Kulturë

“Bekime dhe mallkime” bashkon krijimet poetike popullore

Bekime dhe mallkime

Në “Bekime dhe mallkime” të Vlora Nikçit mblidhet opusi i trashëgimisë gojore shqiptare. Poezitë aty janë koleksione të pasurisë së lashtë shpirtërore që përcillen te brezat e sotëm. Aty është edhe erotika, mitologjia e besëtytnia. Vepra e aktores Nikçi është promovuar të hënën mbrëma në Prishtinë. 

Ambienti i mensës “Ramiz Sadiku” ka qenë i mbushur për atë që është konsideruar si festë e librit. Mysafirët janë pritur nën ritmet e kitarës nga Florin Fanaj e Florent Abrashir dhe perkusionistit Ferdi Fanaj në atmosferë të ngrohtë e të hareshme. Paneli i diskutimit për librin ka qenë pjesa qendrore. 
Shkrimtarja e botuesja Rita Petro, studiuesi Sali Bytyqi e vetë Nikqi që ka mbledhur poezitë e librit “Bekime dhe mallkime”, kanë qenë pjesë e panelit. 

Petro ka thënë se libri është vlerë e shtuar e të gjitha botimeve që janë bërë për trashëgiminë kulturore. 

“Ky libër në fakt erdhi si një bashkëpunim i parë me Vlorën dhe që unë nuk e dija që do ishte një punë shumë e vështirë, pak e komplikuar, sepse Vlora është shumë detajiste. Donte të merrte pjesë në gjithçka. Ne botojmë shumë libra, por nganjëherë autorët thonë ‘bëni çfarë të doni, kemi besim te ju’. Jo pse Vlora nuk kishte besim, por donte t’i qëndronte librit me patjetër, pos pjesës së përmbajtjes, edhe dizajnimit”, ka thënë ajo. 

E ka konsideruar si pasuri të madhe gjuhësore ku mund të shihen traditat e mrekullueshme shqiptare. 

“Është një libër me shumë vlerë, që duhet ta kenë bibliotekat tona. Ne jemi mësuar me mbetjet e trashëgimisë kulturore patjetër, por në përgjithësi bekimet dhe mallkimet kanë qenë të përfshira si kapituj më vete. Vlora sjell diçka tejet të veçantë, i sjell ato si libër më vete dhe secila prej tyre është një roman më vete”, ka thënë Petro më tej, e cila është edhe botuese e librit të Nikçit. 

Sipas studiuesit Sali Bytyqi, misioni i Nikçit me këtë vepër ka qenë të kontribuojë në literaturën me të cilën dokumentohet tradita shqiptare. 

“Vlora gjithë këtë punë e ka bërë vetëm nga dashuria për etninë e saj, për ne shqiptarët. Bekimet dhe mallkimet shprehin dy anët e kundërta të njësisë së jetës që shënjojnë kompleksitetin e të jetuarit të njeriut në këtë kohë të së mirës dhe të së keqes. Në mes të së bukurës dhe të shëmtuarës.

Kompozicione në mes të së mirës dhe të së keqes, në estetikë, populli e ka shënjuar përmes bekimeve dhe mallkimeve të cilat Vlora Nikçi i ka bërë bashkë në një libër, i cili tanimë është para nesh”, ka thënë ai. 

Ka bërë të ditur se libri ndahet në dy pjesë: “Bekime dhe mallkime” dhe “Mallkime dhe bekime”. Sipas tij, përbëjnë dy tërësi të barabarta që qëndrojnë si dy libra. 

“Në librin e Vlora Nikçit, këto çështje etike dhe estetike janë shprehur përmes frazeologjizmave dhe anekdotave popullore. Këto shprehin kompozicione në mes të së bukurës dhe të së shëmtuarës. Të bukurën, njeriu që në fillim të jetës së tij në këto hapësira e ka bekuar me fjalët më të bukura, përkundrazi, të ndytën, të shëmtuarën, e ka mallkuar me fjalët më të rënda. Përveç bekimeve e mallkimeve në këtë libër ka edhe besëtytni”, ka thënë Bytyqi më tej. 

Nikçi fjalën e ka nisur me nderimin për profesorin e ndjerë Isuf Dedushaj, epidemiologun e parë në Kosovë, që vdiq më 1 shkurt në moshën 73-vjeçare. Në promovim, vepra e tij është nderuar me një minutë heshtje. 

“Në librin tim ‘Bekime dhe mallkime’ kanë punuar shumë njerëz brenda tij. Një ndër ta, që me shumë dëshirë priste ditën e sotme ka qenë edhe profesori ynë Isuf Dedushaj. Ai iku para dy ditëve dhe sot nuk është me ne. Për respekt të punës së tij madhore si profesor e patriot, do ta mbajmë një minutë heshtje”, ka thënë Nikçi.

Mallkimet e bekimet popullore në libër lidhen me mitologjitë, besëtytnitë e me motive religjioze. 
Libri ka qenë edhe një lloj homazhi për shkrimtarin e studiuesin e disa disiplinave albanologjike, Sadri Fetiun, me të cilin Nikçi kishte nisur ta punonte këtë botim. 

“Pas librit erotik kam pasur një bashkëpunim shumë të madh me prof. Dr. Sadri Fetiun. Ishte ideja dhe shtytja e tij që unë ta bëj ‘Bekime dhe mallkime’. Ai e nisi me mua, më tha ‘meqë i njeh gjithë këta njerëz të këtyre trevave, mos u ndal, bëje edhe këtë’. E filluam bashkë. Pas një viti edhe ai shkoi në botën tjetër dhe pastaj mbeta vetëm”, është shprehur Nikçi në panel, para të pranishmëve. 

Fetiu vdiq më 10 maj 2021 dhe “Bekime dhe mallkime” është dedikim për të. 

“Për Prof. Dr. Sadri Fetiun, burrin patriot dhe intelektual. Faleminderit!”, shkruhet në fillim të librit. 
Nikçi ka thënë se pjesën e mbetur e ka përfunduar me akademikun, etnologun e historianin e letërsisë, Shaban Sinani. 

“Të them të drejtën më nuk e bëra asnjë hap, thashë se pa të nuk mund të bëj gjë, nuk mund t’ia dal vetëm. Ai ishte shtyllë kryesore i këtij libri. Shkova në Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe u takova me Shaban Sinanin dhe ia tregova krejt historinë. Ai më tha vazhdoje, plotësoje dhe po e përfundojmë bashkë. Kështu që me zotëri Shabanin e përfunduam atë që e nisëm me Sadri Fetiun, prandaj edhe libri i kushtohet atij. Sepse ai e nisi i pari”, ka shpjeguar ajo më tej. 

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se materialet janë thesare të trashëgimisë shpirtërore. 

“Jam shumë i gëzuar që jam këtu sërish, në një punë të radhës të Vlorës, në gërmimet e saj në thesarë shumë të pasur të shpirtërores sonë. Natyrisht këto janë punë me shumë vlerë, sepse dokumentojnë dhe edukojnë e lënë gjurmë shumë të rëndësishme në kuptimin e studimeve, por edhe të mbamendjes së përgjithshme të shoqërisë sonë”, ka thënë ministri Çeku.

Vlora Nikçi, bashkë me aktorët Arta Muçaj, Armend Baloku, Bislim Muçaj, Xhejlane Tërbunja, Lulzim Bucolli dhe Donika Ahmeti, kanë interpretuar poezitë e librit “Bekime dhe mallkime”. Ato dëshmohen për foljet e gegërishtes në mënyrën dëshirore. Mallkimet e bekimet gërshetohen në vargje, shpesh të shoqëruara nga humoreska.