Potenciali i filmit si “art i shtatë” paraqitet si një medium jashtëzakonisht i fuqishëm dhe tërheqës. Por është shfrytëzuar pamjaftueshëm. E Biblioteka e re Digjitale, e lansuar të martën, vjen si mundësi për mësimdhënësit që orët mësimore t’i pasurojnë me materiale audiovizuale si filmat e shkurtër dokumentarë që u shërbejnë lëndëve dhe tematikave të ndryshme. Deri më tash, janë rreth 200 filma në dispozicion, por Biblioteka do të pasurohet në vazhdimësi
Një mjedis akademik ku lënda mësimore vjen te nxënësit në forma kreative, duke synuar interaktivitetin në të nxënë, siguron që pjesëmarrësit të jenë aktivë, të nxitur nga ana vizuale. Ky është dhe synimi kryesor i Bibliotekës së re Digjitale për mësimdhënësit, projekt i realizuar nga Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFesti” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Arsimit, në përputhje me Kornizën Kurrikulare të Republikës së Kosovës. Kjo platformë virtuale me materiale didaktike për përdorimin e filmit në klasë, vjen si mundësi për mësimdhënësit që orët mësimore t’i pasurojnë me materiale audiovizuale si filmat e shkurtër dokumentarë që u shërbejnë lëndëve dhe tematikave të ndryshme.
Potenciali i filmit si “art i shtatë” paraqitet si një medium jashtëzakonisht i fuqishëm dhe tërheqës. Por është shfrytëzuar pamjaftueshëm. Andaj, nëpërmjet këtij projekti synohet që mësimdhënësit e të gjitha niveleve në shkollat publike të Kosovës të kenë ekskluzivitetin të regjistrohen në këtë Bibliotekë, në të cilën gjenden filma dokumentarësi mjete përtë zhvilluar punën e mësimdhënies krahas metodave tradicionale.
Në lansimin e këtij projekti, paraditen e së martës është potencuar vazhdimisht nga folësit edhe roli i medias në kulturë. Është trajtuar roli i metodave të transmetimit të informacionit dhe mënyrat direkte se si ato ndikojnë në procese të ndryshme sociale, e në veçanti tek edukimi formal.
Linda Llulla-Gashi, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”, ka potencuar pikërisht këtë duke e prezantuar edhe karakterin e këtij projekti.
“Platforma integron filma dokumentarë në kurrikulë. Filmat dhe materialet ndihmojnë të zhvillojnë njohuri, mendimin kritik dhe po ashtu platforma ofron seminare dhe trajnime për mësuesit. Platforma jonë përmban 200 filma dhe rreth 130 fleta të punës të gjitha të harmonizuara me kornizën kurrikulare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Llulla-Gashi, duke shtuar se deri më tani nga kjo iniciativë, kanë arritur të regjistrohen në këtë Bibliotekë Digjitale 350 mësimdhënës nga Kosova.
Ky projekt i cili u realizua edhe në bashkëpunim me fakultetet e edukimit nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Prizrenit, për udhëheqësin e “DokuLab”, Eroll Bilibani, pasqyron idenë e integrimit të filmit në programet kurrikulare. Koha kur ata kishin punuar në këtë ide përkonte me pandeminë, dhe si e tillë u kishte ofruar kohë të mjaftueshme që ta trajtojnë në detaje.
“Koha e pandemisë po aq sa ishte e keqe, na dha kohë që të analizojmë punën e bërë edhe të fillojmë të krijojmë diçka për ju, sepse në fakt shumë nga ju [mësimdhënësit] që na ftuat të bëjmë diçka për nxënësit. Ishte pikërisht filmi, krijimi i fletave të punës, marrja e modeleve të ndryshme ndërkombëtare të cilat nuk i kopjuam, por i morëm dhe mësuam nga to dhe duke realizuar kornizën kurrikulare, i adaptuam për nevojat tona”, ka thënë Bilibani.
