Kulturë

“Beko & Friends” në ritëm për talente të reja

"Beko&Friends"

Me koncert live në “DefyThem” është përuruar albumi “Beko & Friends”, i cili bën bashkë tetë artistë. Një projekt si ky iniciuar e realizuar prej bateristit, kompozitorit e tekstshkruesit Bekim Këpuska, ua hap dyert talenteve të reja

Janë tetë talente të reja që synojnë ta zënë ritmin në skenën e muzikës në Kosovë. Edhe pse secili nga ta i orientuar në zhanre e stile të ndryshme këndimi, bashkë i bëri artisti Bekim Këpuska. Albumi “Beko & Friends” vjen si një pasaportë e këtyre tetë artistëve që e njofton publikun me potencialin dhe talentin e tyre teksa synon t’u hap rrugë. Ndërkaq vetë Këpuska, si kompozitor dhe tekstshkrues  i 11 këngëve që zënë vend në këtë album, u bë krah atyre duke ua mundësuar disave nga ta të shkelin për herë të parë studiot muzikore.

Si profesor i baterive, idenë e një albumi të tillë do ta bluante në kokë prej vitesh. Kaherë kishte qenë  i afërt me talente të reja në muzikë e në të njëjtën kohë kishte piketuar emra të përveçëm. Por mbi të gjitha kishte evidentuar nevojën e tyre për mbështetje. Kjo ide e tija do të kthehej në projekt konkret, për t’u realizuar për një vit e pak punë dhe të mërkurën mbrëma u kurorëzua me një koncert që për motiv parësor ka pasur lansimin e këtyre artistëve premtues dhe punës së tyre me albumin “Beko&Friends”.

Nikoqir i këtij koncerti krejt të veçantë ishte qendra kulturore e muzikës alternative “DefyThem”, ndërkaq publiku i dendur nga miq, familjarë e mbështetës të këtyre artistëve të rinj plot entuziazëm priste performancën.

Elona Sadiku, Auron Deva, Vlera Firza, Ëmbla Aliu, Ermal Demiri, Rita Hyseni, Troja Bicurri dhe Dhjetori qenë artistët të cilët u prezantuan secili veç e veç me nga një këngë origjinale, të cilat si stil anonin më shumë nga zhanret e muzikës pop dhe rock.

Mbrëmjen e hapi Auron Deva. I riu i talentuar ishte njohur me skenat e mirëfillta në tetor të vitit të kaluar. Në edicionin e parë historik të Festivalit të Këngës në RTK, Deva edhe pse ende në hapat e afirmimit, ishte vlerësuar i denjë për në finalen e festivalit me këngën e tij, “Çmimi i dashurisë”.

Me guxim dhe paraqitje plot vetëbesim në skenën e “DefyThem”, Deva sërish shpalosi talentin e tij. Fill pas tij erdhi dhe performanca e Vlera Firzës me këngën “Në përjetësi”. Vokali me timbër unik e bëri për vete publikun me të parën.

Pak momente para se të niste koncerti, Këpuska ka ndarë disa detaje pas idesë së tij, procesit të punës dhe mesazhit që ai mëton të transmetojë nëpërmjet kësaj iniciative.

“Ka disa vjet që jam marrë me krijimtarinë e muzikës për këtë projekt, por  i erdhi momenti që ta realizoj, gjeta përkrahjen edhe te MKRS-ja, kështu që i kam gjetur talentet e duhura dhe e realizuam ne mënyrën më perfekte. Gati një vit ka zgjatur, që nga qershori i vitit të kaluar dhe tash e kurorëzuam me një koncert në ‘DefyThem’. Zhanri është pop-rock. Unë jam edhe profesor i baterive dhe kam kontakt më të rinj dhe fëmijë tërë kohën, e gjej inspirimin te ta, rinohem dhe kështu kam ardhur edhe tek ideja që me kriju një album me këngëtarë të ndryshëm të moshave të reja”, ka thënë Këpuska në një prononcim për KOHËN.

Dhjetori me paraqitjen e tij karizmatike në skenë u pasua nga Elona Sadiku, Ëmbla Aliu, Ermal Demiri, Rita Hyseni dhe Troja Bicurri, si më e reja e këtij grupi. Secili botë më vete dhe me nga një detaj që i dallonte nga tjetri qenë tregues se ata janë në rrugën e duhur për të gjetur identitetin e tyre artistik.

