Kulturë

Bllokohet puna, Teatri Kombëtar në grevë të përgjithshme

Greva e paralajmeruar  nga aktoret e Teatrit

Ashtu siç qe paralajmëruar, Teatri Kombëtar i Kosovës është futur tashmë në grevë të përgjithshme. Ka nisur me anulim provash, e të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme, do të bëhet publik ky vendim. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, paralajmërimeve për grevë u ishte përgjigjur me thirrje për reflektim e lëvdata për punën e Qeverisë

Teatri Kombëtar i Kosovës është jofunksional. Prej së hënës aty nuk do të mbahet kurrfarë aktiviteti artistik. Festivali “Moisiu” po ashtu nuk do të mbahet. Krejt kjo, pasi stafi artistik e tekniko-artistik i këtij institucioni ka arritur në hapin e fundit sindikal –  grevën e përgjithshme. 

Aktorët e këtij institucioni tashmë janë në grevë. KOHA ka mësuar se ata nesër do të mbajnë një konferencë për media për ta njoftuar publikun për këtë hap. Paraprakisht të premten mbrëma janë anuluar provat e shfaqjes “Emira” që po përgatitej si bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Maqedoni. Shfaqja në kushte normale do ta kishte premierën më 20 nëntor kur edhe planifikoi të niste edicioni i tretë i Festivalit, pas një edicioni në Shkup e një tjetri në Tiranë. 

Historia e grevës së stafit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është e re. Por tashmë kanë ardhur te veprimet finale sindikale. 

“Tashmë është marrë vendimi për të hyrë në grevë dhe bashkë me arsyet do t’i komunikohen publikut në konferencën e jashtëzakonshme për media që do të mbahet të dielën në orën 13:00", ka thënë një burim brenda TKK-së. Grevën KOHA e ka konfirmuar edhe nga burime të tjera. 

“U nisëm për të shkuar në prova por me të arritur na u bë me dije se po fillon greva dhe të premten mbrëma u ndërpre procesi”, ka treguar një prej udhëheqësve kreativë të shfaqjes “Emira” me tekst të Anton Santorit dhe regji të Kushtrim Bekteshit. 

Gjatë kësaj jave ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte kërkuar durim nga aktorët e institucionit më të lartë teatror në vend. 

Kishte lëvduar fort aktorët Tetarit Kombëtar të Kosovës bashkë me performuesit e tjerë të institucioneve të kulturës. Sa i përket rritjes potenciale të pagave, s’ka dhënë ndonjë premtim. Kurse i pyetur për grevën e paralajmëruar të aktorëve, të mërkurën ai kishte bërë thirrje që ata të reflektojnë pozitivisht. 

Kishte vazhduar me të tijën se si Qeveria po bën për artin e kulturën si askush e asnjëherë më parë. 

“Komunikimi im me Shoqatën Sindikale është i vazhdueshëm. Kemi komunikuar edhe me takime edhe nëpërmjet letrave, shkresave dhe formave të tjera. Në të gjitha këto takime në i kemi bërë të qarta pozicionet tona. Për të hyrë në grevë duhet të ketë një mospajtim ose një refuzim ose një situatë kur një kërkesë nuk pranohet ose refuzohet nga një autoritet”, kishte thënë ai për të vazhduar duke shpalosur të dhëna se buxheti i TKK-së është i dinjitetshëm, se si stafi i këtij institucioni është plotësuar e po plotësohet. Sipas tij, Qeveria në infrastrukturën teatrore të Kosovës ka shpenzuar e zotuar rreth 20 milionë euro.

“Ajo që po ndodh tani është ekuivalentimi i të gjitha pozitave në Ministrinë tonë. Pjesa më e madhe kanë përfunduar, kanë mbetur edhe përformuesit. Kjo është edhe përgjigjja jonë edhe për aktorët e TKK-së. Jo vetëm që nuk ka asnjë kërkesë që u kemi thënë jo, por mendoj se si Qeveri e kemi dëshmuar seriozitetin në raport me zhvillimin kulturor dhe mbështetjen tonë për artin e artistin”, kishte thënë ai. Kishte përmendur se me Ligjin për pagat performuesit janë kategori e veçantë. Por krejt në fund kishte  bërë thirrje për durim.  

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës të organizuar nëpërmjet Shoqatës Sindikale planifikonin që nga fundi i kësaj jave të hyjnë në grevë. Se do të vijnë deri në këtë pikë, kishin treguar qysh në shtator. Por Ministria e Kulturës del se s’po mund t’u bëjë zgjidhje. 

“I ftoj edhe njëherë (aktorët v.j.) që të reflektojnë pozitivisht dhe të mos ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të parë shfaqje të mira në Teatër”, kishte thënë ministri i Kulturës një 72 orë para grevës së TKK-së. Prej 16 shtatorit aktorët kanë nisur hapat sindikalë me kërkesë për rritje pagash. Ultimatum qe dhënë deri në fillim të nëntorit. 

“Jemi duke e shfrytëzuar edhe hapin e ndërmjetësimit ligjor në mënyrë që të kalojmë nëpër të gjithë hapat proceduralë. Nëse nuk ka asnjë lëvizje nga Ministria e Kulturës pas pesë ditësh do të ketë grevë të përgjithshme”, kishin  bërë të ditur në Shoqatën Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar në fillim të kësaj jave. Aktorët e institucionit më të lartë teatror në vend, muajin e kaluar kishin zgjedhur që nga Shkupi të bënin një ultimatum. Në krah u kishte dalë edhe Festivali ndërkombëtar i teatrove “Skupi Festival”. Në shenjë përkrahjeje, termini i dhënies së shfaqjes “1984” ishte shtyrë për një orë. Kësisoj kishte ndodhur me secilën shfaqje të Festivalit.  

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit. Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, kishte njoftuar Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar që drejtohet nga aktorja Sheqerie Buçaj. 

Ky hap erdhi pas atij të 16 shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.

Aktorët 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, e kanë shfrytëzuar mundësinë legale që ua ofron legjislacioni për veprime sindikale. Paraprakisht më 9 shtator e kishin lajmëruar Ministrinë e Kulturës për veprimet që do të merrnin. 

Aty sqaronin se kërkesën për rritje të pagave e bazojnë në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, volumin e madh të punës, punën pa orar, e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë, e punën gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të  punës.  Më pas si arsye kishin renditur “kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrin e reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrin e shikuesve që është trefishuar duke qenë institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së, duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend”. 

Para 19 muajsh kur ishin ngritur pagat, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Shoqata Sindikale e këtij institucioni kishte kërkuar që kategoria e “Aktorëve të parë” të ketë koeficient 11. Vjet vlera e koeficientit ishte 105 euro. Sivjet është 110 euro. Për kategorinë e dytë të aktorëve është kërkuar koeficient 9 e për të tretën koeficienti 8.5. Por aktualisht “Të parët e teatrit” kanë koeficient 8. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë. 

Kërkesat për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës. 

Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtohen.

LEXO EDHE: