Përderisa kanë vërshuar kritikat për shtatoren e ish-kryeministrit britanik Tony Blair që u zbulua të mërkurën në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, autori i saj Agon Qosa thotë se ato nuk janë reale. I lidh me fushatë politike.
“Nuk kanë të bëjnë me realitetin a i përngjan apo nuk i përngjan. Edhe ambasadori (i Britanisë në Kosovë v.j.) që ka qëndruar shumë me të, ka thënë se Blairi është gëzuar kur ka dëgjuar dhe se ka thënë se do të donte të ishte aty, ta shihte. Për skulpturën jam bazuar në fotografi e video të Blairit, janë përzgjedhur ato më të vjetra, gjatë kontributit të tij në Kosovë”, ka thënë Qosa për KOHËN.
Kritikat në adresë së veprës së tij, tashmë kanë kaluar edhe kufijtë e Kosovës.
Mediumi i njohur britanik “The Independent” ka shkruar që “britanikët janë të bindur se shtatorja e Blairit në Kosovë është e Jason Donovanit”. Ka publikuar reagimet e disa lexuesve.
“Shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, e cila u zbulua në Ferizaj në 25-vjetorin e çlirimit ka lënë shumë njerëz në habi, pasi e kanë krahasuar me aktorin australian Jason Donovan. Një postim që ish-sekretari i Blairit shpërndau më pas, Alistair Campbell, u bë viral dhe ngjarja u kthye në komike. ‘Shtatorja e Tony Blairit u zbulua në Kosovë’, kishte shkruar Campbell. Por, komentuesit ishin të sigurt se ka ndodhur një gabim aty. ‘Është zbuluar shtatorja e Jason Donovanit. Duhet të ishte Tony Blair’, shkroi njëri”, ka shkruar “The Independent”.
Por Qosa krejt këtë e lidh me zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar më 4 korrik.
“Momentalisht atje janë zgjedhjet dhe sekretari i partisë e ka postuar shtatoren dhe e ka lavdëruar për të treguar se për udhëheqësin e tyre kontribuojnë edhe shtetet tjera. Rivalët politikë atje kanë nisur ta komentojnë, e kanë gjetur një foto të përafërt të dikujt që nuk i përngjan aspak. Mediat tona e kanë marrë dhe e kanë bërë të madhe. Kam punuar në këtë shtatore për gjashtë muaj dalëngadalë. Është e përmasave rreth dy metra dhe nuk ka shumë mundësi të shkojë përtej proporcioneve, karakterit”, ka thënë skulptori Qosa për KOHËN.
Punën për skulpturën ka thënë se e kishte filluar në nëntorin e kaluar dhe e ka përfunduar më 10 qershor. Edhe kjo, si shumë vepra të tij, është me porosi.