Kulturë

Besa – gur themeltar i marrëdhënieve shqiptaro-izraelite

Kombi shqiptar, në Izrael nderohet dhe i njihet kontributi i dhënë për shpëtimin e hebrenjve në periudhën më të errët të njerëzimit në kohët moderne. Zbulimi i fenomenit shqiptar të Besës është histori e veçantë. Shembujt janë me mijëra. Ishte Besa shqiptare ajo që shpëtoi dhe i njohu me njëri-tjetrin shumë kohë më parë. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit është kapitulli i radhës

Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, pa dyshim që është një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe popujve. Ajo solli vëmendjen për marrëdhëniet e veçanta në periudha të ndryshme të historisë. Historikisht komunikimi mes nesh ka filluar shekuj më parë, por janë rrethanat e ndryshme historike, veçmas ato të shekullit të 20-të të cilat vënë në pah një raport të veçantë. Andaj, duhet theksuar se gur themeli i marrëdhënieve tona është pikërisht sjellja shembullore e kombit shqiptar gjatë Holokaustit, prandaj shpëtimtarët e hebrenjve me të cilët mburremi meritojnë nderimin e përhershëm.

Shqiptarët ndihen krenarë për veprën më njerëzore që njeh historia, ngaqë kombi shqiptar i ka shpëtuar ata që përndiqeshin nga nazistët dhe aleatët e tyre. Kombi shqiptar është i vetmi në botë, i cili në mënyrë të organizuar ka mundësuar dhe siguruar shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, dhe për këtë vepër fisnike bota di shumë pak. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka njohur antisemitizmin dhe është i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numër më të madh të hebrenjve, sesa para luftës. Andaj sot, kombit shqiptar i njihet kontributi i dhënë për shpëtimin e hebrenjve të përndjekur, e rrjedhimisht për themelimin e shtetit të Izraelit.

“Toka e premtuar” për hebrenjtë

Megjithëse me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe me hapjen e arkivave shtetërore kjo histori nisi të ndriçohej, një pjesë e madhe e saj, e panjohur deri atëherë, për kontributin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë sovrane në shpëtimin e hebrenjve, kishte mbetur e pazbuluar dhe nisi të zbulohej vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Shumica e hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri nuk kanë qenë lokalë. Ata kishin ardhur aty prej ndonjë vendi tjetër. Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore jetonin rreth 200 hebrenj, ndërsa pas përfundimit ky numër zyrtarisht është dhjetëfishuar, duke arritur në mbi 2000, por jozyrtarisht mendohet se numri është edhe më i madh. Pas hulumtimeve të tjera që janë bërë, ka filluar të vërtetohet se numri më i madh i hebrenjve që kanë shpëtuar në Shqipëri kishin kaluar pikërisht nëpër Kosovë dhe trojet e tjera etnike shqiptare në Ballkan.

Ishin pikërisht shqiptarët e Kosovës, të cilët përkundër faktit që Kosova ishte nën pushtimin italian e më pas atë nazist gjerman, ata të cilët i kishin ndihmuar hebrenjtë të kalojnë të sigurt në Shqipëri, nisur nga fakti që vinin nga shtetet e tjera si Serbia, Maqedonia, Bullgaria, apo edhe më larg. Shqipëria shihej nga hebrenjtë në Ballkan, por edhe më gjerë, në Evropë si “toka e premtuar”, vendi ku ata nuk do të përndiqeshin. Të gjendur në situatën më të rrezikshme, shqiptarët e Kosovës dhe në trojet e tjera etnike shqiptare në Ballkan, megjithatë ia dilnin që t’u ndihmonin miqve të tyre të strehuar, me gjithë pushtimin.

Rolin kryesor në shpëtimin e hebrenjve e ka luajtur Besa, dhe përkundër faktit që në zonat përreth ishte i njohur fakti se në një shtëpi të caktuar kishte hebrenj të strehuar, nikoqiri i tyre në asnjë formë nuk tradhtohej apo “pritej në besë”. Strehimi dhe udhëtimi për në Shqipëri ishin të organizuar dhe bëheshin në dy forma, përmes rrugës së zakonshme automobilistike, duke kaluar kufirin me Shqipërinë, me dokumente false të siguruara paraprakisht nga nëpunësit e administratës së kohës, që gjithashtu i ishin bashkuar kësaj iniciative fisnike, meqë “miqtë” ishin në Besë. Mënyra tjetër ishte përmes rrugëve dhe shtigjeve malore. Fakti tjetër që vërteton se strehimi dhe shpëtimi ishin të organizuar nga individë të caktuar, është se hebrenjtë nuk braktiseshin pas hyrjes në territorin e Shqipërisë, por atyre u sigurohej strehimi, madje edhe vendet e punës. Kamuflimi i tyre ishte i përsosur. Çështja e bashkëpunimit të shqiptarëve të Kosovës me pushtuesit, fillimisht italianë e më pas gjermanë, vazhdon të diskutohet në qarqe të caktuara. Megjithëse, rrethanat komplekse në të cilat gjendej Kosova krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme, historiani britanik Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova: Një histori e shkurtër” (fq. 303, paragrafi II) shkruan: “Pjesën më të madhe të Kosovës, në të vërtetë, e patën pushtuar trupat gjermane, mirëpo në një takim të ministrave të punëve të jashtme të Italisë e Gjermanisë në Vjenë, më 21 prill, ishte arritur marrëveshja që pjesa më e madhe e këtij territori të banuar me shqiptarë të vihej nën pushtetin italian dhe të bashkohej me Shqipërinë, me qëllim që të parandalohej shndërrimi i irredentizmit të shqiptarëve etnikë në një lëvizje shtytëse të rezistencës antigjermane”, duke sqaruar kështu nivelin e bashkëpunimit që kishin shqiptarët e Kosovës me pushtuesit.

