Procesi por edhe përzgjedhja e katër aktorëve të rinj në ansamblin rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës është parë si skandal jo veç prej konkurrentëve, por edhe nga akterë të rëndësishëm të skenës teatrore. Kurse institucioni mburret për proces të pastër e brenda mundësive që krijoi legjislacioni në fuqi. Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti janë katërshja e përzgjedhur për të qenë pjesë e institucionit më të lartë teatror në vend nga një konkurrencë prej 31 aktorësh
Teatri Kombëtar i Kosovës është bërë me katër aktorë të rinj në ansamblin rezident. Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti janë katërshja e përzgjedhur për të qenë pjesë e institucionit më të lartë teatror në vend nga një konkurrencë prej 31 aktorësh. Procesi, por edhe përzgjedhja është parë si skandal jo veç prej konkurrenteve, por edhe nga akterë të rëndësishëm të skenës teatrore. Kurse institucioni mburret për proces të pastër e brenda mundësive që krijoi legjislacioni në fuqi.
Të premten e të shtunën juria vlerësuese ka mbajtur në audicion nga 30 minuta secilin kandidat. Tre prej tyre, Arta Muçaj, Nëntor Fetiu e Rabije Kryeziu kanë munguar. Statuti i TKK-së bashkë me Rregulloren për ansamblin rezident përcaktojnë se juria vlerësuese kryesohet nga udhëheqësi artistik dhe pjesë e kësaj trupe janë edhe katër veta nga 8 që udhëheqësi artistik ia propozon Këshillit Drejtues. Por mënyra e përzgjedhjes është kritikuar edhe gjatë procesit.
Ismet Ramadani, aktor e së fundmi i emëruar drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, këngëtarja italiane Serena Abrami, udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, aktori italian e drejtori i Teatrit të Ravenas, Alessandro Argnani, regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Bekteshi, qenë anëtarët e jurisë. Si ndihmës i këngëtares Abrami, aty është ulur edhe basisti Enrico Vitali. Mehmeti qysh para audicionit kishte deklaruar se ka komunikuar me mbi 30 artistë vendorë, por kishin refuzuar për të qenë pjesë e jurisë.
Por në një pjesë të komunitetit artistik ajo që ka ndodhur me këtë audicion është prej skandaleve më të mëdha në skenën kulturore.
Dramaturgu, regjisori e profesori universitar, Fadil Hysaj, ka thënë se me konkurrencën që ka qenë, ka pasur mundësi të formohet një ansambël i klasit të parë. Ka marrë veç një shembull, Shpëtim Selmani, megjithëse ka thënë se shembuj për aktorë të nivelit të lartë në konkurs ka me bollëk.
“Të kesh aty një aktor të nivelit të Shpëtim Selmanit, që ka përvojë më të madhe se krejt juria bashkë, është nder. Ai është nivel i aktorit dhe krijuesit, artistit të vërtetë e me nivel të lartë intelektual që nuk e kanë as dy-tre teatro evropianë”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, dy italianët e jurisë nuk dinë të flasin shqip dhe teatri është gjuhë e fjalës e jo e trupit.
“Gjuha ka finesë, që nëse nuk e flet atë gjuhë nuk e kupton. S’mund t’i fusësh në audicion aktorët e karrierës. T’i thuash aktorit të karrierës këndoje një këngë, interpretoje një monolog, kjo është fyese. Mund të bësh intervistë, por jo audicion”, ka thënë ai. Sipas Hysajt, pyetje më vete është se a ka arritur juria t’i shikojë e vlerësojë CV-të e konkurrentëve.
“Shpëtim Selmani është nivel shumë i lartë. Ka kryerole, Çmim Evropian për Letërsi, e ta fusësh aty t’i bësh trajtim mizor duke i thënë të recitojë, nuk shkon. Ky konkurs duhet të anulohet pasi ka fyer aktorët e karrierës. Kjo çfarë është bërë është sikur t’i thuash një shkrimtari me alamet karriere, do të të vlerësojmë me atë që e shkruan këtu për gjysmë ore”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, duhet të ndërrohen rregullat e pranimit të aktorëve. Ka thënë se juria së pari duhet të merret e ta studiojë secilin që konkurron para se të shkojnë në intervistë.
“Kësisoj si ka shkuar, kjo vlen veç për pranim në fakultet. Në mesin e të refuzuarve ka aktorë që është dashur të ftoheshin pa konkurs fare. Rregullativa nuk thotë që anëtari i jurisë të jetë tri herë më i dobët se kandidati”, ka thënë Hysaj, i cili ka këmbëngulur se audicioni duhet të anulohet pasi është skandali më i madh që i ka ndodhur Teatrit Kombëtar të Kosovës qysh prej themelimit.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka reaguar duke thënë se në rrethana normale vetë Teatri Kombëtar do të duhej ta udhëhiqte këtë proces, pra t’i zgjidhte aktorët konform nevojave që ka, “pa pasur nevojë për ‘paterica’ ndërkombëtare”.