Nëpërmjet kësaj qasjeje inovative në mësimdhënie, me metoda digjitale, veçanërisht nëpërmjet filmit synohet dhe nxitja e aktivizimit te nxënësit përtej përpjekjeve të tjera. Në platformë ofrohen filma të shkurtër të krijuar nga “DokuFest” në 15 vjet, të cilët do të ndihmojnë në nxitjen e mendimit kritik dhe analitik. Në këtë platformë vëmendje i ofrohet çdo tematike specifike, duke u kategorizuar në lëndët përkatëse për shkollat e mesme të larta dhe te ulëta. Nisin nga fushat sociale, artet, gjuhët, e deri tek edukimi mediatik e fizika. Veçantia e saj është se çdo muaj fokusi i prurjeve filmike në platformë dallon, aty u ofrohet vëmendje më e madhe temave të veçanta. Për shembull, për muajin qershor aty sugjerohen filma që trajtojnë ambientin. Krahas filmave, aty ofrohen dhe fletë pune që angazhojnë nxënësit në analizë të çështjeve të trajtuara në filma.
Projekti që vjen si ndihmesë për të plotësuar kriteret e Memorandumit të Bashkëpunimit midis “DokuFestit” dhe MASHTI-it, mundësohet nga National Endowment for Democracy (NED) dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Kosovënë bashkëpunim me Misionin e OSCE-së në Kosovë. Michael Davenport, ambasador i këtij misioni në Kosovë, platformën e ka cilësuar si një tip “Netflixi”. Sipas tij, roli i digjitales në transmetimin e informacionit të saktë dhe të vërtetë është çështje e cila meriton gjithnjë vëmendjen.
“Shkollat dhe universitet janë shumë të rëndësishme që t’i ndihmojnë gjeneratat e reja që të zhvillojnë aftësi të cilat u nevojiten atyre me urgjencë. Duke ndihmuar nxënësit të përballen me një mjedis teknologjik dhe digjital i cili po ndryshon drastikisht dita e ditës, i mëson gjeneratat e reja që të përdorin platforma të tilla në mënyrë të arsyeshme. Për këtë misioni i OSCE-së në Kosovë ka investuar shumë në trajtimin kritik të medias nëpër shkolla, dhe me ndihmën e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive të Arsimit, bashkë me partnerët tanë si DokuFesti, ne kemi arritur që me sukses të bëjmë një diferencë në këtë aspekt”, është shprehur Davenport.
Në pamundësi që të jetë e pranishme në këtë ngjarje, ministrja e Arsimit Ministrja Arbërie Nagavci, është përfaqësuar nga shefja e kabinetit të saj Bora Shpuza, e cila ka folur rreth rëndësisë së iniciativave të tilla dhe vënies në dispozicion të resorëve digjitale.
“Gjatë tërë historisë së njerëzimit biblioteka i ka shërbyer qëllimit fisnik të ruajtjes së ideve dhe arritjeve të njeriut duke i vënë ato në dispozicion të shoqërisë dhe historisë. Krahas letërsisë artistike që mban biblioteka është shtëpia e së vërtetës ku faktet dhe informatat janë të sigurta dhe të vërteta. Rëndësia e saj vetëm është e shtuar dhe biblioteka në tërë botën vazhdon të mbetet burim i pashtershëm dhe i pakontestuar i realitetit. Biblioteka digjitale që lansohet sot, e vazhdon këtë mision fisnik, por tani me forma moderne dhe qasje më të lehtë”, ka thënë Shpuza.
Rreth filmit si mjet mësimor ne shkolla ka folur Arlinda Beka, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
“Ne jemi ata të cilët sot në epokën digjitale duhet ta shndërrojmë klasën në atë se çfarë kërkon dokumenti ynë zyrtar, duhet ta shndërrojmë atë në një klasë kreative që i përshtatet secilit nxënës, secilit interes të tyre. Ne përmes këtyre filmave mund të sjellim një kreativitet tonin, duke përçuar mesazhin te nxënësit. Shumë shpesh kur takohem me kolegët e mi mësimdhënës citoj fjalët e Maria Montessorit: ‘Nëse dëshirojmë ta prekim trurin e tyre, nëse dëshirojmë të na besojnë fëmijët atë që ne u themi duhet ta prekim zemrën e tyre fillimisht. Andaj përmes qasjes bashkëkohore të të nxënit, ne duhet ta prekim zemrën e tyre”, ka qenë mesazhi i saj.
Biblioteka Digjitale e cila synohet që të vihet në përdorim të plotë prej vitit të ri shkollor në shtator, sipas zotimit të “DokuFestit”, pritet të përditësohet në vazhdimësi me tituj të rinj filmash.