Kulturë

Beteja për shpëtimin e kishës misterioze në Spanjë

Kisha "Ermita de San Jorge" në Spanjë

Vendësit besojnë se Kisha mund të jetë ndërtuar në shekullin e XIV, afër vijës së ngritur për t’u mbrojtur nga pushtimet e mundshme myslimane pas rikthimit të krishterimit.

Shtëpia e afreskeve të gjalla të shekullit XVI, e cila me shekuj ishte lënë në gjendje të tmerrshme, “Ermita de San Jorge”, është në prag të shpëtimit. Askush nuk di shumë për këtë kishë pothuajse e rrënuar dhe që është pjesërisht nën tokë, e cila ndodhet në një luginë 12 kilometra larg qytetit Cáceres, në jug-perëndim të Spanjës

Një kishë spanjolle misterioze, e shkatërruar dhe e pikturuar mrekullisht, në të cilën kalorësit mund të kenë hyrë shekuj më parë për të marrë një bekim të pazakontë, besohet se është në prag të shpëtimit pas një fushate që ka zgjatur me dekada nga grupet lokale të trashëgimisë.

Askush nuk di shumë për “Ermita de San Jorge”, një kishë pothuajse e rrënuar dhe që është pjesërisht nën tokë, e cila ndodhet në një luginë 12 kilometra larg qytetit, Cáceres, në jugperëndim të Spanjës. Ekspertët lokalë besojnë se ajo mund të jetë ndërtuar në shekullin XIV, afër vijës së ngritur për t’u mbrojtur nga pushtimet e mundshme myslimane pas rikthimit të krishterimit. Ndërsa data e vetme e regjistruar në mënyrë të saktë vjen nga Juan de Ribera, i cili dekoroi brendësinë e kishës me afreske biblike në dukje të gjalla, në vitin 1565.

Megjithatë, ajo që është dukshëm e dhimbshme, janë shekuj të tërë të neglizhencës dhe dëmtimit nga uji, që kanë shkatërruar si strukturën e kishës ashtu edhe pikturat e saj. Si pasojë, para 16 vjetësh, kisha “Ermita de San Jorge” u përfshi në një listë të trashëgimisë në rrezik, e hartuar nga organizata jofitimprurëse “Hispania Nostra”.

Në nëntor, qeveria rajonale e Extremaduras përfundimisht ndërhyri dhe filloi punimet emergjente për të mbrojtur ndërtesën. Ajo ka shpenzuar tashmë rreth 50 mijë euro si dhe ka premtuar se edhe 385 mijë të tjera do të shpenzohen, për të mbrojtur kishën dhe veprat e saj të artit.

Data e vetme e regjistruar në mënyrë të saktë vjen nga Juan de Ribera, i cili dekoroi brendësinë e kishës me afreske biblike në dukje të gjalla, në vitin 1565

“Ajo që kemi bërë deri tani është stabilizimi i vendit për të parandaluar dëme të mëtejshme strukturore dhe për të ruajtur afresket”, ka thënë Victoria Bazaga, ministre rajonale për kulturën, turizmin, rininë dhe sportin. “Nuk duam të humbasim diçka kaq emblematike dhe historike – ose diçka që është kaq e çmuar për memorien kolektive – si kisha ‘Ermita de San Jorge’”.

Lajmi i shpëtimit në minutat e fundit ka gëzuar dhe befasuar ata që kërkojnë veprim prej vitesh.
“Jam i kënaqur që qeveria rajonale po vepron, por jam i shqetësuar për faktin se deri më tani, kisha është shkatërruar kaq shumë”, ka thënë Alonso Corrales Gaitán, një hulumtues dhe historian lokal, i cili vizitoi për herë të parë kishën në fillim të viteve ’80, dhe që atëherë ka kërkuar ruajtjen e saj.

