë të këtij viti, numri më i madh i grave në historinë 55-vjeçare të çmimit. De Waal ka thënë se çështje të tilla, si gjinia ose kombësia e autorëve, ishin “zhurmë në prapavijë” që nuk ndikuan fare në vendimin e jurisë.
I themeluar në vitin 1969, çmimi “Booker” është i hapur për romane të shkruara fillimisht në anglisht dhe të publikuara në Britani të Madhe ose Irlandë.
Fituesi i vitit të kaluar ishte shkrimtari irlandez, Paul Lynch, për distopinë post-demokratike, “Prophet Song”. Lynch ia dorëzoi Harveyt çmimin Booker gjatë ceremonisë së të martës – e cila zuri vend në Old Billingsgate, një treg i madh viktorian i peshkut në qendër të Londrës – duke e paralajmëruar se jeta e saj do të ndryshonte në mënyrë dramatike për shkak të famës që sjell çmimi.