“Në përjetësi”, “Trëndafili”, “Rrugë”, “Bora ngrica” me tekst nga Chip Deva dhe “Ndër yje” me tekst të Aida Jaminit,  ishin vetëm disa nga këngët e performuara, por në fund të koncertit që zgjati një orë tetëshja vulosi performancën me një këngë në grup që e kënduan krejt bashkë.  Si e tillë kjo këngë del të jetë ajo e cila edhe pse secili nga ta dallon nga njëri-tjetri, i bën bashkë në një kauzë të vetme. Njëzëri u thonë “Boll më” mundësive të cunguara për artistët e rinj.

“E përbashkëta jonë besoj që mundet të shprehet me këngën e cila shpreh se si artistët ne Kosovë e kanë shumë të vështirë depërtimin në biznesin e muzikës. Kjo na bashkon – fakti se secili po mundohet t’i tejkalojë ato pengesa dhe të dalë sa më i fortë me muzikën tonë jo vetëm tash, por edhe në përgjithësi”, është shprehur Vlera Firza.

Regjistrimi i këngës në një studio kishte qenë eksperiencë e veçantë, ndërsa nëpërmjet kësaj kënge ata e japin mesazhin e tyre qartazi.

Edhe për Endrit Krasniqin, emri artistik i të cilit është Dhjetori, kjo eksperiencë ishte e veçantë, ani pse për dallim nga kolegët e tij, ai ka eksperiencë në regjistrim këngësh. “Once upon a star” është albumi i tij i parë që u publikua vitin e kaluar.

“Kur  e kemi realizuar këngën ‘Boll mo’ ka qenë eksperiencë interesante, kemi qenë 7-8 artistë duke pritur për të hyrë në një studio të vogël, duke pritur në radhë për të regjistruar zërin. Këngët që i ka shkruar Beka secila nga to e ka nga një ndjenjë të veçantë, sidomos kënga e fundit ‘Boll mo’, e cila na jep këtë mesazh të protestës. Ne artistet e rinj nëse duam të qëndrojmë këtu, ky vend duhet të na japë mundësi”, ka thënë Dhjetori.

Gjatë gjithë koncertit publiku nuk rreshti duke u dhënë atyre mbështetje me ovacione dhe duartrokitje të vazhdueshme. Tekstet dhe këngët e shkruara nga Bekim Këpuska nën përcjellje të bendit nga instrumentistë si Engjëll Blaku, Genc Hajrizi, Urim Maliqi, Valdrin Maxhuni, dhe Shpëtim Smolica u dhuruan liri dhe rehati maksimale interpretuesve.

Për Elona Sadikun, ky koncert është i veçantë. Ka thënë se ndihet e vlerësuar dhe falënderuese për këtë mundësi që iu ofrua.

“Për arsye se është kënga ime e parë në kuadër të këtij projekti, ta këndoj live atë me bendin është një emocion i papërshkrueshëm dhe jam e gëzuar që jam pjesë e këtij projekti”, ka thënë ajo, duke shtuar se edhe pse studion për muzikë klasike, pop-muzika i pëlqen dhe do të vazhdojë të eksperimentojë me të.

Emocionuese dhe ndjesi krejt ndryshe nga herët e tjera ishte edhe për Ermal Demirin, i cili u paraqit në koncert me këngën “Ndër yje”. 

“Për mua si artist i ri, kur më është prezantuar si projekt e kam pranuar me shumë qejf, sepse kam dashur ta provoj veten në mënyra të tjera, më ndryshe. Ka dalë diçka shumë e bukur dhe falënderimi shkon për Bekën, për këtë projekt aq të bukur që na ka mundësuar ta realizojmë”, ka thënë Demiri për KOHËN.

Si shumë të nevojshëm modelin e projekteve të tilla e konsideroi edhe sopranoja kosovare, Urta Haziraj, e pranishme në publik.

“Një koncert i tillë i duhet krejt Kosovës, të gjitha  këngët ishin  të kompozuara shumë bukur dhe i përshtateshin karakterit të secilit prej këngëtarëve. Ishte një ngjarje shumë e lezetshme”, ka thënë  Haziraj duke thënë se shpreson se iniciativat e tilla do të jenë më të shpeshta për talentet e reja.

Albumi me 11 këngët është lansuar edhe në kanalin e “Beko & Friends” në YouTube, teksa ky formacion ka premtuar që ky projekt nuk do të jetë i fundit.