“Kam parë piktura atje që tani janë zhdukur dhe kam bërë fotografi të gjërave që nuk ekzistojnë më. Gjatë viteve, kam parë se si barinjtë dhe njerëzit e tjerë shkonin dhe strehoheshin nga stuhitë në kishë. Ata dëmtonin pa ndonjë arsye afresket e shekullit XVI  – përfshirë ato të Jezusit, Shën Mërisë dhe apostujve. Ua gërvishtnin sytë me objekte të mprehta, me pretendimet se ndiheshin sikur po vëzhgoheshin nga këto figura, dhe kjo i trembte ata”.

Një nga misteret dhe veçantitë e mëdha të kishës është pishina e vendosur në dyshemenë e saj, e cila për pjesën më të madhe të vitit është e mbushur nga uji i shiut.

“Një teori që del gjatë hulumtimeve për kishën dhe përdorimin e saj, është se, kur ishte e mbushur me ujë, një kalorës në kalin e tij do të hynte brenda dhe duke qenë në të njëjtën lartësi me priftin, do të bekohej ndërsa qëndronte në ujërat e shenjta”, ka thënë Salvador Vaquero nga grupi për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë, “Natura 2000”. 

“Ky është një ritual i pazakontë dhe një mënyrë për të dhënë bekime, që thekson sa e veçantë është kjo ndërtesë dhe sa e nevojshme është ruajtja e saj”.

Një nga misteret dhe veçantitë e mëdha të kishës është pishina e vendosur në dyshemenë e saj, e cila për pjesën më të madhe të vitit është e mbushur nga uji i shiut

Për José Julio García Arranzan, i cili jep lëndën e historisë së artit në Universitetin e Extremaduras, veprat e artit të kishës janë po aq të rëndësishme sa struktura dhe përdorimi i saj. Afresket, shtoi ai, ofrojnë një imazh nga bota e njeriut që i pikturoi ato.

“Juan de Ribera është piktori i vetëm i muraleve të asaj kohe, të cilin ne e njohim pak për veprat e tij dhe disa detaje biografike”, ka thënë ai. “Muralet janë një pasqyrë shumë e mirë e mendësisë së popullsisë lokale atëkohë. Megjithëse ato karakterizohen thellësisht nga dimensioni i tyre fetar, mund të shihni gjithashtu disa shenja të modernitetit humanist – siç janë fëmijët e zhveshur në tavanin me harqe – dhe në disa nga detajet e tjera dekorative, të cilat na flasin për ndikimin italian dhe për një pamje të caktuar moderne”.

Corrales Gaitán, i cili pranon se thuajse kishte humbur çdo shpresë që kisha mund të shpëtohej dhe i dukej si një mision i pamundur, u jep pak rëndësi thashethemeve lokale, që vendi mund të ruajë gjithashtu thesare të fshehura.

“Shikoni, kam shkuar atje që nga viti 1980 dhe gjëja e vetme me vlerë që kam gjetur është vetë ndërtesa dhe pikturat e saj të mrekullueshme”, ka thënë ai. 

Thesari i vërtetë i kishës “Ermita de San Jorge”, qëndron në bukurinë dhe qetësinë e saj të shenjtë.

“Në çfarëdo kohe të vitit që shkoni, dimër, pranverë apo verë, heshtja që ndjeni atje – brenda kishës dhe jashtë saj – sjell një lloj paqeje. Thithni paqe. Pastaj imagjinoni të jeni brenda të rrethuar nga të gjitha ato piktura të shenjta. Duhet të ketë qenë një parajsë e vogël e paqes dhe qetësisë. Imagjinoni të qëndronit atje për një ditë ose dy, ndërsa prisnit shokët tuaj për të shkuar bashkë në betejë, ose në ndonjë aventurë tjetër”.

Ajo që është dukshëm e dhimbshme, janë shekuj të tërë të neglizhencës dhe dëmtimit nga uji, që kanë shkatërruar si strukturën e kishës ashtu edhe pikturat e saj