Kulturë

Bashkim kombëtar sa për fushatë

Herë e propagandojnë si union të mundshëm ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, e herë si bashkim kombëtar. Varësisht se kush flet e ku flet. Krejt kjo në mungesë të një plani a strategjie të shtjelluar hollësishëm prej pikënisjes e deri në pikësynim. Me kryerjen e fushatës, bashkë me sloganet e posterët kuqezi, pas dore lihen edhe zotimet zhurmëmëdha

Fushata zgjedhore gjithnjë zmadhon thirrjet për bashkim kombëtar. Gjithsecila parti bën hesapet e veta politike në emër të ëndrrës së shqiptarëve për një shtet të vetëm shqiptar.

Domosdoshmëria për mbështetje për ta kaluar pragun zgjedhor u bë edhe me thirrjen “Me çlirimtarët”, shoqëruar me flamurin kombëtar e atë të Kosovës krah për krah. Një parti tjetër pos zotimit për “Rimëkëmbje”, i mbajti tubimet me sloganin “Liria ka emër”, bashkë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në banerë e në maska në fushatë, ku politikanëve iu ranë maskat në raport me ligjin. E treta, thirrjen për bashkim kombëtar e ka kthyer në kërcënim të pretenduar kundrejt Perëndimit nëse Kosovës nuk i përshpejtohet integrimi në Bashkimin Evropian e në NATO, ku ende ka shtete që nuk ia njohin shtetësinë.

Herë e propagandojnë si union të mundshëm ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, e herë si bashkim kombëtar. Varësisht se kush flet e ku flet. Krejt kjo në mungesë të një plani a strategjie të shtjelluar hollësishëm prej pikënisjes e deri në pikësynim.

Të tjerët i janë kthyer “Shtetit, shtet” – gjuhësisht shkruar gabimisht në sloganin zyrtar “Shteti. Shtet”. “Shtet. Ndërtuesit” – gjithashtu me shqipe të gabuar gramatikisht – rivalizon “Shteti(n). Shtet” brenda të njëjtit koalicion parazgjedhor. E partia që i fitoi zgjedhjet, e para e futi çështjen e bashkimit kombëtar në diskursin zyrtar të politikës kosovare, por në këto zgjedhje më së paku foli për ëndrrën që thelbësonte betimin e ushtarëve të UÇK-së. Megjithatë, e kuqja dominoi dekorin e marsheve në rrugë me mijëra mbështetës në kohë pandemie. “Republika e tretë” është kthyer në një prej shprehjeve më të preferuara të partisë më të madhe që dikur nuk e njihte as “republikën e dytë” të 17 shkurtit të 2008-s.

Dhe derisa në Kosovë pati një kakofoni fushate, Shqipëria zyrtare heshti. Sigurisht, Tirana e vetëdijshme se “bashkimet kombëtare” zihen zëshëm ngoje në Prishtinë kur liderët e ndiejnë krizën e popullaritetit në kohë zgjedhjesh. Kësaj here, duke parë krizën e partive që dominuan herë ndaras, herë bashkë, establishmentin e pasluftës, nuk po reagojnë si herëve të tjera as ndërkombëtarët. Shqiptarët në shtetet e rajonit me mëdyshje shoshitën fjalët që jehojnë nga Kosova. Ndërkohë, në Serbi, organet më të larta të drejtësisë legalizuan shprehjen fyese “Šiptari“, pjesë e fjalorit të zyrtarëve më të lartë serbë. Me politikanët në Kosovë, të angazhuar ditë e natë në aktivitete elektorale, edhe legalizimi i gjuhës poshtëruese kaloi pa rrokur vëmendjen e madhe.

Proces i ndërlikuar

“Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është një proces shumë më kompleks sesa të përdoret si një element populist në fushatën parazgjedhore. Po e them populist se qoftë z. Haradinaj, qoftë z. Kurti kur e përmendin referendumin e mundshëm për bashkim me Shqipërinë nuk e tregojnë sesi do ta realizojnë atë referendum”, thotë Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim, e cila kësaj here nuk i hyri garës zgjedhore.

Deri tani, pos VV-së, partitë politike kanë folur për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian si qytetarë të shteteve të ndryshme të rajonit. Kosova vazhdon të jetë e fundit në rrugën e integrimit në bllokun politik evropian.

Nijazi Muhamedi, publicist nga Maqedonia e Veriut, thotë se fushata e sivjetme zgjedhore në Kosovë u përshkua nga boshësia e madhe politike pavarësisht përpjekjeve të disa partive për t’iu kthyer vlerave të luftës e kërcënimit me referendum për bashkim kombëtar nëse Kosova ngec në rrugëtimin drejt mekanizmave evropianë e perëndimorë.

