Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës kthehet në New York me “Tango Nights”

Shfaqja “Tango Nights”

Shfaqja “Tango Nights” është pjesë e repertorit të “Ajkun Ballet Theatre” gati një vit pas prej premierës

Shfaqja fillimisht u dha premierë në New York në qershorin e vjetëm. Në fillimshtator historia e shfaqjes u bart edhe në Prishtinë, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Shfaqja e baletit me koreografi të Chiara Ajkun do të shfaqet sërish në New York në dhjetëditëshin e fundit të muajit maj. Mozaikun e kësaj narrative e thurin balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëprodhim me “Ajkun Ballet Theatre” për shfaqjen “Tango Nights”

Fryma e netëve të vallëzimit tango rikthehet në New York me një rrëfim ku vallëzimi tradicional i Amerikës Latine dhe nuancat e baletit modern janë në një gjuhë të përbashkët. Mozaikun e kësaj narrative e thurin balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëprodhim me “Ajkun Ballet Theatre” për shfaqjen “Tango Nights”. Muajin e ardhshëm shfaqja jepet në teatrin “St. Jean” në New York. Por më shumë se një shfaqje është prezantimi i institucionit dhe profesionalizmit të tij para audiencës që e njeh mirë këtë art skenik. 

Shfaqja fillimisht u dha premierë në New York në qershorin e vjetëm. Në fillimshtator historia e shfaqjes u bart edhe në Prishtinë, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Shfaqja e baletit me koreografi të Chiara Ajkun do të shfaqet sërish në New York në dhjetëditëshin e fundit të muajit maj. Data e saktë nuk është bërë e ditur ende. 

“Ne më 17 maj udhëtojmë për atje dhe do të kemi tri a katër shfaqje. Jemi diku dhjetë balerinë që marrim pjesë dhe ata janë diku shtatë a tetë balerinë nga kompania ‘Ajkun Ballet’ me të cilin ka bashkëpunuar Baleti”, ka thënë balerini Sead Vuniqi. Kësisoj BKK-ja i kthehet New Yorkut. 

Shfaqja është pjesë e repertorit të “Ajkun Ballet Theatre” gati një vit pas prej premierës. Sipas Vuniqit, ajo vjen si rrjedhojë e interesimit të publikut për “Tango Nights”.  

“Vitin e kaluar shfaqja ka qenë në programin e tyre, e sivjet është shfaqur për shkak të interesimit të madh të njerëzve për ta parë prapë. Kështu që na kanë ftuar të shkojmë prapë për ta dhënë këtë shfaqje atje”, është shprehur Vuniqi në një bisedë për KOHË-n. 

Prezantimin në New York e ka konsideruar si sukses të jashtëzakonshëm të Baletit. 

“I tillë ka qenë fillimisht prezantimi ynë në New York dhe normalisht duke e ditur që New Yorku ka kompanitë më të mëdha të baletit dhe njerëzit janë adhurues të mëdhenj të këtij arti, ndjekin çfarëdo shfaqje si dhe dinë të vlerësojnë dhe të gjykojnë. Ne kemi pasur diku tri ditë shfaqje dhe salla ka qenë e stërmbushur, ka pasur fjalë shumë të mira sa i përket cilësisë së balerinëve dhe komplet shfaqjes. Për këtë arsye kjo kompani na ka ftuar sërish pasi njerëzit e kanë parë shfaqjen dhe planprogramin dhe janë të interesuar të shkojnë ta shohin”, ka thënë Vuniqi, i cili shfaqjen në New York e ka konsideruar prej sukseseve më të mëdha. 

“E di që ka qenë një prej sukseseve më të mëdha që ka pasur Baleti Kombëtar i Kosovës pasi ka qenë hera e parë dhe duke e ditur që New Yorku është prej vendeve ku arti i baletit është jashtëzakonisht i zhvilluar dhe njerëzit duan të shohin trupa të ndryshme. Shumica prej biletave veçse kishin dalë në shitje dhe shumica e tyre ishin shitur. Ne do të kemi prova këtu fillimisht e më pas të bashkohemi me trupën atje dhe të vazhdojmë provat deri në shfaqjen e radhës të cilën e kemi kah fundi i majit”, ka treguar balerini Vuniqi. 

