Një artiste nga Shën Petersburgu e arrestuar në vitin 2022 duke protestuar kundër pushtimit rus në Ukrainë është përfshirë në shkëmbimin më të madh të të burgosurve që prej Luftës së Ftohtë midis Rusisë dhe Perëndimit.
Shkëmbimi ndodhi të enjten kur 16 persona nga SHBA, Gjermania dhe Rusia, duke përfshirë gazetarin amerikan, Evan Gershkovich, u shkëmbyen me tetë të burgosur rusë, vrasës dhe spiunë mes tyre.
Marrëveshja erdhi pas vitesh negociatash komplekse midis Uashingtonit dhe Moskës dhe kulmoi me skena emocionale ndërsa të burgosurit dolën të lirë në një pistë në kryeqytetin turk të Ankarasë.
Shkëmbimi ishte menduar të përfshinte liderin e opozitës ruse Aleksei Navalny, i cili vdiq në një burg në Arktik përpara se të lidhej marrëveshja.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris ishin të gatshëm për të pritur personalisht treshen e amerikanëve të liruar kur më në fund u rikthyen në tokën amerikane, ndërsa udhëheqësi rus, Vladimir Putin, përshëndeti rusët e kthyer në Moskë. Vadim Krasikov, vrasësi rus që vrau një luftëtar çeçen antiKremlin në Berlin, u përfshi në marrëveshje.
Artistja ruse, Sasha Skochilenko, u arrestua për zëvendësimin e etiketave të supermarketeve me informacione në lidhje me sulmin e Kremlinit në qytetin lindor të Ukrainës, Mariupol. Rusia gati e rrafshoi qytetin menjëherë pasi pushtoi Ukrainën në fillim të vitit 2022. Në një etiketë, Skochilenko gjoja shkroi, “ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol. Rreth 400 njerëz fshiheshin nga granatimet në të.” Ajo thuhet se donte të demonstronte se si liria e fjalës është kufizuar nën sundimin e Putinit.
Skochilenko u filmua duke buzëqeshur, duke veshur një këmishë të ndritshme dhe duke bërë forma zemre me duart e saj gjatë gjyqit të saj vitin e kaluar. Gjykatësi i dha asaj një dënim me shtatë vjet nëntorin e kaluar.
Shtetasi britanik rus, Vladimir Kara-Murza, i cili është gjithashtu një mbajtës i Kartës së gjelbër të SHBA-së, iu bashkua Skochilenkos në lirimin. Ata fluturuan nga Ankaraja në Këln, duke zbritur vonë të enjten në mbrëmje.
Shumë artistë të tjerë rusë mbeten të burgosur në Rusi. Anastasia Dyudayeva, gjithashtu nga Shën Petersburgu, dhe bashkëshorti i saj u shpallën fajtorë për vendosjen e pecetave të zbukuruara me slogane kundër Kremlinit në një supermarket. Një artiste anime nga Siberia e quajtur Tatiana Laletina u dërgua në burg për nëntë vjet me akuzën "tradhti shtetërore" për dhurimin e 30 dollarëve për një fondacion ukrainas. (Art News)