Kulturë

“Ballkanizimi” i Amerikës?

Përpjekja për grusht shtet në SHBA – paradoksalisht e nxitur nga presidenti në krye të Amerikës – është rezultat edhe i një fushate virtuale rrenash e teorish konspiracioni të nisur më 2016 në Veles të Maqedonisë.

“Amerikanëve u pëlqenin lajmet tona dhe ne fitojmë para prej tyre”, i deklaronte atëherë një 19-vjeçar – i prezantuar me emrin e ndryshuar Goran – një ekipi të BBC-së në dhjetorin e vitit 2016. Ai ishte njëri prej qindra maqedonasve të rinj që ia kishte dalë të fitonte goxha shumë para me fushatën virtuale në mbështetje të Trumpit. Gorani thoshte se në verën e vitit 2016 kish nisur të vidhte histori që i shihte në uebfaqet e grupeve të së djathtës ekstreme në SHBA. Pastaj i ndryshonte dhe e paguante “Facebooku” për shpërndarjen e tyre për audiencën e etur pro-Trump në SHBA. Gorani ia dilte t’i fitonte 1.800 euro në muaj.

“Tinejxherëve në qytetin tonë nuk iu kërcet si votojnë amerikanët”, qeshej ai. “Ata janë të kënaqur që po fitojnë para dhe mund të blejnë rroba dhe pije të shtrenjta”.

Obayka Janeyska, gazetare e njohur hulumtuese në Maqedoni, kishte rrëfyer për BBC-në se si kishte zbuluar shtatë uebfaqe të ndryshme që kishin angazhuar qindra nxënës të shkollave të mesme në një fushatë online dezinformimi.

Dhe Trumpi ia doli t’i fitonte zgjedhjet. Paradoksalisht, duke i akuzuar rivalët për përhapje të lajmeve të rreme në zgjedhjet e atëhershme presidenciale.

Kryetari djathtist i Velesit, Slavko Chediev, ngulmonte se nuk po fitoheshin para në mënyrë të pandershme në Veles. Madje krenohej me shpirtin sipërmarrës të banorëve të Velesit, mijëra kilometra larg nga Shtetet e Bashkuara. Trumpi po ua shihte hairin, rivalët sherrin.

Dhe, ngjashëm si liderët nacionalistë në Ballkan – historia e re e përgjakshme e të cilit ia dha globit foljen famëkeqe ballkanizoi – edhe Trumpi u mundua fort që ta ruante pushtetin kundërligjshëm.

Megjithatë, në demokracinë më të madhe, liderët republikanë, si zëvendëspresidenti Mike Pence e lideri i shumicës së deritanishme në Senat, Mitch McConnell, nuk lejuan që kaosi të përhapej përtej Washingtonit.

Pak para se bandat të futeshin dhunshëm në Kongres, McConnel deklaroi: “Unë do të votoj për të respektuar vendimin e popullit dhe do ta mbroj sistemin tonë të qeverisë qysh e njohim”.