“Ajo ishte një boshësi bubullimash të thata elektorale dhe nisën e mbaruan vetëm si një episod elektorale, dhe unë nuk i shikova si ‘rikthim’ dominues i diskursit që do të përfaqësonte një riartikulim frymëzues të këtyre dy temave, të cilat kuptohet se kanë një ndërvartësi mes tyre”, thekson Muhamedi.

Ai mendon se partitë iu kthyen çështjeve kombëtare për të mbuluar mungesën e ofertave konkrete përballë rivalëve politikë, “dhe më konkretisht me kampin elektoral LVV-Lista Vjosa, si pretendues të ndryshimit”.

Në një fushatë ku palët flasin me “ne” dhe “ata”, palët po përpiqen të akuzojnë njëra-tjetrën për devijim e mohim të vlerave me të cilat lidhet historia e re e Kosovës. Sidomos ajo e viteve nëntëdhjetë të shënuar nga lëvizja paqësore e LDK-së së Ibrahim Rugovës dhe kryengritësja e udhëhequr nga UÇK-ja. Partitë e dala nga krahu i luftës, sidomos Nisma Socialdemokrate, që s’e kaloi pragun, e PDK-ja u përplasën për kategoritë e luftës, prej të cilave synuan votën në ditën e 14 shkurtit. Nisma e Limajt bëri edhe kundërfushatë, duke akuzuar kandidatin e PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, se në një libër të tij krimet serbe kundër shqiptarëve të Kosovës i ka kategorizuar si “përpjekje për gjenocid”.

“Diskursi i tyre i zbehtë për të rivalizuar me ambicie të tjera përballë tyre dhe duele mes vete përveç mbijetimit në skenën politike (mendoj AAK-Nisma), ndërsa ‘boshësia e bubullimave’ të PDK-së, duke ndërfutur këtë bredhje elektorale si ikonografi rivalizuese ndaj kampit të vet më parë (AAK, Nisma) se kush simbolizon dhe reprezanton vlerat e UÇK-së, nuk jepte përshtypjen se do të jetë aq me efekt në funksion të ambicies së saj të afishuar si pretendente e dytë për të fituar garën elektorale”, thekson Muhamedi, duke vlerësuar se pjesë e diskursit “historiko-bashkimtar” u bë edhe AAK-ja. “... me këtë paraqitje elektorale, po ta shikosh në kuadrin ligjor të zgjedhjeve, ishte jashtë kontekstit të zgjedhjeve parlamentare me pretendimin për ‘president’ të kryetarit të saj Ramush Haradinaj”.

Kandidaturën për presidente e kishte shpallur edhe Osmani, e cila bëri fushatë si pjesë e listës zgjedhore të VV-së, me kushtin që të ketë mbështetjen e saj për postin e presidentes. Kushtetuta e Kosovës ia kërkon Parlamentit zgjedhjen e presidentit apartiak që të përfaqësojë unitetin e popullit.

Image

Dy mundësitë e Kosovës

Kushtetuta ndalon specifikisht bashkimin me ndonjë shtet tjetër. Murati kujton se edhe nëse mund të ketë vullnet politik të partive shqiptare për ndryshime, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa përkrahjen e dy të tretave të pakicave, çka nënkupton mbështetjen e së paku katër deputetëve serbë.

“Kosova po ashtu operon në një kontekst të caktuar rajonal dhe ndërkombëtar, dhe përderisa pavarësia erdhi si produkt i këtyre rrethanave dhe një përkrahjeje të caktuar ndërkombëtare, edhe bashkimi mund të ndodhë vetëm me këtë përkrahje, e jo përkundër saj”, thekson Murati.

Në kohën kur Haradinaj kërcënon në fushatë me referendum për bashkim kombëtar nëse Kosova nuk pranohet në NATO brenda mandatit të ri qeverisës, në letrën e urimit me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, i kërkoi homologut serb, Aleksandar Vuçiq, që të angazhohet në dialogun me qëllim që Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje me njohje reciproke si dy shtete të pavarura.

“Roli i Bashkimit Evropian nuk është të komentojë secilën deklaratë që bëjnë politikanët ose zyrtarët individualë në rajon, veçanërisht gjatë fushatës parazgjedhore”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian në një përgjigje të shkruar për grupin KOHA. “Udhëheqësit politikë në rajon duhet të prihen nga shembulli i promovimit të një klime besimi të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, parime dhe vlera të cilat i përfaqëson BE-ja. Kjo vlen edhe në fushatat elektorale”.

