Me shfaqjen nën koreografi të Sead Vuniqit, fuqinë e artit e vë në shërbim të adresimit të çështjeve të rëndësishme të shëndetit publik. Tetë balerinë, të udhëhequr nga balerini i këtij institucioni, po vijojnë përgatitjet për shfaqjen që premiera i është caktuar më 4 shkurt. Baleti shfrytëzonte të njëjtën hapësirë për shfaqje me Teatrin Kombëtar, trupa e të cilit është në grevë që nga muaji nëntor. E kjo e vë në pikëpyetje edhe shfaqjen e parë për sivjet të Baletit Kombëtar të Kosovës
Baleti Kombëtar i Kosovës e nis vitin me shfaqjen me të cilën synon të përcjellë mesazhe të forta për ndërgjegjësim ndaj kancerit dhe jo vetëm. Me shfaqjen nën koreografi të Sead Vuniqit, fuqinë e artit e vë në shërbim të adresimit të çështjeve të rëndësishme të shëndetit publik. Tetë balerinë, të udhëhequr nga balerini i këtij institucioni, po vijojnë përgatitjet për shfaqjen që premiera i është caktuar më 4 shkurt. Por problematike mbetet hapësira ku do të shfaqet.
Ende nuk i është caktuar titulli i shfaqjes në bashkëpunim me organizatën “Action for Health”. Megjithatë, e sigurt është se do të përcjellë mesazhe mbështetjeje e kurajë. Por jo edhe hapësira se ku do të shfaqet ajo. Baleti shfrytëzonte të njëjtën hapësirë për shfaqje me Teatrin Kombëtar, trupa e së cilit është në grevë që nga muaji nëntor. Skena mban shenjat e grevës dhe qëndron po e njëjta që nga dita ku është shpallur greva. Asnjë aktivitet nuk është mbajtur aty që nga gjysma e nëntorit.
E kjo e vë në pikëpyetje edhe shfaqjen e parë për sivjet të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Siç dihet prej më shumë se dy vjetësh ne kryesisht e kemi përdorur hapësirën e Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë ku është i vendosur edhe Teatri Kombëtar. E kemi planifikuar që aty do ta japim shfaqjen. Pasi aktorët e Teatrit janë në grevë dhe vendi ku e kanë përcaktuar për grevë me gjasë është skena aty dhe është pak e komplikuar edhe në aspektin ligjor. Nëse nuk do të jetë e mundur aty, do të jemi të detyruar të gjejmë një hapësirë alternative për ta dhënë shfaqjen”, ka bërë të ditur drejtori i Baletit, Sinan Kajtazi, në emisionin “Express” në KTV.
Edhe ashtu, Baletit i duhet të ndajë të njëjtën hapësirë për prova me ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, sikurse të njëjtën edhe me Teatrin Kombëtar të Kosovës për shfaqjet premierë. Greva e rëndon edhe më shumë institucionin sa i përket hapësirës ku jep shfaqje.
“Prej dy vjetësh ne jemi duke shfrytëzuar sallën e ansamblit ‘Shota’, ku detyrohemi ta ndajmë një pjesë të ditës bashkë me ansamblin për ushtrime, prova të shfaqjeve që kemi, shto këtu edhe pjesën e mossigurisë në aspektin e shfrytëzimit të skenës. Nuk ka qenë shumë e lehtë, vazhdon të mos jetë shumë e lehtë, mirëpo është një vullnet i jashtëzakonshëm i balerinëve, sepse baleti është sikur njëqind-metërshi në atletikë”, ka thënë Kajtazi, derisa ka ritheksuar nevojën për kushte adekuate.
“Nuk është e lehtë, sepse kemi të bëjmë me një profesion shumë specifik, i cili kërkon kushtet adekuate, qoftë për ushtrime, qoftë për prova, qoftë edhe për shfaqje. Baleti është një gjini teatrale dhe i kërkon kushtet e veta për ta realizuar një shfaqje. Kërkon një dysheme që është jashtëzakonisht e rëndësishme për balerinët, kërkon skenën, pjesën teknike për realizimin e shfaqjeve”, ka thënë ai.
Megjithatë ka dhjetë ditë që Baleti po përgatitet për këtë shfaqje. Udhëheqësi i këtij institucioni, Sinan Kajtazi, ka thënë se projekti sa artistik, është edhe simbolik.
