Kryeqyteti i Shqipërisë, të paktën sipas kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, pritet të pasurohet edhe me dy muze të rinj. Ky objektiv, sipas Veliajt, do të arrihet gjatë vitit të ardhshëm. Ai ka thënë se më 2025 Bashkia e udhëhequr prej tij do të ofrojë shumë më shumë për vizitorët. Këto plane i ka prezantuar gjatë një diskutimi në shkollën “Sami Frashëri” për buxhetin e vitit që vjen.
“Një muze tashmë e kemi blerë, është në pronë të Bashkisë, janë Sarajet. Fillimisht na u desh ta mbronim që të mos digjej, pastaj e bleu Bashkia e Tiranës për ta kthyer në një muze të qytetit, një shtëpi që është vërtet monument kulture”, ka thënë ai. Sipas Veliajt, shtëpia tjetër është Garnizoni, ndërtesa kryesore te Garda.
“Edhe aty duam të kemi një muze të trashëgimisë tonë lokale. Vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës do të investojmë në dy muze lokalë. Ndërkohë, për teatrin, le të më padisin ditë e natë, ai do të bëhet më i fortë, më i bukur, më i madh për 100 vitet e tjera”, ka thënë ai. Përderisa për opozitën dhe shoqërinë civile qeverisja vendore ose lokale në Tiranë ka tkurrur shumë shtëpitë qytetare në Tiranë, kryetari Veliaj pretendon të kundërtën.
Ai ka ftuar nxënësit e shkollave që të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të mbahen vitin e ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Sipas tij, Tirana është duke u shndërruar në një atraksion të madh dhe të dhënat tashmë flasin për 11 milionë turistë në vit.
“Kam një pyetje për të gjithë dyshuesit: Pse mendoni se vijnë gjithë këta turistë në Tiranë? Sot qendra është e rrethuar nga njerëz që po festojnë festat e fundivitit. Dikush nga jashtë nuk vjen në një vend të huaj të shikojë një rrethrrotullim të madh me 170 mijë makinash, por vjen ku ka një hapësirë ku 10 mijë veta janë duke festuar festat e fundvitit dhe ka aktivitete për fëmijët e për të rritur”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se nëse nuk do të ishte muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, pastaj muzeu “Kadare” e ai “Dritëro Agolli”, s’do të kishte shumë arsye që vizitorët t’ia mësynin qytetit.
“Brezi i ri nuk e mban mend fare, se mendojnë që Tirana ka qenë gjithmonë kështu, por ne të tjerët po. Kur ti ke një koncert të Dua Lipës, të Rita Orës, të Ricky Martin, të Iglesias, të DJ të ndryshëm, vijnë dhe turistë nga vende të tjera”, ka thënë Veliaj.