Në kohë fushate, platforma “OpenDemocracy” ka ngritur që në titull dilemën “A mund të përfundojë storia e Kosovës në Shqipëri të Madhe?”.

“Nëse Kosova bën hapa praktikë drejt bashkimit me Shqipërinë, Qeveria në Beograd do të përballet me presion të madh të brendshëm për ta ndaluar procesin”, shkruan Timothy Lee, duke shkruar për zvogëlimin e mundësive për Kosovës në dy sosh: të ruajë status quon me shpresë se diçka do të ndryshojë në qëndrimin e Serbisë, “si sanksionet masive politike ndaj Beogradit nga amerikanët. Megjithatë, ky opsion është i ndërlikuar për shkak se nuk ka prospekt real të jetësimit amerikan të presionit të tillë; dhe derisa statusi i Kosovës të vazhdojë të mbetet i paqartë, do të dështojë të zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht”.

“Mundësi të dytë”, Lee e sheh bashkimin me Shqipërinë, si alternativë për qorrsokakun e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës. Ngjashëm me qasjen e politikanëve të Kosovës që fajësojnë Brukselin për izolimin e kosovarëve, edhe Lee vlerëson se bashkimi me Shqipërinë do t’ua hapte dyert kosovarëve – madje me përfaqësim me pasaporta shqiptare e me përfaqësim të njësuar në OKB e në gara ndërkombëtare në sport.

“Me pak fjalë, Kosova do të mund të normalizonte më shumë a më pak pozicionin e saj ndërkombëtar pa, ‘sikur ka theksuar Haradinaj, ‘aprovimin e Serbisë’”, shkruan “OpenDemocracy”.

Duke analizuar pasojat që do të kishte ndryshimi i kufijve të shteteve në rajon, Lee e kujton edhe një herë në fund se krijimi i “Shqipërisë së Madhe” do t’i jepte fund stories së shtetit të Kosovës.

“Sidoqoftë, nëse Serbia ia del mbanë në të sajën, parakushti final për këtë do të ishte krijimi paralel i një Serbie të Madhe”, e mbyll shkrimin ai.

“Presidenti me muskuj” e dobëson Kosovën

Publicisti Muhamedi thotë se qasja e Haradinajt e dobëson shtetësinë e Kosovës në raport me fqinjët dhe ndërkombëtarët.

“Shoqërimi i këtij imazhi jo të qëlluar për kontekstin elektoral dhe të dialogut Kosovë-Serbi për njohje reciproke me ‘imazhe prej një bodigardi me muskuj’ dhe me mesazhin elektoral të ndonjë vullnetari të ‘ simpatizantëve e militantëve’ të AAK-së se ‘vetëm ky mund t’i rrijë karshi Serbisë’, banalizonte për së tepërmi figurën e tij prej pretendenti për president dhe motivim e argumentit për idealin e bashkimit”, thotë ai. “Ngjashëm pak me këtë episod të diskursit jo të zgjuar të Haradinajt doli edhe një ‘fluturim diskursi’ i kandidatit për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhajt, që mund të hamendësojmë se mund të jetë pritur ‘me habitje’ dhe si banalitet nga të jashtmit dhe partnerët e Kosovës, tek thoshte nëpër tubime elektorale se ‘me njohjet personale që paska me Merkelin dhe Bidenin’, do siguruaka njohjen nga Serbia, e të tjera e të tjera”.

Murati nga Lëvizja për Bashkim thotë se në këto rrethana, bashkimi kombëtar nuk mund të ketë ndonjë efekt as si “kërcënim” për aleatët e Kosovës, duke ngritur dilemën se pse duhet ta pranonin bashkimin si alternativë kur nuk po lehtësojnë as pranimin në institucione ndërkombëtare.

“Por duke folur për referendumin e mundshëm për bashkim, por edhe tema të caktuara të nxehta me motive patriotike, subjektet politike dhe liderët politikë në Kosovë po i ikin temës kryesore të cilën e pret Kosova pa zgjedhjeve: dialogut me Serbinë”, thekson ai. “Realisht të gjithë ata që e duan bashkimin me shpirt dhe që e kanë projekt serioz politik, duhet ta dinë se vetëm pasi të zgjidhen problemet me Serbinë, vetëm pasi Kosova ta përfundojë procesin e shtetndërtimit, do të krijohen rrethanat politike për të realizuar edhe bashkimin” .