Sipas tij, “Baleti Kombëtar i Kosovës ka mjaft cilësi për të prezantuar institucionin në mënyrën më të mirë të mundshme kudo që shkon dhe kualiteti i institucionit është shumë i madh falë punës, sakrificave e njerëzve që kanë dhënë shumë për këtë institucion, që sot të gëzohet ky kualitet”. 
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se bashkëpunimet me trupa ndërkombëtare japin rezultate në punën e institucionit. 

“Baleti Kombëtar i Kosovës, edhe përgjatë këtij viti, do të jetë pjesë e skenave ndërkombëtare. Paraqitja në New York zë një vend të veçantë, duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky qytet në fushën e baletit botëror. Bashkëpunimi me artistë dhe trupa ndërkombëtare vazhdon të japë fryte të dukshme, duke ndikuar në rritjen e suksesit të BKK-së si në paraqitjet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare”, ka thënë Kajtazi në një përgjigje me shkrim. 

E balerini Vuniqi ka vlerësuar se është sukses të arrish të depërtosh në skenën kulturore të qytetit me kërkesë të madhe të shpalosjes së aktiviteteve kulturore. 

“Fatmirësisht, falë bashkëpunimit tonë që kemi pasur miq atje dhe na kanë ftuar të kemi një bashkëpunim me kompaninë ‘Ajkun Ballet’ ka qenë mundësi e mirë të prezantohemi si institucion, duke e ditur që është një prej qyteteve më të mëdha dhe mundësitë për të shkuar janë pak më të vështira për shkak të kërkesës së madhe që ka si qytet si me aktivitete kulturore, si për gjithçka”, ka vlerësuar ai. 

Kësaj here balerinët e BKK-së nuk do ta kenë presionin e mosnjohjes së audiencës, atmosferës, shijeve e reagimeve. 

“Në vitin e kaluar kemi qenë shumë të fascinuar për shkak se pas shfaqjes njerëzit na kanë pritur jashtë derës për të diskutuar, për të na uruar për kualitetin që kanë parë. Kanë qenë të surprizuar dhe besoj edhe kësaj here do të jetë diçka shumë e mirë. Edhe për ne hera e parë ka qenë pak më emocionuese, duke e ditur se po shkojmë në një vend ku baleti është jashtëzakonisht i zhvilluar, por atë që kemi marrë prej aty na ka bërë që tash të jemi pak më të relaksuar, kështu që besoj që ky prezantim do të jetë edhe më i mirë”, ka thënë balerini Vuniqi. 

Ai bashkë me të tjerë balerinë do të interpretojnë në teatrin “St Jean”, në zemër të qytetit të New Yorkut. 

“Teatri ‘St Jean’ nxjerr në pah një përzgjedhje të larmishme të arteve dhe argëtimit, duke përfshirë muzikë live, kërcim, komedi dhe interpretime teatrale tërheqëse. Për të mos përmendur, atmosfera tërheqëse e teatrit, e komplimentuar nga ndenjëset e rehatshme dhe arkitektura klasike, tërheq shikuesit e teatrit nga të gjitha sferat e jetës. Në të vërtetë, ky vend unik mishëron vetë thelbin e skenës së gjallë të arteve interpretuese të Nju Jorkut”, shkruhet në prezantimin e teatrit. 
Sipas Vuniqit, infrastruktura e duhur, si ajo në këtë teatër amerikan, jep vullnet. 

“Infrastruktura atje, kushtet nëpër teatro, për ne natyrisht që është diçka madhështore, sepse të jep mundësinë që si artist të dukesh shumë më mirë dhe të tregosh veten në mundësinë më të mirë të mundshme. Fatkeqësisht në Kosovë jemi pak në këto problemet e vazhdueshme, por duke uruar që institucionet tona do ta kenë parasysh krijimin e kushteve për të gjitha institucionet artistike, të cilat i meritojmë, sepse e dimë se ka artistë jashtëzakonisht të mëdhenj dhe me vlera e kapacitet”, ka thënë Vuniqi. 

Krejtësisht ndryshe ngjan me Baletin pa shtëpi prej korrikut të vitit 2022, shkaku i mbylljes për restaurim të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Fatkeqësisht, nuk po mundemi t’i reprizojmë për shkak të ngarkesës së Amfiteatrit, pastaj edhe greva, por kësaj here besoj se Baleti do të ketë mundësi të shfaqë repriza. Patëm edhe premierën ‘Deadline’ e më pas reprizën, më datë 29 e kemi Ditën Botërore të Vallëzimit me po këtë shfaqje si dhe shfaqjet e tjera që i kemi në repertor”, ka thënë Vuniqi.