Kulturë

Artizania 96-vjeçare që mban gjallë xhubletën

Tole Berishaj dhe mbesa e saj Amantia në Pallatin e Brigadave në Tiranë, më 20 dhjetor 2022, në mbrëmjen e xhubletës

Viti 2022 ka shënuar njërin prej sukseseve më të madha të trashëgimisë kulturore shqiptare me futjen e xhubletës dhe të dijebërjes së saj nën mbrojtje të UNESCO-s. Lista e atyre që janë meritorë për këtë sukses është e gjatë, por në krye të saj është edhe Tole Lekë Berishaj nga Tuzi i Malit të Zi, artizania 96-vjeçare që mban gjallë xhubletën, e zanatin ia ka trashëguar edhe mbesës së vet

Tole Lekë Berishaj, 96-vjeçarja nga Tuzi, është njëra prej protagonisteve në shpalljen e xhubletës dhe të dijebërjes së saj si trashëgimi botërore e futur nga UNESCO-ja në “Listën e mbrojtjes urgjente”.

E lindur në Bajzë-Kastrat të Malësisë së Madhe dhe e martuar në Grudë-Berishaj të Malësisë së Tuzit, ajo është e vetmja artizane e mbetur që e prodhon dhe merret me restaurimin e xhubletës, por këtë profesion ia ka trashëguar edhe mbesës saj Amantias. Megjithëse e kërrusur nën peshën e viteve, do të udhëtonte nga Tuzi nën shoqërinë e mbesës për në Pallatin e Brigadave në Tiranë, për të marrë pjesë më 20 dhjetor në mbrëmjen e xhubletës, tashmë pasuri e deklaruar e mbarë njerëzimit. Nën shoqërimin e pandërprerë të mbesës Amantia dhe nipit Viktorit nga Pjetorshani i Malësisë së Madhe, kur pyetet se prej nga është, ajo përgjigjet shkurt: “Prej Shqipnie”.

Prej vitesh jeton në Tuz, ku ka hapur një atelie për prodhimin e veshjeve kombëtare, por që prej pesë vjetësh ka edhe ndihmën e mbesës Amantia.

Image
Xhubletë 150-vjeçare e restauruar nga 96-vjeçarja Tole Berishaj

“Kam 70 vjet që merrem me punimin e xhubletës”

“Kam 70 vjet që merrem me punimin e xhubletës që s’e kam heqë dore. Të vështira boll m’i punue janë kanë. I kam punu me qiri, e kurrë nuk kam pritue me i punu. Është shumë e zorshme me e punu dhe e ranë për me u bajt”, thotë Tolja.

Gjatë këtyre shtatë dekadave mund të ketë punuar mbi 200 xhubleta.

“Po mendoj ndoshta se nja 200 i kam punue, xhubleta veç të Malsisë. Se përpara sa dit gjo tjetër, veç xhubleta. Masanej nga e vona gjithkush i vesh të vetat, Kosova i ka të vetat, e këta këtej teposhtës i kanë si Malsia. I kanë punue krejt sipas qejfit. E Malsia s’i ka ndryshue”, thotë Berishaj. Në mbrëmjen e xhubletës Tolja është paraqitur me një xhubletë 150-vjeçare që e mbante veshur mbesa e saj Amantia.

Image
Gratë nga Malësia e Madhe duke ilustruar gjithë procesin e dijebërjes, që nga zgjedhja e leshit deri te endja në vegje e xhubletës

“Kjo xhubleta që e ka veshë mbesa i ka nja 150 vjet. Se nga gjyshja e stërgjyshja e kam trashëgue. E kam marrë e kam la e rregullue dhe e kam ba edhe një herë të re. Xhubletën po e bëj të re, po vetë s’po muj me u bo e re”, thotë duke bërë shaka mjeshtrja nga Tuzi. Tolja thotë me modesti se ajo punën me xhubletën nuk e ka bërë për ndonjë çmim, por e ka punuar që të mos zhdukej si veshje.

“As nuk e kam mendua që xhubleta do të vlerësohej nga UNESCO, as s’ëmë ka shkua ndërmend, por i kam punue që të mos humbasin se nuk i punonte kush ma. Se me i lanë edhe unë, atëherë do shkonte drejt zhdukjes”, thotë Tolja.

Trashëgimi i zanatit te mbesa

Zanatin ia ka trashëguar mbesës së saj Amantias, studente e “Fashion Design” në Universitetin e Podgoricës. Amantia Berishaj thotë se ka pesë vjet që merret me qepje dhe stilim të veshjeve kombëtare, përfshirë edhe xhubletën. Madje edhe temën për mbrojtjen e diplomës e ka për xhubletën.

“Ka pesë vjet që ia kam nis të merrem me veshjet kombëtare, duke i ndihmuar gjyshes dhe duke punuar më së shumti për fëmijë, kurse gjyshja për të mëdhenjtë”, thotë Amantia. Sipas saj, ky profesion është shumë i vështirë, por pasioni e dashuria i tejkalojnë ato.

Image
Bashkëshortët Lena e Gjeto Linadi nga Pjetroshani i Malësisë së Madhe

“Çdo pjesë e xhubletës duhet punuar posaçërisht me dorë dhe pa makineri. Por kur e do një gjë, ia del mbanë”, thotë Amantia. E reja nga Tuzi shpreh keqardhjen se të rinjtë nuk janë të interesuar që ta ushtrojnë këtë profesion, pavarësisht insistimit të gjyshes saj, Toles.

