Kulturë

Bekim Fehmiu i rikthehet Prizrenit si kolos në 66 minuta rrëfim

Premiera për Kosovë e dokumentarit kushtuar Bekim Fehmiut është realizuar në Prizren. Nën regji të Valmir Tertinit, ky film pasqyron figurën e njërit prej aktorëve më të mëdhenj shqiptarë, që nga rrethi i tij është vlerësuar si artist me plot kuptimin e fjalës, por edhe njeri me karakter të fortë dhe pa kompromis në punën e tij profesionale. Në 66 minuta, dokumentari, siç ka thënë skenaristi Fahri Musliu ia kthen Prizrenit “Bekimin jo me hirin e trupit siç ka ndodhur në qershor të vitit 2010, por Bekimin dhe jetën e tij me rrëfimet, tregimet e 22 personaliteteve që paraqiten në film”

Puna disavjeçare për pasqyrimin e jetës dhe punës së aktorit të ndjerë më famë botërore, Bekim Fehmiu, është shpalosur të Prizren. Pas premierës në Tiranë, dokumentari kushtuar Bekim Fehmiut, nën regji të Valmir Tertinit, të martën mbrëma është takuar me publikun në Kosovë duke sjellë në ekran të madh pamje nga shumë projekte filmike të tij, arkiva nga prapaskenat, të plotësuara me intervistat e familjarëve, bashkëpunëtorëve profesionistë e miqve të ngushtë. Kësisoj, është pasqyruar figura e njërit prej aktorëve më të mëdhenj shqiptarë, i cili nga rrethi i tij është vlerësuar si artist me plot kuptimin e fjalës, por edhe njeri me karakter të fortë dhe pa kompromis në punën e tij.

Regjisori Valmir Tertini, ka thënë se ideja për realizimin e këtij dokumentari ka lindur në vitin 2018, gjatë një takimi me skenaristin e filmit, Fahri Musliu. Sipas tij, realizimi i këtij projekti është përcjellë me sfida, por në fund është kurorëzuar me prezantimin e karakterit të aktorit me nam.

“Realizimi i dokumentarit ishte një sfidë e madhe, po ashtu do ta quaja edhe një studim të jashtëzakonshëm, sepse kur interviston shumë njerëz, edhe kur merr të dhëna nga arkivi, ti fillon dhe e zhvillon karakterin e tij, dhe po ashtu shihet edhe në dokumentar plotësisht karakteri i Bekim Fehmiut", ka thënë Tertini.

Image
Regjisori Valmir Tertini, ka thënë se ideja për realizimin e këtij dokumentari ka lindur në vitin 2018, gjatë një takimi me skenaristin e filmit, Fahri Musliu

Skenaristi i dokumentarit, gazetari Fahri Musliu, njëherësh autor i monografisë për Bekim Fehmiu, ka theksuar se filmi është finalizuar pas katër vjetësh punë e sakrificë dhe pa përkrahjen institucionale në Kosovë. Sipas tij, ky dokumentar u shërben gjeneratave më të moshuara që ta kujtojnë aktorin që ka arritur majat e kinemasë botërore dhe për gjeneratat e reja që të mësojnë më shumë për jetën e veprën e tij.

“Kemi të bëjmë me një film dokumentar të metrazhit të gjatë, ku përmblidhet jeta dhe vepra e Bekimit, kuptohet në pika të shkurtra, sepse për 66 minuta nuk mund të përmblidhet jeta e Bekimit, e cila ka qenë bukur e madhe. Mirëpo, jemi munduar që megjithatë, ta prezantojmë Bekimin në një formë tjetër, jo në totalin e plotë, por total më të vogël, sepse të bësh film për Bekimin është përgjegjësi bukur e madhe, është problem, sepse Bekimi ka qenë një figurë komplekse, një erudit, një poliglot, një aktor i formatit ndërkombëtar, shumë i madh me famë botërore”, ka thënë Musliu.

Ka shtuar se synim me dokumentar ka qenë prezantimi i Fehmiut në këtë format.

"Me ia kthye Prizrenit Bekimin jo me hirin e trupit siç ka ndodhur në qershor të vitit 2010, por Bekimin dhe jetën e tij me rrëfimet, tregimet e 22 personaliteteve që paraqiten në film e që flasin për Bekimin", ka thënë Musliu.

Producenti i dokumentarit, Jaklid Gace, ka theksuar se realizimi i këtij dokumentari nuk ka qenë proces i lehtë.

“Ta bësh një vepër për Bekimin është tmerrësisht e vështirë. Jemi munduar jashtëzakonisht të gjithë së bashku për ta arritur një rezultat”, ka thënë Gace.

Drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, Burim Mustafa, ka vlerësuar se në këtë mënyrë figura e aktorit të madh prezantohet për një publik më të gjerë.

“E përgëzoj ekipin e filmit, duke filluar prej Fahri Musliut, i cili ndër vite ka hedhur dritë mbi figurën e Bekimit, një kolosi të madh të artit të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, edhe është shumë mirë që vepra e tij tash u kthye edhe në film edhe është e pranishme për një publik më të gjerë dhe mbetet si dëshmi për punën e tij”, ka thënë Mustafa.

Aktori prizrenas, Xhevdet Doda, ka shprehur bindjen se gjithmonë është punë e vështirë trajtimi i figurave të tilla botërore dhe ndërtimi i dokumentarëve për ta.

“Çdoherë arti i ka këto, që artistikisht nuk përfundojnë dëshirat, edhe mundësitë. Është e lehtë me pa diçka, edhe më thënë: ‘Unë do ta bëja ndryshe’. Por sidoqoftë i përgëzoj. Sonte është një rast i veçantë që në mungesë institucionale, jo vetëm për z. Bekimin, por për figurat e ndritshme që kanë dhënë kontribut qoftë në art, qoftë në lëmenj të tjerë, duhet t’i përkujtojmë nëpërmjet dokumentarëve që të mos harrohen. Fatbardhësisht ekzistojnë dokumentarët”, ka thënë Doda.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë në vitin 1936 nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filma si “Aventurieri”, “Të kuqtë dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987, Fehmiu braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke i dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Në vitin 2010 ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumëbardhin e Prizrenit. Edhe bashkëqytetarët e tij patën nderuar figurën e tij me hedhjen e luleve të freskëta nga Ura e Gani Tadës. Dashamirët e Fehmiut edhe në përvjetorë të tjerë të vdekjes së tij patën hedhur lule në lumë në shenjë nderimi.