Kulturë

Biblioteka në mesin e 11 kandidatëve synon drejtorin në tentimin e dytë

Drejtori i Bibliotekes Kombetare te Kosoves

Murteza Osdautaj, Izet Çelaj, Rushit Jeta, Akif Shkreta, Bukurije Haliti, Blerina Rogova-Gaxha, Lulzim Nika, Gjon Berisha, Ismail Gagica, Sylë Ukshini dhe Imer Hakaj synojnë pozitën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Fiks 13 veta kanë konkurruar edhe në konkursin e fundit për drejtor të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Por, ajo që në gjuhën administrative është “verifikim paraprak” ka bërë që veç 11 prej tyre t’i plotësojnë kushtet për t’i vazhduar procedurat e tjera të rekrutimit në shërbimin publik. Prej tyre ka edhe nga lista e konkurrentëve të konkursit të kaluar që kishin ngelur në test

Tentimi i Ministrisë së Kulturës që në pranverën e sivjetme ta bëjë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me drejtor kishte dështuar keqas. Konkursit ia kishin mësyrë 13 veta, shtatë prej tyre ishin testuar dhe asnjëri nuk kishte arritur që ta kalonte testin me shkrim për të vazhduar më pas me intervista. Fiks 13 veta kanë konkurruar edhe në konkursin e fundit. Por, ajo që në gjuhën administrative është “verifikim paraprak” ka bërë që veç 11 prej tyre t’i plotësojnë kushtet për t’i vazhduar procedurat e tjera të rekrutimit në shërbimin publik. 

Prej tyre ka edhe nga lista e konkurrentëve të konkursit të kaluar që kishin ngelur në test. Kësaj radhe prapë do t’iu nënshtrohen testit dhe intervistave. 

“Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në MKRS ka bërë verifikimin paraprak të aplikacioneve dhe konstaton se për këtë pozitë kanë aplikuar trembëdhjetë (13) kandidatë dhe prej tyre njëmbëdhjetë (11) kandidatë i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta sipas shpalljes së konkurrimit, ndërsa dy (2) kandidatë nuk i kanë plotësuar kriteret e konkursit”, shkruhet në raportin e Ministrisë së Kulturës.

Kandidatët e kualifikuar për të vazhduar procedurat janë: Murteza Osdautaj, Izet Çelaj, Rushit Jeta, Akif Shkreta, Bukurije Haliti, Blerina Rogova-Gaxha, Lulzim Nika, Gjon Berisha, Ismail Gagica, Sylë Ukshini dhe Imer Hakaj. Emrat e dy kandidatëve që nuk janë kualifikuar nuk janë bërë publikë. 

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se tash do të ndjekin detyrimet ligjore. 

“Do të ketë test, ese dhe kandidatët që arrijnë 50 pikë do t’i nënshtrohen edhe intervistimit”, ka thënë ai. Konkursi ishte hapur më 11 maj dhe mundësia e konkurrimit ishte deri më 9 qershor. 

Konkursi paraprak kishte prodhuar diçka të paparë. Prej 13 konkurrentëve 7 kishin hyrë në testin me shkrim, asnjëri nuk kishte kaluar. 

Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj e Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”. Akif Shkreta, Flamur Maloku e Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ishte hapur prej 9 shkurtit deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kishin shkuar në test. 

“Konkursi është anuluar, sepse asnjëri nga kandidatët nuk i ka arritur pikët”, kishte thënë Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Testi kishte pasur 70 pikë. Kandidatët duhet të kenë së paku 50 që ta kalojnë atë. 

“Pyetje nga letërsia dhe juridiku. Po ashtu edhe drejtshkrim”, kishte thënë njëri prej kandidatëve. “Ka pasur detyra për ndreqje gabimesh drejtshkrimore e përdorim fjalësh në fjali. Njëra prej pyetjeve ka qenë se cili është libri i parë i regjistruar në Bibliotekë me tri opsione: ‘Meshari’ i Buzukut, ‘Çeta e profetëve’ e Bogdanit, ‘Historia e Skënderbeut’ e Barletit”, kishte ilustruar kandidati, i cili nuk kishte pranuar ta komentonte procesin.  

Këshilli Drejtues, sipas Ligjit për Bibliotekat, zgjedh dhe shkarkon drejtorin. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes”, shkruhet në nenin 11 të Ligjit. Në këtë ligj, sikurse edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë të Punës, në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në Statutin e BKK-së ishte hapur edhe konkursi. 

“Diplomë universitare në: Fakulteti i Arteve, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, së paku gjashtë (6) vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku tre (3) vjet në pozita drejtuese”, është kriteri i parë te “Shkollimi i kërkuar, përvoja, aftësitë dhe karakteristikat personale”. Mandati është katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje. 

“Udhëheq, organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë dhe funksionimin e Bibliotekës, ia propozon Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar; Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Këshillit Drejtues. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote; Përfaqëson Bibliotekën brenda dhe jashtë vendit; Ushtron detyra dhe autorizime të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”, janë gjashtë prej dymbëdhjetë “detyrave dhe përgjegjësive” të përcaktuara edhe me konkurs. 

Fazli Gajraku për tetë vjet ka qenë drejtor i BKK-së. Ia kishte mësyrë edhe një mandati pasi i kishte skaduar i dyti më 25 mars të këtij viti. S’e kishte kaluar testin. 

Ngjashëm sa u përket pozitave në institucione kulturore ka qenë edhe Shefqet Gjocaj, i cili për dy mandate ka qenë drejtor i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Institucionet e kulturës kanë pasur përherë telashe me konkurse drejtorësh, anulime e rihapje. Galeria Kombëtare e Kosovës është pa drejtor prej gushtit të vitit 2020, kur i kishte skaduar mandati katërvjeçar Arta Aganit. Udhëhiqet me zëvendësues të drejtorit. Filharmonia e Kosovës nga muaji i kaluar po ashtu është pa drejtor. Sa u përket institucioneve të trashëgimisë kulturore, pa drejtor janë: Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.