Kulturë

Biblioteka me afat shtesë pret autorët e Kosovës për Panairin e Leipzigut

Deri në ditën e 15-të të janarit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, do t’i presë “ofertat” me Thirrjen për projekt-propozime për mbështetjen e individit-autorit për pjesëmarrje në Panairin e Librit në Leipzig, i cili sivjet mbahet prej 27 deri më 30 mars

Deri në ditën e 15-të të janarit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, do t’i presë “ofertat” me Thirrjen për projekt-propozime për mbështetjen e individit-autorit për pjesëmarrje në Panairin e Librit në Leipzig, i cili sivjet mbahet prej 27 deri më 30 mars

Foto: Driton Paçarada

“Fjalët lëvizin botën” është tema e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Frankfurt. Kosova synon t’i bashkohet kësaj thirrjeje, por Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka dështuar me të parën që t’i gjejë autorët a individët që do ta përfaqësojnë. Për këtë e ka zgjatur afatin dhe pret që kësaj radhe ta përmbyllë me sukses, me qëllim që në ngjarjen e cila zë fill qysh prej vitit 1632 ta vazhdojë traditën e prezantimit që e nisi gjashtë vjet më parë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” nuk ia ka dalë që për dy javë, deri në ditën e fundit të vitit të kaluar, të gjejë katër, pesë individë a autorë të cilët do ta prezantojnë vendin në njërën prej ngjarjeve më të mëdha të librit në botë – Panairin e Leipzigut. Për këtë është detyruar që ta zgjasë afatin. Deri në ditën e 15-të të janarit do t’i presë “ofertat” me Thirrjen për projekt-propozime për mbështetjen e individit-autorit për pjesëmarrje në Panairin i cili daton qysh prej vitit 1632 dhe konsiderohet si i dyti në Gjermani pas atij të Frankfurtit. “Words move World” (Fjalët lëvizin botën) është tema e edicionit të sivjetmë. 

Kosova përfaqësohet aty prej vitit 2019. Biblioteka, përfaqësimin në ngjarjen e cila sivjet mbahet prej 27 deri më 30 mars, e rendit ndër prioritetet programore për promovimin e kulturës së shkruar dhe të institucioneve botuese publike e private, duke mundësuar edhe promovimin e autorëve të vendit dhe të librave të tyre të përkthyer. Por ka disa kritere që duhen plotësuar, e të cilat nuk janë përmbushur me thirrjen e parë. Ndër të tjera, autorët e librat që do të prezantohen duhet të kenë edhe njëfarë lidhjeje me gjermanishten ose me gjuhë të tjera. 

“Në fazën e parë të aplikimeve, nuk kanë aplikuar mjaftueshëm autorë që i plotësojnë kriteret e përcaktuara, ndaj inkurajojmë të gjithë autorët e interesuar të aplikojnë”, ka thënë në përgjigjet me shkrim, Veronikë Buçinca, zyrtare e lartë ekzekutive në Zyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të BKK-së, pa dhënë numrin e aplikimeve. 

Pos kushteve dhe kritereve formale, disa prej atyre janë edhe ato që “libri fizik i autorit (pa e-libra) të jetë botuar më 2023 e 2024 dhe të jetë i disponueshëm për t’u ekspozuar, që autori të ketë të përkthyer, ose në proces përkthimi veprën në gjuhën gjermane ose në gjuhë të tjera të huaja më 2023 deri më 2025, që kopjet e printuara të librit të autorit të jenë lehtësisht të disponueshme për t’u prezantuar në Panairin e Leipzigut, e që vepra të jetë origjinale”. 

“Përparësi u jepet autorëve të cilët kanë një marrëveshje përkthimi në gjuhën gjermane ose në një nga gjuhët e tjera të huaja, me një nga botuesit jashtë, duke qenë vepra e tij tashmë në procesin e përkthimit e të botimit sipas afatit kohor të cekur më lart”, ka qenë njëri prej kushteve e kritereve që i ka theksuar edhe Buçinca. Ndër të tjera, po te kushtet e kriteret përcaktohet që “fragmente të veprës së autorit të jenë të përkthyera në gjuhën gjermane ose në gjuhët e tjera të huaja në revista letrare apo antologji letrare gjatë vitit 2023 – 2025”. 

