Prej shtatë animacioneve të garës ballkanike në “Anibar”, tri janë nga Kroacia. Njëri prej tyre, “Zarko, You Will Spoil the Child!”, rikthen një imazh të një harmonie familjare në një kohë kur nacionalizmi serb ia kishte mësyrë të merrte përpara çdo gjë joserbe. Me ngjyra të zbehta sjell rrëfimin që zbehet përditë e më shumë edhe në kujtime. Një tjetër shkon te vitet para Luftës së Parë Botërore. Gara ballkanike zhvillohet pa Kosovën. Animatorit grek, Yiorgos Tsangaris, anëtar i jurisë për filmat e kategorisë ndërkombëtare dhe asaj ballkanike, thotë se Ballkani e ka zënë hapin, e Vullnet Sanaja nga “Anibari” thotë se Kosova ka ende punë
Ballkani është më i vonë në animacion. Për pasojë edhe me prodhime më të pakta. Por projektet që realizohen nuk u lënë gjë mangët atyre të vendeve fort të zhvilluara, qoftë si tematika apo edhe si teknika. Mesazhet janë të qarta. Familja dhe mjedisi mund të përkufizohen si dy temat bosht të garës ballkanike në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” në Pejë. Prej shtatë filmave, kroatët dominojnë me tri projekte.
Në vitet ’80, ish-Jugosllavia ishte në zenitin e vet të zhvillimit dhe emancipimit, brenda mundësive që diktonte regjimi. Kujtimet më të mira të atyre që e kanë jetuar atë kohë, do të nisnin të zbeheshin. Arsyeja: rritja e nacionalizmit serb. Një ambient fort të relaksuar e të kënaqshëm familjar e sjell filmi kroat “Zarko, You Will Spoil the Child!”. Drekat e përbashkëta në fundjavë e dashuria midis mbesës e gjyshërve vijnë në pah në filmin nën regji të Velko e Milivoje Popoviq. I punuar me ngjyra të zbehta sjell ndjesinë e fotografive familjare të cilave duke iu zbehur boja iu rriten vlera e shkëlqimi.
Është një “flashback” kur gjyshërit bëjnë gjithçka për ta mbajtur në disponim mbesën e tyre. Në më shumë se 13 minuta ky projekt zgjon nostalgjinë e kujtimeve te secili që ka pasur një raport me familjarët ose veçmas me gjyshërit në kohën kur jeta nuk e kishte dinamikën e edhe njëfarë mentaliteti të sotëm ku rrethanat sociale në familje kanë ndryshuar. Aty preken edhe fillet e rënies së ish-Jugosllavisë dhe koha kur në Split familja strukej në bodrum shkaku i bombardimeve të asaj që ende ishte Armata e Jugosllavisë. Përjashtim bënte gjyshja, e cila përgatiste ushqim, dhe në njëfarë forme donte të tregonte rezistencë se nuk i bëjnë përshtypje sulmet pasi është në shtëpinë e saj. Tregohet edhe sakrifica për të afërmit e saj e po ashtu edhe përballja me sistemin që serbët po ia fusnin flakën. Rrethanat e filmit kanë mesazh të qartë: dashurinë për familjen.
Po me familjen merret edhe filmi tjetër kroat. Në “The Family Portrait” rrëfimi është më i vjetër. Shkon te vitet para Luftës së Parë Botërore dhe hyn në një mjedis aristokrat, asi funksionarësh të Perandorisë Austro-Hungareze. Në këtë rast bëhet fjalë për ruajtjen e intimitetit. Një çift me fëmijë janë të lumtur, përderisa vëllai i bashkëshortit bashkë me familjen e tij të madhe futet në shtëpi dhe merren vesh situata intime të cilat çojnë në prishje të raporteve të brendshme. Autorja Lea Vidakoviq nëpërmjet thjeshtësisë së paraqitjes së situatave ku dialogët nuk gjejnë vend, e përmbledh mesazhin fort. Bile shkon deri në nivelin sa tërheq vërejtjen që çështjet familjare duhet të mbesin brenda shtëpisë, pasi përndryshe merret udhë e rëndë.
Jashtë familjes, filmat e kësaj kategorie dalin edhe te mjedisi. Rrëfimet nuk ngelin veç brenda shtëpisë në “Underground”, pasi në oborr e hapësirën përreth kultivohen kopshte që gjelbërojnë hapësirat duke e bërë ambientin më të përshtatshëm për jetesë në shumë aspekte. Filmi nën regji të Yiannis Christoforou tregon se lopatat nuk janë veç për varrime, por edhe për t’i dhënë jetë ambientit e për t’ua lehtësuar jetën atyre që frekuentojnë ato zona.