“Por realisht, TKK nuk ka nevojë për aktorë shtesë. Ka nevojë për rregull, për dinamizim e organizim të aktiviteteve e për një pastrim ‘me fshesë’ të plot aktorëve parazitë aty. TKK s’ka repertor për vitin 2025, ndërkohë merren aktorë të rinj ashtu paushall (le të gjenden, le t’u bëhet nga një rrogë), e ndërkohë këta që janë aktualisht, shumica janë në grevë, të pakënaqur me punën e me trajtimin që u bëhet”, ka reaguar Neziraj.
Sipas Nezirajt, i cili para më shumë se një dekade ka qenë për një mandat udhëheqës artistik i këtij institucioni, në krizë të thellë mosbesimi e kaosi në të cilën është zhytur TKK-ja, me kredibilitet përtokë, “natyrisht s’është në gjendje me i zgjedhë katër aktorë, për nevojat e veta (të cilat realisht s’i ka)”.
“E prandaj bën akrobaci të këtilla, duke ftuar mysafirë të jashtëm, ‘ndërkombëtarë’, ‘neutralë’, e të cilët natyrisht shiten te publiku (e publiku e blen këtë gjë) si ekspertët që kanë me nda drejtësi artistike dhe kanë me i zgjedhë më të mirët! Qysh? Me 30 minuta audicion?!”, shkruhet në reagimin e tij.
Neziraj pas publikimit të listës së aktorëve të pranuar ka thënë se rezultatet ashtu si edhe krejt procesi dëshmojnë për një komprometim të thellë të këtij konkursi.
“Është totalisht e papranueshme dhe jo e dinjitetshme kjo lojë e pistë që drejtuesit e TKK-së po e bëjnë me kolegët e tyre aktorë. Më falni, por nuk dua t’ia dij për një konkurs si ky që injoron Afrim Muçajn, Shpëtim Selmanin, Anisa Ismailin, Blerta Sylajn e plot të tjerë, që kanë dhënë prova të bollshme profesionalizmi artistik. Përnjëmend e turpshme, sidomos kur ky skandal kamuflohet me idenë e një ‘audiconi’, para ‘ekspertëve ndërkombëtarë’. Marre për besë!”, ka thënë ai.
Aktori Afrim Muçaj ka thënë se për të dhe për një pjesë të kolegëve aplikues ky rezultat ka qenë befasues dhe ofendues.
“Unë akoma nuk i kam të qarta kriteret mbi të cilat është bërë kjo përzgjedhje, nëse janë marrë parasysh përvoja dhe angazhimi shumëvjeçar i secilit prej nesh, apo komisionit i ka mjaftuar gjykimi dhe vlerësimi momental në audicion”, ka thënë ai. Ka treguar se numëron 11 shfaqje në Teatrin Kombëtar, si i ftuar nga jashtë, dhe dhjetëra shfaqje jashtë TKK-së, me vlerësime kritike pozitive të vazhdueshme.
“Nuk e di se çfarë do të duhej të bënte një aktor për t’u marrë në konsideratë në këtë konkurs. Nëse ka qenë politikë e TKK-së që të pranojnë vetëm gjeneratë të aktorëve fillestarë, është dashur të paktën ta vendosnin si orientim në konkurs, që të mos na torturonin neve të tjerëve që kemi një bagazh të dëshmuar artistik shumëvjeçar”, ka thënë ai.
Aktori Shpëtim Selmani ka thënë se është i zhgënjyer thellë. Me këtë arsyetim s’ka dashur ta komentonte procesin.
Udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se ideja ishte që TKK-ja ka nevojë për aktorë të gjeneratës 27-28-vjeçarë e deri në 35-vjeçarë. TKK-ja pa të pranuarit të hënën, numëron 22 aktorë në ansambël rezident. Sipas Mehmetit, urgjenca ekziston te moshat e pranuara me audicionin e fundit.
“Është proces në të cilin sikur ta shihja se diçka nuk po shkon mirë do të reagoja vetë. Për mua personalisht idealja do të ishte që TKK-ja të formojë një komision që i përcjell aktorët gjatë tërë vitit, i fton disa aktorë dhe ia propozon TKK-së duke pasur parasysh edhe përbërjen e ansamblit aktual”, ka thënë ai. Por, Sipas Mehmetit, përderisa legjislacioni në fuqi obligon se duhet audicion, ka qenë i obliguar të veprojë ashtu.
“Secili nga ne i ka dhënë katër emra. Vetëm një anëtar i jurisë e ka dhënë edhe një emër tjetër si mundësi për një nga aktorët konkurrent. Pra, mendimi për katër të pranuarit ka qenë unanim”, ka thënë Mehmeti.
Procesi i përzgjedhjes së aktorëve të ansamblit rezident është krejtësisht në dorë të udhëheqësit artistik. Kushtrim Mehmeti, që mban këtë pozitë, sipas Rregullores për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident, është ai që kryeson jurinë. Paraprakisht gjatë javës së kaluar kishte treguar se në juri pos tij janë dy emra ndërkombëtarë dhe dy shqiptarë.
“Nuk ka qenë ky vullneti im, por kam komunikuar me mbi 35 veta, përfshirë profesorë e artistë që kanë refuzuar të jenë pjesë e jurisë”, kishte thënë Mehmeti.