Biblioteka, sipas saj, synon që të përzgjedhë rreth 4 ose 5 autorë që plotësojnë kriteret e përcaktuara për t’u prezantuar në panelet e diskutimit në Leipzig. E, këtë Buçinca e ka konsideruar si mundësi për prezantimin e letrave shqipe. 

“Pjesëmarrja e autorëve në këtë panair është e një rëndësie të madhe për promovimin e letërsisë aktuale nga Kosova dhe letërsisë shqipe në kuadër të letërsisë së Evropës juglindore”, ka thënë Buçinca. Atyre që ia dalin të plotësojnë kriteret, u mbulohen të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes në Panairin e Leipzigut. 

Biblioteka është optimiste që kësaj radhe do t’ia dalë me qëllim që Kosova të përfaqësohet denjësisht në Panairin i cili, mesatarisht ka mbi dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende të botës, me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës dhe 3 mijë e 600 ngjarje në më shumë se 500 skena. 

“Qëllimi ynë nuk është që procesi të dështojë, por përmes kësaj thirrjeje të hapur duam të inkurajojmë pjesëmarrjen e autorëve të etabluar dhe atyre të rinj. Kjo është një mundësi unike për t’u prezantuar në një nga panairet më prestigjioze të librit dhe për të ndihmuar në promovimin e letërsisë shqipe në një platformë ndërkombëtare”, ka thënë Buçinca. 

Vitin e kaluar, Panairi i Librit në Leipzig, kishte pasur për temë demokracinë. “2024 është një vit vendimtar për demokracinë tonë. Vlerat themelore demokratike si dinjiteti njerëzor dhe toleranca janë gjithnjë e më shumë nën sulm. Le të bëjmë diçka kundër kësaj! Në zgjedhjet evropiane dhe në zgjedhjet shtetërore ne mund të vendosim se në cilin drejtim do të zhvillohet shoqëria jonë”, ishte përshkrimi që iu bë edicionit të vjetëm i karakterizuar nga thirrjet e përbashkëta për demokracinë dhe promovimi i saj edhe nëpërmjet librit. “Bashkohuni me ne: Bëni një foto të vetes përpara murit fotografik në Panairin e Librit në Leipzig dhe vendosni deklaratën tuaj se pse demokracia është e rëndësishme për ju. Votoni për Demokraci”, kishte qenë thirrja e organizatorëve. Shtandi i Kosovës – në hapësirën ekspozuese të Panairit që shtrihet në mbi 170 mijë metra katrorë – gjendej midis atij të Shqipërisë dhe atij të Maqedonisë së Veriut. 

Përfaqësimi i Kosovës nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare, kishte nxitur reagime vite më parë. Njëri prej atyre që kishin reaguar, kishte qenë edhe botuesi Berat Dakaj, njëherësh punonjës i BKK-së, i cili kishte thënë se “Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me këtë pjesëmarrje atje, në Panair, po tejkalon kompetencat e veta të përfshira në Ligjin për Biblioteka”. Autoritetet e BKK-së, kishin sqaruar se BKK-ja ishte ftuar nga vetë organizatorët e Panairit. Shtetet e rajonit përfaqësohen po ashtu nga institucionet shtetërore. Sllovenia përfaqësohet nga Agjencia e Librit, Serbia e Kroacia nga Ministria e Kulturës. 

Sivjet Norvegjia do të jetë mysafir nderi i Panairit të Librit në Leipzig. “Spring Dreams” është slogani që ka përzgjedhur ky shtet, e që vjen si simbolikë e fillimeve të reja. Me të renë por në një kuptim edhe më të thellë, paralajmërohet edhe Panairi i 2025-s. Organizatorët kanë paralajmëruar se Panairi do t’i rreket edhe Inteligjencës Artificiale dhe debatit për të. Se si do të gjendet libri në këtë mes, përgjigjja do të jepet prej ditës së shtatë të pranverës kur Panairi i hap dyert.