“Gjyshja ime do që shumë njerëz ta mësojnë këtë profesion, por askush nuk është i interesuar, prandaj unë vetë me shumë dëshirë të madhe për këtë veshje dhe posaçërisht për xhubletën, e kam marrë me shumë dashuri”, thotë Amantia. Ajo ndihet shumë e gëzuar që xhubleta u vlerësua ashtu siç duhet nga UNESCO-ja. Amantia Berishaj është edhe pjesëtare e ansamblit “Shqiponja” të Tuzit të Malësisë, i cili mori Medaljen e Artë në festivalin botëror të folklorit ”Bullgaria 2018”.

Një pjesë të madhe të suksesit në këtë festival, Amantia ia dedikon xhubletës. “Si pjesëtare e ansamblit ‘Shqiponja’ e kemi shfaqur xhubletën si një veshje shumë të veçantë në festivalet evropiane dhe botërore. Kemi fituar vendin e parë për tre vjet me radhë. Në këto festivale kanë qenë xhubletat që i ka punuar gjyshja ime. Në vitin 2018 në një festival botëror që u mbajt në Bullgari, ku morëm medaljen e artë të festivalit, unë kisha veshur këtë xhubletën dhe kur e ka parë juria ka thënë që xhubleta është një ndër veshjet më të vjetra në botë, mbi 4-mijëvjeçare. Ky festival mbahej në Bullgari, ku ishim mes 150 pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës. Jam shumë krenare që me këtë veshje kaq të bukur përfaqësuam kombin tonë”, thotë Amantia. Në mbrëmjen e xhubletës, 96-vjeçarja Tole Berishaj, në formë mirënjohjeje do t’ia dhuronte kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një xhubletë të punuar nga duart e saj.

Një xhubletë për dasmë

Edhe gratë e Malësisë Madhe në Shqipëri rrëfejnë se tradita është trashëguar brez pas brezi deri në ditë të sotme, kur me shpalljen e kësaj veshjeje si pasuri e njerëzimit, dijebërja devijon nga risku i zhdukjes.

Lena Linadi (73) bashkë me bashkëshortin Gjeto Linadi nga fshati Pjetroshan i zonës së Kastratit në Malësinë e Madhe i ishin bashkuar mbrëmjes së xhubletës në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Historia e çiftit Linadi është e veçantë. Dy familjet asokohe lidhën fjalën për këtë fejesë kur nënë Lena ishte vetëm 7 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Gjeto vetëm 10 vjeç. Gjeto Linadi tregon se si e priti gruan e tij derisa mbushi 18 vjet dhe se si ajo erdhi e veshur me xhubletë. Lena mban të veshur xhubletën e cila thotë se e ka trashëguar prej afro 150 vjetësh, ndërsa ia dhuroi gjyshja e saj.

“Xhubletën e kam veshur kur kam qenë vetëm 18 vjeçe. E kam veshur dhe mbajtur tri javë nuse. Dhe jam shumë e kënaqur për këtë xhubletë që ma trashëgoi gjyshja. Dhe gjyshes ia kanë trashëguar nana e gjyshja e disa breza me radhë e deri tek unë që e kam të veshur sot”, thotë ajo. Xhubletën ia ka kërkuar e bija në Angli dhe atë do t’ia dhurojë.

Image
Rita Shkurtaj-Kalaj, kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”

“Është një mrekulli që bota nuk e ka këtë xhubletë që e kena vesh ne në Malësinë e Madhe, vajza edhe gra. Ndaj ju bëj thirrje si mrena Shqipërisë e si jashtë saj, si vajzave e si djemve ta ruajnë këtë xhubletë”, thotë Lena Linadi. “Xhubleta për vajzat e gratë dhe çakshirët për djemtë e burrat në Malësinë e Madhe janë dy pasuri historike e kulturore që shënjojnë identitetin tonë kombëtar”, thotë bashkëshorti i Lenës, Gjeto Linadi.

Rita Shkurtaj (Kalaj) me profesion mësuese, është kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ajo e ka ruajtur prej vitesh xhubletën e trashëguar nga nëna e saj. “Lidhja e parë është lidhja gjenetike, sepse trashëgoj xhubletën e nënës sime me të cilën ajo është martuar”, thotë Shkurtaj. Xhubletën si aset që duhet ruajtur dhe trashëguar si kompleks vlerash. “E shoh dhe tek të tjerët se ka një tendencë në rritje për ta bërë xhubletën pjesë të pajës së vajzave”, thotë Shkurtaj. Veshja tradicionale e grave të veriut, ruajtur ndër breza aktualisht riciklohet, pakkush e punon xhubletën në punishte artizanale.

“Unë këtë e quaj si fazë e parë pas asaj fazës tjetër, por jo se nuk punohet fare, sepse ato që e punojnë sot me dorë nuk janë personazhe publike. Por jam e bindur që do të rikthehet si teknikë e punimit dhe dijebërjes nga fillimi deri në fund”, thotë ajo.

Në rrugë të mbarë për t’u rikthyer është që prej 28 nëntorit, kur xhubleta me rrënjë katër mijë vjet të vjetra, tashmë njihet si pasuri botërore.