“Projekti është në fazën e përgatitjeve. Përsipër ia kemi besuar, në aspektin e koreografisë, balerinit dhe koreografit tonë, Sead Vuniqit, i cili është duke punuar me tetë balerinë për ta realizuar këtë projekt, i cili sa artistik është edhe simbolik për shkak të arsyes dhe qëllimit për çfarë është duke u përgatitur. Konsideroj se edhe ne si Balet Kombëtar jemi duke dhënë kontribut edhe në këtë fushë përmes kërcimit, duke përçuar gjithmonë mesazh mbështetjeje për të gjithë ata të cilat jeta i ka sprovuar në forma të ndryshme”, ka thënë ai.
Kajtazi ka theksuar se dita e premierës përkon me Ditën Botërore Kundër Kancerit.
“Vitin që shkoi kemi pasur një kërkesë nga organizata ‘Action for Health’ që t’i bashkëngjitemi fushatës ndëgjegjësuese e mbështetëse ndaj gjithë atyre që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, përfshirë kancerin. Jemi institucioni i radhës, praktikisht që i përgjigjemi kësaj thirrjeje përmes këtij projekti, pasi institucione të tjera e kanë bërë paraprakisht, siç është Filharmonia. Kemi vendosur që premierën ta mbajmë më 4 shkurt, në Ditën Botërore Kundër Kancerit, datë kjo që shënon edhe hapjen e siparit të premierave për Baletin Kombëtar të Kosovës për vitin 2025”, ka thënë ai.
E ka konsideruar të pakontestueshme fuqinë e baletit për ta reflektuar energjinë e shfaqjes tek ata që e gjejnë veten aty.
“Konsideroj se fuqia e kërcimit, baletit në këtë rast, është jashtëzakonisht e madhe duke pasur parasysh mënyrën se si ajo transmetohet te publiku. Fuqia e baletit është e jashtëzakonshme dhe energjinë që e përcjell, nuk kam dyshim që edhe në këtë projekt që është më i veçantë sesa të tjerët që kemi realizuar, do ta përcjellë atë energjinë e mirë tek publiku dhe kurajën te të gjithë ata që e gjejnë veten te kjo shfaqje. Nuk kam dyshim që edhe neve do të na bëjnë mirë këto lloj projektesh dhe kauzash”, ka thënë drejtori Sinan Kajtazi.
Balerini e koreografi Sead Vuniqi pos këtij projekti, siç është bërë e ditur, i është besuar edhe një projekt më i madh me Baletin në muajin mars. Kajtazi ka thënë se nuk ka asnjë pikë dyshimi në punën e Vuniqit, duke marrë parasysh karrierën e suksesshme prej balerini si dhe angazhimin e përkushtimin e tij ndër vite.
Ka thënë se është balerini i katërt i BKK-së që i besohet koreografia e një shfaqjeje të institucionit.
“Ofrimin e mundësisë për të krijuar shfaqje, koreografi, Baleti e ka filluar në vitin 2018 kur në atë kohë i nderi, profesori Ahmet Brahimaj na pati ofruar mundësinë tre anëtarëve të Baletit për ta provuar veten në fushën e krijimtarisë. Fillimisht, pati debutuar balerina jonë e mirënjohur Teuta Krasniqi me shfaqje, pastaj unë pata përgatitur shfaqjen ‘Otaka’ në dhjetor të atij viti, në shkurt më pas balerini Kreshnik Musolli pati përgatitur shfaqjen ‘Andërr’. Tani Seadi është balerini i katërt të cilit ia kemi besuar dellin për të krijuar krahas të qenit balerin”, ka bërë të ditur Sinan Kajtazi.
Me gjithë kushtet, vitin që shkoi e ka vlerësuar si një prej më të suksesshmëve në historinë e Baletit.
“Konsideroj se 2024-a ka qenë një prej viteve më të suksesshme në historinë e Baletit, duke e pasur parasysh që përveç projekteve që kemi realizuar në vendin tonë, BKK është shfaqur në tri kontinente të ndryshme, përveç në Evropë, pra në Paris, Lisbonë, kemi qenë edhe në New York me katër shfaqje, pastaj kemi qenë pjesëmarrës në ‘Cheonan World Dance Festival’ në Kore të Jugut, kemi realizuar pesë premiera, prej të cilave katër krijime të reja. Gjithashtu e kemi vazhduar traditën e nisur në vitin 2023 të shfaqjes ‘Arrëthyesi’”, ka thënë ai.