Në edicionin e tretë të “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation” në Elbasan, ku kanë marrë pjesë 8 shfaqje, për shfaqjen “Time” nën koreografi të Taulant Shehut, Baleti Kombëtar i Kosovës është shpërblyer me vendin e parë për koreografinë më të mirë. Për këtë Baleti Kombëtar i Kosovës ka përgëzuar koreografin e shfaqjes, Taulant Shehu dhe balerinët që së bashku kanë arritur të krijojnë një produkt të jashtëzakonshëm “Një vlerësim i punës së Baletit Kombëtar të Kosovës dhe një rikonfirmim se BKK-ja është duke krijuar art të nivelit që vlerësohet edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.
Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë Çmimin e parë në mbrëmjen e së hënës në Festivalin “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation” të mbajtur në Elbasan. Në edicionin e tretë të kësaj ngjarjeje ku kanë marrë pjesë 87 shfaqje, për shfaqjen “Time” nën koreografi të Taulant Shehut, institucioni është shpërblyer me vendin e parë për koreografinë më të mirë. Për këtë Baleti Kombëtar i Kosovës ka përgëzuar koreografin e shfaqjes, Taulant Shehu dhe balerinët që së bashku kanë arritur të krijojnë një produkt të jashtëzakonshëm.
“Një vlerësim i punës së Baletit Kombëtar te Kosovës dhe një rikonfirmim se BKK-ja është duke krijuar art të nivelit që vlerësohet edhe jashtë kufijve të Kosovës. Pritja dhe përshtypjet e audiencës sonte në Elbasan, na bëjnë të kuptojmë që jemi në drejtimin e duhur për sa i përket veprimtarisë sonë artistike”, ka thënë nëpërmjet postës elektronike të hënën mbrëma drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.
Premiera e shfaqjes “Time” qe dhënë në mars të vitit të kaluar. Baleti Kombëtar i Kosovës nëpërmjet stilit bashkëkohor peshon barrën e durimit. Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë balerinët nëpërmjet lëvizjeve qenë thurur rrëfime për dashurinë, forcën e dhimbjen. Me lëvizje të ngadalta dhe paralele nga e gjithë trupa e herë më me temperament, balerinët kanë shkrirë rrëfime nëpërmjet gjuhës së trupit.
Shfaqja “Time” me stil bashkëkohor ka vënë shpesh balerinët përballë njëri-tjetrit. Lëvizjet e kanë peshuar barrën e durimit. E lëvizjet që nganjëherë vijnë më të shthurura transmetojnë kaos.
Vëmendje e kohë i jepet secilit kur dritat fokusohen tek ata apo kur mbesin të vetëm në skenë. Sikurse “Time” është dedikim për kohën, paralelisht shpërfaq dhimbjen, forcën e dashurinë. Kur kjo e fundit lihet në hije, më së shumti shpërfaqen plagët që lënë vragë në brendinë e tyre.
Qëndrueshmëria emocionale e gruas e pavarësia e saj në tërësi kanë dëshmuar se nganjëherë gjuha e trupit është më e fuqishme se fjalët, siç disa herë e kishte përmendur koreografi Taulant Shehu.
“Puna më e madhe është bërë që të sillnim këtë butësinë edhe të mashkullit shqiptar. Kemi punuar shumë që përmes kërcimit, përmes lëvizjeve të tregojmë si flet shpirti. Kjo ka qenë puna më e madhe që është bërë pasi është një rrymë e re e gjithë artistëve këtu dhe jam munduar shumë që sonte të fliste gjuha e trupit”, kishte thënë Shehu pas përfundimit të shfaqjes.
Ky sukses i BKK-së vjen në vitin kur institucioni do të prezantohet në Lisbonë, New York e deri në Korenë e Jugut.
Ndërkohë, BKK-ja është prej institucioneve me kushtet më të vështira. Dy punonjës të skenës që i shërbejnë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, çdo ditë pak pas mesditës shkojnë në sallën e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Në orën 13:00, kur përfundojnë ushtrimet e provat e ansamblit të “Shotës”, ata nisin të shtrijnë mbi parket llastiqet prej linoleumi që duhet t’u shërbejnë balerinëve për ushtrime e prova. Mbi to më pas duhet të vendosen levat pa të cilat nuk punohet. Ajo që bëhet aty është mjerim për institucionin. Pos anës organizative që merr kohë, detyrimit për vendosje e heqje të llastiqeve në baza ditore, kostos së ngjitësit prej 20 eurosh çdo ditë, ambienti nuk është ai i ushtrimeve. Po qe se balerinët sforcohen për leva, ato lëvizin pasi në kushte normale duhet të jenë të ngjitura në mure. Dhe ky është imazhi i prapaskenës së institucionit shtetëror të baletit.
Paraprakisht në janar, kur salla e “Shotës” ishte në rinovim, situata ishte edhe më e rëndë. Asokohe, BKK-ja kishte mbetur praktikisht në rrugë. Po mbanin provat për premierën e shkurtit, “Rebounds. A Basketballet” nën koreografi të gjermanëve Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Kishin para vetes dy opsione: ndërprerjen e provave dhe dështimin e shfaqjes ose gjetjen e një hapësire. I kishin kërkuar hapësirë një ndërmarrësi privat. Dhe kishin udhëtuar çdo ditë me autobus për të mbajtur prova në periferi të Prishtinës.
Edhe dhënia e shfaqjeve është sfidë. Bëhet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, hapësirë që po shfrytëzohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës. BKK-ja dhe TKK-ja kanë funksionuar në ndërtesën e Teatrit, e cila është mbyllur prej korrikut të vitit 2022 dhe ende nuk ka as projekt përfundimtar për restaurim.