Izraeli prej vitesh njeh kontributin e shqiptarëve

Kombi shqiptar nderohet në Izrael dhe i njihet kontributi i dhënë në periudhën më të errët të njerëzimit në kohët moderne. Zbulimi i fenomenit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve është histori e veçantë.

Më 1990, ish-kongresisti amerikan, Jospeh Dioguardi, dhe kongresisti i ndjerë amerikan, Tom Lantosh, ishin zyrtarët e parë amerikanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë gjatë periudhës komuniste. Ata janë takuar atje me diktatorin Ramiz Alia. Ky i fundit u prezantoi dokumente të panjohura për opinionin për të gjithë hebrenjtë, që kanë qenë të strehuar në Shqipëri dhe nuk kanë qenë të persekutuar. Dy zyrtarët amerikanë, pastaj, i dërguan ato në institutin përkujtimor “Yad Vashem” në Izrael tek e vërtetuan autenticitetin e tyre. Prej atëherë ka filluar të bëhet i njohur fenomeni që shqiptarët si komb kanë strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kontribut të jashtëzakonshëm vazhdon të japë Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me z. Joseph DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardin, të cilët angazhohen fuqishëm, në mënyrë që kjo vepër e kombit tonë të sensibilizohet para opinionit botëror. Ndërsa në Kosovë ishte znj. Xhangyle Ilijazi, aktivistja e parë që në vitet ‘80 filloi të hulumtojë dhe regjistrojë faktet mbi fenomenin unik të shqiptarëve të Kosovës të cilët i strehuan hebrenjtë gjatë periudhës më të errët të njerëzimit në kohë moderne, Holokaust. Por mundësi të reja për zbulimin e këtij fenomeni u krijuan vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë. Pasi që deri atëherë historia e shqiptarëve të Kosovës ishte keqinterpretuar dhe ishte keqparaqitur nga të tjerët. Në vitin 2005, bashkë me të ndjerin Mustafë Rezniqi, si dhe me veprimtarë të tjerë dhe anëtarë të familjeve të tjera shqiptare të Kosovës që kishin strehuar hebrenj gjatë Holokaustit, themeluan shoqatën e miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, qëllimi kryesor i së cilës është hulumtimi, zbulimi, regjistrimi, dokumentimi dhe publikimi i të gjitha fakteve mbi shpëtimin dhe strehimin e hebrenjve gjatë Holokaustit në Kosovë dhe në Ballkan. Deri më tani janë dy familje kosovare të cilave u është akorduar titulli “Fisnik mes kombeve” nga Yad Vashemi. Pas Asllan Rezniqit më 2008, ishte familja Sharri, respektivisht Faik dhe Sabrije Sharri të cilët pas vdekjes u dekoruan me këtë titull. Ata kishin shpëtuar hebrenj, ndërsa kontributi i tyre u njoh falë punës dhe angazhimit të pasardhësve, përkatësisht të bijës, Bediha Sharri-Mustafa, për gjetjen e fakteve për ngjarjen e ndodhur në familjen e saj.

Fenomeni i Besës nëpër botë

Një nga ngjarjet më të mëdha përmes së cilës opinioni botëror filloi të mësonte për këtë pjesë të historisë sonë, ishte pikërisht hapja e ekspozitës “BESA”, e fotografit të ndjerë Norman Gershman, i cili me mbështetjen e LQSHA-së dhe shoqatës sonë realizoi ekspozitën unike të shpëtimtarëve të hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë. Si pjesë e këtij projekti, anëtarët e familjeve shpëtimtare shpalosën për herë të parë dhe lirshëm historitë e familjeve të tyre dhe kontributin e paraardhësve për shpëtimin e hebrenjve.

Megjithatë, si një margaritar i tërë punës së vazhdueshme për zbulimin e kësaj pjese të historisë sonë, është edhe shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Senatin Amerikan në Washington DC, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pikërisht më 28 Nëntor 2012. Prania e kongresistëve dhe e senatorëve bëri që ngjarja të kishte jehonë të madhe në mbarë opinionin botëror. Më duhet patjetër të veçoj edhe momentin e takimit të ish-kongresistit Joseph DioGuardi me të ndjerin Papa Gjon Palin e Dytë në Vatikan, kur në një audiencë i kishte treguar drejtpërdrejt për historinë e shpëtimit të hebrenjve tek shqiptarët.

Shoqata e miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, me seli në Prishtinë, angazhohet që kjo vepër e madhe humane e kombit tonë të mos harrohet, gjithmonë duke punuar në hulumtimin e familjeve të tjera, të cilat kanë strehuar hebrenj gjatë Holokaustit. E problemi kryesor me të cilin ballafaqohemi është mungesa e fakteve, pasi që në atë kohë të vështirë, siç edhe e do tradita shqiptare, kur një mik gjendet në vështirësi dhe ndihmohet, atij natyrisht nuk i kërkohet “që në letër ta shkruajë që ia shpëtoi jetën”, e lëre më t’i kërkohet kompensim material. E, sot, historia, pas pothuajse 75 vjetësh, i kërkon këto fakte, e ne po mundohemi të bëjmë gjithçka që të arrihet kjo.

Autori është magjistër i arkivistikës, gazetar, stërnip i Arsllan Mustafa Rezniqit, shqiptarit të parë të Kosovës të dekoruar si “Fisnik mes kombeve” nga shteti i Izraelit, dhe është sekretar i shoqatës së miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, me seli në Prishtinë.