Kulturë

Baleti drejt Koresë së Jugut me traditën gjysmëshekullore

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë kulturën e vallëzimit klasik e bashkëkohor edhe në Korenë e Jugut

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë kulturën e vallëzimit klasik e bashkëkohor edhe në Korenë e Jugut

Jo fort i zakonshëm është suksesi i institucionit shtetëror të baletit marrë parasysh në kushtet në të cilat shpalos punën. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës të hënën në mesditë ka marrë rrugë për në qytetin Cheonan që ndodhet rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, Seulit. Festivali i vallëzimit “Cheonan World Dance Festival” është adresa. Mbahet prej 25 deri më 29 shtator. Me fragmente nga baleti klasik “Halili e Hajria” dhe veprat e fundit bashkëkohore “Aeon” dhe “Tango Nights”, institucioni shtetëror e çon traditën 50-vjeçare të vendit në cepin tjetër të botës, në shtetin aziatik

Në serinë e debutimeve sivjet, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë kulturën e vallëzimit klasik e bashkëkohor edhe në Korenë e Jugut. Me fragmente nga baleti klasik “Halili e Hajria” dhe veprat e fundit bashkëkohore “Aeon” dhe “Tango Nights”, institucioni shtetëror e çon traditën 50-vjeçare të vendit në cepin tjetër të botës, në shtetin aziatik. Pas debutimit në New York e në Lisbonë të Portugalisë, ky vit konsiderohet historik për BKK-në. 

Jo fort i zakonshëm është suksesi i institucionit shtetëror të baletit marrë parasysh në kushtet në të cilat shpalos punën. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës të hënën në mesditë ka marrë rrugë për në qytetin Cheonan që ndodhet rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, Seulit. Festivali i vallëzimit “Cheonan World Dance Festival” është adresa. Mbahet prej 25 deri më 29 shtator.

Pjesëmarrja e BKK-së në festival është rezultat i ftesës nga festivali në shkurt të këtij viti. Drejtori i këtij institucioni, Sinan Kajtazi, ka thënë se kanë zgjedhur pjesë nga repertori që përfshin lloje të ndryshme të stileve që aplikon Baleti. 

“Është prezantimi i parë i Baletit Kombëtar të Kosovës në Azinë e largët. Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantohet me pjesë nga tri shfaqje të repertorin tonë, me shfaqjen ‘Aeon’ që e pati premierën në qershor të këtij viti, me pjesë të baletit ‘Halili e Hajria’ dhe ato të ‘Tango Nights’. Kjo përzgjedhje është bërë për arsye se vetë festivali është multidisiplinar. Trupa nga e gjithë bota, mbi tridhjetë, do të marrin pjesë në këtë festival në të cilin prezantohen stile të ndryshme të vallëzimit si folklor, balet modern dhe klasik”, ka thënë Kajtazi. 

Ka bërë të ditur se Baleti prezantohet në pesë shfaqje gjithsej përfshirë prezantimin e shkurtër ku shfaqen të gjitha ansamblet pjesëmarrëse, si dhe katër shfaqje me sekuenca nga tri baletet. 

“Nga Aneon e Halili e Hajria nga pesë minuta, dhjetë nga Aneon pastaj performancë me karakter prezantues. Po ashtu, me shfaqjen “Tango Nights” me pesë minuta pjesë dhe parada, prezantim 20-sekondësh si rregull i festival. Ne jemi të angazhuar, kemi punuar fort që të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, siç kemi bërë në të cilat vendet dhe festivalet edhe kur nuk kanë qenë me karakter garues. Ne thjesht synojmë dhe presim të jemi në nivelin tonë, pjesa tjetër nuk na takon neve”, ka thënë Kajtazi. 

Festivali është shumëdimensional dhe ka edhe karakter garues. Drejtori Kajtazi ka thënë se vetë prezantimi  për herë të parë në një shtet aziatik është arritje. 

“Në radhë të parë, presim të shkojë gjithçka mirë dhe të mirëpritemi nga audienca atje. Është një përvojë jo e zakonshme për ne. Kemi udhëtuar nëpër Evropë, këtë vit jemi paraqitur për herë të parë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo kultura e Azisë së largët është diçka e panjohur për ne kështu që shpresoj se do të kalojmë mirë”, ka thënë ai derisa këtë moment e ka konsideruar historik. 

“Jo vetëm pjesëmarrja në Kore, por ky vit ka qenë historik duke pasur parasysh se kemi debutuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po debutojmë në Azi, kemi pasur shfaqje në Portugali për herë të parë, jemi paraqitur edhe në Paris. Besoj se i gjithë viti ka qenë vit historik për Baletin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Kajtazi më tej.

Balerini Fatmir Smani ka thënë se më i rëndësishëm se rezultati është prezantimi dinjitoz i kulturës së vendit në Korenë e largët. 

“Që nga fillimi i këtij viti, Baleti Kombëtar i Kosovës ka qenë i ngarkuar me shumë premiera, shfaqje, paraqitje jashtë vendit. Duke ditur që kemi qenë në New York, në Portugali, Francë e tani në Kore të Jugut edhe kjo besoj se do të jetë eksperiencë mjaft e mirë, siç na kanë treguar, pasi ansambli ‘Shota’ kanë qenë atje dy herë. Kjo do të jetë hera e parë në Kore e gjithashtu që marrim pjesë në një festival garues. Shpresoj se do të kalojmë mirë sido që të jetë çmimi, me rëndësi t’i shkëmbejmë kulturat dhe ta prezantojmë vendin në mënyrën më të mirë të duhur”, ka thënë Smani. 

“Në emër të ‘Cheonan Festival Committee’, është kënaqësi dhe nder të ftojmë grupin tuaj në 'Cheonan World Dance Festival 2024', që do të mbahet prej 25 deri më 29 shtator 2024 në qytetin Cheonan, Republika e Koresë", shkruhej në ftesën e Festivalit dërguar BKK-së.

Institucioni i Baletit do të prezantohet në atë që njihet si “qyteti kryesor i kombit” për shkak të vendndodhjes së tij 83,6 kilometra në jug të Seulit.

Festivali Botëror i Vallëzimit në qytetin Cheonan u mbajt për herë të parë në vitin 2003 dhe sivjet shënon 19-vjetorin e tij.

“Është zgjedhur tetë herë si një festival përfaqësues i arteve të skenës rajonale nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit për gjashtë vjet rresht. Është festival ndërkombëtar kërcimi që përfaqëson Korenë. Është zgjedhur si një festival nderi i kulturës dhe turizmit nga Ministria e Kulturës, Sporteve dhe Turizmit që prej vitit 2020. Kërcimtarët më të mirë do të mblidhen dhe do të konkurrojnë në mënyra të ndryshme në Festivalin e Vallëzimit”, shkruhet në adresën elektronike të ngjarjes.

Në edicionin e kaluar, ngjarja ishte hapur më 5 tetor dhe kishte vazhduar aktivitetin deri më datë 9 të atij muaji.