Kulturë

Biblioteka Kombëtare pezullon shërbimet shkaku i mungesës së rrymës

Një prishje në pajisjen kryesore të furnizimit me rrymë ka bërë që puna e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” të ndërpritet. Teksa pritet të shpallen procedurat e prokurimit dhe të bëhet ndërhyrja në këtë pajisje, institucioni më i madh bibliotekar do të jetë i privuar nga ofrimi i shërbimeve kryesore për përdoruesit, ashtu sikurse edhe për vizitorët jo të paktë gjatë sezonit veror. Drejtuesit e BKK-së kanë thënë se pas sanimit të problemit do të shqyrtojnë mundësinë e ndërrimit të sistemit të rrymës elektrike për të cilin tashmë ekziston projekti i hartuar

Një prishje në pajisjen kryesore të furnizimit me rrymë elektrike ka bërë që institucioni më i madh bibliotekar në vend t’i pezullojë thuajse të gjitha funksionet e tij. Nga mëngjesi i së martës, objekti i bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” nuk ka pasur rrymë. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.

Sipas tij, KEDS-i është njoftuar qysh në mëngjes, porse ekipet e tij kanë arritur në vendin e ngjarjes vetëm vonë pasdite.

“Ata e identifikuan problemin në pajisjen themelore me të cilën objekti furnizohet me rrymë”, ka thënë Gajraku për KOHËN.

Teksa janë ftuar edhe disa kompani që kanë dhënë propozime se si duhet bërë ndërhyrja, BKK-ja do të procedojë nga sot (e mërkure) me hapjen e procedurave të prokurimit për të ndërhyrë në këtë pajisje.

“Po shpresojmë që deri në orët e mbrëmjes ky telash të tejkalohet”, ka thënë Gajraku.

E mungesa e rrymës elektrike është ndier menjëherë në funksionin themelor të Bibliotekës, atë të shërbimeve për lexuesit.

Sipas drejtorit të BKK-së, mungesa e rrymës ka nxjerrë jashtë funksionit shërbimin e regjistrimit, parakatalogimit e katalogimit të librit, ashtu si dhe pjesën e përdorimit të koleksioneve të brendshme. Kështu, sipas tij, katalogu elektronik nuk mund të jetë i qasshëm për përdoruesit që kërkojnë njësitë librare.

“Tani për tani nuk mund t’ju shërbejmë përdoruesve për shkak se nuk ka qasje në internet”, ka thënë Gajraku teksa ka shtuar se edhe vizitorët e shumtë që mësyjnë në objekt janë privuar nga mundësia që t’i shohin hapësirat e brendshme të Bibliotekës.

E gjeneratori aktual që ka objekti është treguar joefikas për të improvizuar normalitet brenda BKK-së. Sipas Gajrakut, ai “është tepër i vogël për të përballuar të gjitha pajisjet e brendshme teknologjike”.

Ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të dilet me një analizë të detajuar të gjendjes, Gajraku ka thënë se projekti për ndërrimin e sistemit të rrymës është i hartuar, porse nuk është ndër prioritetet kryesore të BKK-së.

“Tash primare e kemi sistemin e mbrojtjes ndaj zjarrit, që pritet të ndërrohet”, ka shtuar ai.

Vetëm vitin e kaluar BKK-ja ka arritur t’u japë fund problemeve të kahershme që cenonin funksionimin e brendshëm. Nëpërmjet dy kontratave të njëpasnjëshme, Ministria e Kulturës kishte ndërhyrë në rregullimin e kulmit dhe atikës së BKK-së.

Ndryshe, historia e BKK-së fillon në dhjetor të vitit 1944 ku “proto-biblioteka” – asokohe e njohur si Biblioteka Rajonale në Prizren – nisi veç me një fond simbolik të librave. Duke funksionuar për disa vjet si Biblioteka Krahinore, me themelimin e Universitetit të Prishtinës, më 1970, kjo bibliotekë do të merrte zyrtarisht emërtimin Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

E projektuar nga arkitekti i njohur kroat Andrija Mutnjakoviq, ndërtimi i godinës karakteristike filloi më 1974, kurse përurimi i saj do të bëhej më 25 nëntor 1982.

Sipas fjalëve të arkitektit, stili i këtij objekti bën bashkë forma arkitekturore bizantine, si dhe të traditës rajonale e rurale. Jo pak debate kishin ngritur edhe dhjetëra kupolat e saj, të cilat, sipas eksponentëve të politikës shoviniste në Beograd përfaqësonin elemente kombëtare shqiptare, si plisi.

Ndërtesa me mbi 16 mijë metra katrorë dhe shtatë nivele kishte fillimisht një fond prej 600 mijë librash, dy dhoma leximi, amfiteatrin me 150 ulëse, si dhe sallën e takimeve me 750 ulëse. Librat ruhen në dy nivele nën tokë.

Tashmë me një fond prej mbi dy milionë ekzemplarësh, BKK “Pjetër Bogdani” është në proces të digjitalizimit të krejt arsenalit të saj librar.