Te natyra ndalet edhe “Butterfly” që mbledh insekte e krijesa të tjera të cilat në njëfarë forme e mirëmbajnë ekologjinë dhe kontribuojnë fort në ekosistem. I punuar krejt thjeshtë me një kornizë fotografie të përhershme – përjashto fokusin dhe kthimin në pozicionin total – filmi i kroates Sunçana Brkul ka ngjashmëri me krijimet e një artisti kosovar. Ngjan fort me punimet e Jakup Ferrit. Fiks me ato që edhe e ka prezantuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias me titull të pavijonit “Monumentaliteti i përditshmërisë” më 2022. Ai lloj monumentaliteti me ngjyra të ndezura ka ardhur edhe në ekranin e “Anibarit” të enjten në mesditë.
Midis skenës së madhe janë dhjetëra skena të tjera ku zhvillohet jeta e marrin frymë ngjyra të ndryshme. Edhe ato të fluturës që ngec në shatërvan.
Për ngecje nuk mund të flitet sa u përket filmave të animuar të Ballkanit. Të paktën në sytë e animatorit grek, Yiorgos Tsangaris. Anëtari i Akademisë Evropiane të Filmit sivjet është anëtar i jurisë për filmat e kategorisë ndërkombëtare dhe asaj ballkanike.
“Kishte filma shumë të fuqishëm në këtë kategori. Disa filma, tre a katër prej tyre, paraqesin çështje të këtyre ditëve. Kombinojnë metafora të ndryshme dhe kanë një gjuhë shumë shprehëse”, ka thënë animatori i cili numëron dhjetë vjet që ndjek filmat e Ballkanit. Ka thënë se vëren poetikë të madhe dhe se po përdoret mirë teknologjia për ta arritur këtë progres.
“Çështjet sociale dhe ato mjedisore tematizohen shumë mirë. Janë filma shumë shpresëdhënës. Pastaj ka çështje familjare që ngrihen shumë mirë. Metaforat më bëjnë shumë përshtypje. Janë çështje sensitive dhe disa filma për mua kanë komunikuar shumë mirë. Me sa shosh animatorët ballkanikë kanë bërë hapa të mëdhenj viteve të fundit", ka thënë ai.
Por për hapa të mëdhenj nuk mund të flitet me gojën plot për Kosovën e Shqipërinë. Gara e Ballkanike përfshin Kroacinë, Slloveninë, Greqinë, Bullgarinë e Rumaninë. Nuk ka shkuar përtej. Kosova s’ka asnjë film as në Garën e Studentëve. E “Anibar” është peshore e mirë jo veç për filmat e rajonit.
Drejtori i “Anibarit”, Vullnet Sanaja, ka thënë se prej 1 mijë e 500 aplikimeve këtë vit nuk ka pasur filma nga Kosova. Sipas tij, momentalisht Qendra Kinematografike e Kosovës mbështet dy ose tre filma të animuar dhe është dashur që të rritet kjo mbështetje dhe të ketë më shumë prodhim.
“Ky është festival ndërkombëtar, mirëpo ne punojmë që çdo ditë e më shumë ta rrisim numrin e animatorëve në mënyrë që më pas ata të rrisin numrin e filmave të animuar, por kjo është e varur edhe prej financimit publik, do të thotë kur ka financim të mjaftueshëm atëherë rritet edhe numri i filmave të animuar”, ka thënë Sanaja, përderisa ka shtuar se për prodhim të animacioneve dominojnë Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca sivjet ka dhënë 480 mijë euro për të nxitur animatorët e rinj të Kosovës. Këtë e ka bërë nëpërmjet “Anibarit”. Kurse Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet në listën e projekteve fituese të listuara i ka shtatë projekte për mbështetje në realizimin e filmave të animuar të metrazhit të shkurtër, nën 30 minuta. Projekte të filmave të animuar gjejnë vend edhe te lista e zhvillimit të skenarit që janë publikuar nga QKK-ja sivjet nëpërmjet konkursit të vitit të kaluar, pasi institucioni e ka humbur hapin e konkurseve vjetore.
Por “Anibar” është në hap tash e 15 vjet. Gjatë ditës audienca është më e vogël, kurse mbrëmjeve ajo rritet. Të rinjtë dominojnë dhe fryma është e tillë. Ata janë edhe fokusi. Janë fokusi edhe te tema e sivjetme “Shembe patriarkatin!”.
Filmat e Garës Ballkanike nuk janë marrë shumë me patriarkatin, por kanë shpërfaqur relacione shumë të relaksuara familjare të kohëve kur familja ishte në qendër. Kanë tërhequr vërejtjen që të mirëmbahen ato e të mos lejohet t’u ndërhyhet familjeve në intimitet. Po ashtu, edhe kanë këshilluar për kujdes ndaj natyrës e në formë indirekte kanë bërë thirrje kundër luftërave. Si pikturë e plotë me krejt mesazhet, tërthorazi përthekojnë mesazhin për barazi e edhe për shembje të patriarkatit.