Sigurisht nëse ky dialog përfundon me status quo të tanishme, apo me një asociacion të komunave serbe në Kosovë, thekson Murati, nuk mund të flitet për bashkim, por për mbijetesë të shtetit të Kosovës, sepse në rrethana të tilla do të degradohej shumë funksionaliteti i shtetit.

“E vetmja zgjidhje që e shtron rrugën drejt bashkimit të mundshëm, është ajo e ripërcaktimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht bashkimit të pjesëve shqiptare të Kosovës Lindore me Kosovën dhe të pjesëve serbe të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut me Serbinë”, thekson ai. “Në këtë rast do të binin edhe disa nga shtyllat e Pakos së Ahtisaarit të cilat si pjesë e Kushtetutës e pengojnë bashkimin. Kosova do të shndërrohej në një shtet krejtësisht sovran, dhe do të mund të vendoste për mundësinë e bashkimit me Republikën e Shqipërisë. Deri atëherë, ne mund të flasim për integrime më të thella ekonomike, politike, ligjore, kulturore, arsimore e sportive, me Shqipërinë, por jo edhe për ndonjë projekt të përbashkët shtetëror”.

Ai thotë se bashkimi kombëtar dhe integrimet evropiane nuk duhet parë në konkurrencë me njëra-tjetrën. Vlerëson se bashkimi nuk duhet të jetë alternativa e integrimit në BE, por e vetmja alternativë e projektit politik shqiptar në Ballkan.

“Pra, nuk duhet të jetë plani B, por duhet të jetë plani A. Thënë këtë, duhet ta përsëris që ky projekt shkon vetëm përmes konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe duam ne apo nuk duam përmes zgjidhjes së problemeve të mbetura me Serbinë në një dialog serioz politik”.

Bashkë në BE?

Muhamedi thotë se ecja historike e shqiptarëve nëpër shekuj me sytë dhe me idealin për t'u bërë pjesë integrale e Evropës në të gjitha dimensionet e saj, duhet të jetë guida morale, civilizuese, gjeopolitike dhe ideal i pacenueshëm euro-atlantik i shqiptarëve, po aq i shtrenjtë sa bashkimi kombëtar.

“Së këndejmi edhe ecja jonë si komb tash dhe në të ardhmen pashmangshëm duhet të jetë ecje kah ideali për rikthim në gjirin e Evropës, si pjesë gjeografike-historike e saj që nga kohët e vjetra dhe të para të saj si popull evropian më i vjetër i saj, dhe për të cilën kemi dhënë kontributin në shumë faktorë të jetës së saj dhe nga e cila, nëpër tallaze kohore na kanë shkëputur fatalitetet e shkuara historike”, thotë publicisti nga Maqedonia Veriore. “Është ecje kah ideali i tërësimit kombëtar të shqiptarëve. Si pjesë e Evropës është e kuptueshme se duhet të ndajmë fatin e saj, në çdo konjukturë gjeopolitike dhe do t’i besojmë vizionit tonë që e ndajmë mbi të tashmen dhe të ardhmen e Evropës”.

Edhe Murati thotë se edhe Kosova si shtet, edhe republika aktuale e Shqipërisë, “qoftë një Shqipëri e bashkuar, po ashtu në planin gjeopolitik nuk kanë projekte të tjera përveç integrimeve në BE”.

“Pra, në këtë drejtim ne si popull e si shtete nuk kemi alternativa të tjera (siç ka ta zëmë Serbia) dhe nuk shohim nga Lindja, por nga Perëndimi”, thotë ai. “Sidoqoftë, duke qenë se procesi i integrimeve evropiane nuk është në dorën tonë, por të vetë shteteve kryesore në BE, ne do të duhej që t’i kryenim punët tona të shtëpisë pa marrë parasysh se çfarë ndodh me projektin evropian. Andaj unë këto dy projekte nuk i shoh si konkurrente me njëra-tjetrën, për më tepër nëse dimë t’i bëjmë hapat e duhur, mund ta përplotësojnë njëra-tjetrën”.

Partitë politike, që në ditët e fundit të fushatës i dhanë turr se kush më shumë po i përfaqëson idealet kombëtare, në të njëjtat tubime ku flasin për bashkim kombëtar, e bënë të qartë se nuk do të ketë stabilitet politik nëse nuk u përmbushen hesapet e ngushta politike të liderëve të tyre. Edhe për presidentin, që kushtetushmërisht përfaqëson unitetin e popullit. Vlera e sloganeve dhe e zotimeve peshohet me hisenë e tyre eventuale në pushtet. Me kryerjen e fushatës, bashkë me sloganet e posterët kuqezi, pas dore lihen edhe zotimet zhurmëmëdha.