Kulturë

Bankënotat e reja të euros: Beethoveni e Marie Curie garojnë me zogj

Beethoveni, Marie Curie dhe Maria Callas janë në mesin e personaliteteve ikonike evropiane për dizajnin e ri të bankënotave të euros

Beethoveni, Marie Curie dhe Maria Callas janë në mesin e personaliteteve ikonike evropiane për dizajnin e ri të bankënotave të euros

Kompozitori gjerman, Ludwig van Beethoven mund të jetë një prej fytyrave në bankënotat euro, në ridizajnimin e parë që freskon pamjen e tyre. Në një proces që nisi më 2021 dhe që ka përfshirë një hetim publik dhe dy grupe këshilluese, Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka përzgjedhur dy tema për ridizajnim.

Banka ka bërë thirrje për sugjerime për dizajn mbi dy tema të mundshme: “Personalitete ikonike evropiane që kanë kontribuuar në ndërtimin e trashëgimisë kulturore të Evropës” – përfshirë Maria Callas, Beethoven, Marie Curie, Miguel de Cervantes dhe Leonardo da Vinci – ose lumenj dhe zogj “që theksojnë diversitetin e ekosistemit natyror të Evropës”

Christine Lagarde, presidentja e ECB-së, ka thënë se bankënotat do të ridizajnohen për herë të parë pas 20 vjetësh, që të lidhen më shumë me evropianët e të gjitha moshave dhe prejardhjeve.

“Kartëmonedhat e reja do të simbolizojnë identitetin tonë të përbashkët evropian dhe diversitetin që na bën të fortë”, ka thënë ajo, duke komentuar ridizajnimin e parë që prej lansimit të euros më 1 janar 2002.

Janë dy tavolina me opsione, që e listojnë 5-euroshin me këngëtaren Callas, që në anën e kundërt do të ketë performues muzikorë që argëtojnë kalimtarë rrugës, ose një Beethoven në 10-euroshin bashkë me “një festival muzikor me kor fëmijësh dhe të rinjsh tek këndojnë”. Në kartëmonedhën 200-euroshe do të jetë Bertha von Suttner, pacifistja austriake dhe gruaja e parë që fitoi “Nobelin” për paqe. E në 20 euro është opsioni për shkencëtaren polako-franceze, Marie Curie.

Sa u përket “lumenjve dhe zogjve”, për 200 euro parashikohet një peizazh plazhi me një zog detar (Northern Gannet) tek fluturon mbi valët e oqeanit ndërsa gjykata e auditorëve do të jetë prapa. Parlamenti Evropian është i vendosur në kartëmonedhën 5-euroshe, me pranverën dhe “zogun ‘Wallcreeper’ (i njohur për ngjyrat e veçanta) afër një mali” në pjesën e pasme.

Që nga viti 2016, ECB-ja s’ka lëshuar më kartëmonedha 500-euroshe për shkak të shqetësimit të rrezikut për falsifikim. Rob Wainwright, atë kohë drejtor i Europolit pati thënë për transmetuesin holandez NOS se kjo bankënotë është e përshtatshme për krim.

“Ajo që shohim në Europol është se kriminelët dhe terroristët po e përdorin bankënotën 500-euroshe... si mjetin e tyre të preferuar”. “Një milion euro në kartëmonedha prej 500 eurosh mund të transportohen në një çantë shumë të vogël – shumë e përshtatshme për këta kriminelë dhe terroristë”.

Figura kyçe evropiane të zgjedhura nga ECB-ja mund të nxisin debat, sipas “Reutersit”, pasi përfaqësohen vetëm gjashtë nga 20 shtetet e eurozonës. Reagimet e para në rrjetet sociale kanë qenë kritike. Ka pasur thirrje për të qëndruar më shumë te stabiliteti i çmimeve se te bankënotat e reja.

“Mos bini pre e thirrjes ‘ne e duam Evropën’”, ka thënë një komentues në “X”. “Blini ar, argjend dhe mallra”.

Përplasjet rreth dizajnit të eurove nuk janë diçka e re. Kur ato u krijuan nga dizajneri austriak Robert Kalina ato përfshinin “epokat dhe stilet e Evropës” me shtatë ura abstrakte dhe fiktive që përfaqësonin periudha të ndryshme arkitekturore, në vend që të zgjidhej një vend ose figurë specifike historike. Megjithatë, të gjitha këto “ura neutrale” tani i përkasin Holandës, pasi dizajneri Robin Stam i rikrijoi në qytetin e tij Spijkenisse më 2011.

BCE-ja tani duhet të organizojë një konkurs për dizajnerët evropianë, juri dhe konsultim publik mbi listën e ngushtë dhe vendim nga këshilli drejtues para se ta nisë procesin dyvjeçar që këto kartëmonedha të reja të dalin në qarkullim. Kostoja vlerësohet rreth 5-8 centë për kartëmonedhë.