Kulturë

Artisti nga Kosova çon në Tiranë estetikën e hiperrealitetit

“Frozen Thoughts”, Shkamb Jaka, akrilik dhe vaj në pëlhurë, 2021, 160 me 110 centimetra

“Frozen Thoughts”, Shkamb Jaka, akrilik dhe vaj në pëlhurë, 2021, 160 me 110 centimetra

Shkamb Jaka vendin e tij në skenën artistike në Kosovë po e bën duke ndërtuar një identitet artistik multidimensional që lundron nëpër abstrakten tek lidh fije shkencore. Këtë do ta pasqyrojë edhe ekspozita e tij e re, e titulluar “Technotopia: Is This Hyperreal?”, e cila do të hapet në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë të premten e kësaj jave.

Në artin bashkëkohor, shpeshherë hiperrealiteti shfaqet si formë e një eksplorimi provokues të kufijve të përzier midis realitetit dhe simulimit. Artistët përdorin një sërë mediumesh duke filluar nga teknologjitë digjitale e deri te format tradicionale të artit, me një synim: t’i zhysin shikuesit në ambiente surrealiste që sfidojnë perceptimet konvencionale të tyre. Duke ekzagjeruar, deformuar ose amplifikuar realitetin, audienca në ekspozita të tilla inkurajohet që në nënvetëdije të ndërgjegjësohet për natyrën e përvojave të tyre në një kohë kur tempi i jetës nuk ofron komoditetin për të përjetuar një gjë të tillë. Aty shqyrtohen dhe kompleksitetet e ekzistencës moderne.

Këtë synon ta arrijë dhe artisti Shkamb Jaka, i cili hapin e parë drejt ekspozitës së tretë personale e hedh duke dialoguar me artin dhe teknologjinë si dy fusha që historikisht kanë komunikuar me njëra-tjetrën. Në fakt ai pyet. Në formë pyetjeje titullohet edhe ekspozita e tij. “Technotopia: Is This Hyperreal?” do të hapet të premten në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë.

“Në këtë ekspozitë e kemi një bashkim të këtyre dy formave të shprehjes së qenies. Së pari: ekspozita si vendi (topoi) ku manifestohet kjo shkathtësi (techne) poetike (poiesis) dhe së dyti: vepra si një manifestim ‘tekno-estetikë’, sepse formohet një simbiozë mes estetikës që është teknike dhe teknikës që është estetike. Ekspozita nëpërmjet këtij manifestimi tekno-estetikë e merr formën e një teknotopie. Pra, vendi ku piktura nuk është poezi e heshtur, por ku transformohet në poetikë të zhurmshme. Si rrjedhojë e kësaj zhurme të bardhë [white noise] ajo e zvetënon raportin mes reales dhe imagjinares, origjinales dhe artificiales e ky moment shënjohet si përjetimi estetik i hiperrealitetit”, shkruhet në konceptin kuratorial të shkruar nga Labinot Kelmendi për ekspozitën “Technotopia: Is This Hyperreal?” 

Shkamb Jaka, i cili studimet e nivelit bachelor dhe master i kreu në fushën e artit figurativ për pikturë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, deri tani ka arritur të realizojë dy ekspozita personale: “DisDeKodim” në vitin 2020 dhe "Spooky Action at a Distance” më 2021 në “Paper Gallery” në Prishtinë. Artin e tij ka pasur mundësi ta prezantojë edhe në ekspozita të ndryshme kolektive. Njëkohësisht ka qenë finalist në edicionin e vjetëm të çmimit “Artistët e së nesërmes” në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”. Veprimtaria e tij artistike bazohet kryesisht në trajtimin e pozicionit të vetëdijes njerëzore karshi teorive të ndryshme shkencore. Vëzhgimi i sjelljes njerëzore, përvojat personale, teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore janë baza në artin e tij. Aktualisht është i fokusuar te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i përkthyer ato në art vizual.

“Domensions of Narcissus”, Shkamb Jaka, 2021, akrilik dhe vaj në pëlhurë

Në ekspozitën “Technotopia: Is This Hyperreal?” do të zënë vend mediume të ndryshme, duke përfshirë pikturën, projektimin dhe zërimin. Me kombinimin e këtyre mediumeve artisti synon të krijojë një hapësirë në të cilën vizitori zhytet në botën të cilën ai e sforcon mbi të, duke e imponuar një këndvështrim personal të artistit krahas ngjyrimeve individuale të përvojave të shikuesit. 
Ekspozitën e fundit kishte nisur ta konceptonte qysh në vitin 2020. Por, tani e konkretizuar pret të shpaloset në Tiranë, njëherësh si ekspozita e tij e parë në këtë qytet. 

“Puna që do të shfaqet është kryesisht e bazuar në hulumtim, duke u fokusuar në tema specifike që mund të përfshijnë teori dhe eksperimente të ndryshme në lidhje me fizikën, sferën enigmatike të mekanikës kuantike, ku grimcat dhe valët mjegullojnë linjat e realitetit siç e njohim ne. Puna e paraqitur vjen si vend utopik virtual, duke u ndikuar nga idetë e Michio Kaku, Janna Levin, Einstein, Niels Bohr etj. Aty unë shpalos një botë tredimensionale, e cila mund të përjetohet vetëm nga një qasje katërdimensionale”, ka thënë Jaka në një prononcim për KOHËN, duke ndarë disa detaje mbi përmbajtjen e ekspozitës. 

Përfshirja që ua bën këtyre elementeve vjen si një tentim i tij për t’i materializuar nëpërmjet mediumeve të ndryshme gjetjet gjatë hulumtimeve në shkencat ekzakte. 
“Për mua, adresimi i këtyre temave do të thotë që unë mund t’i kuptoj këto grimca, të vendos zgjidhjet e mia dhe t'ia tregoj publikut si një formë materiali të prekshëm, qoftë pikturë, instalim apo video”, ka shtuar ai. 

Fakti se ai do të hapë ekspozitë për herë të parë në Tiranë për të përbën një veçanti. Është i entuziazmuar të shohë se si do të pritet arti i tij atje. 
“Meqë kjo është ekspozita ime e parë personale në Tiranë, publiku i ri gjithmonë të jep emocion të ri. Me shumë dëshirë e pres reagimin dhe kritikën të cilën do ta marr. Për më tepër, mezi pres të takohem me njerëz të ri e të shkëmbej ide të cilat edhe mund të më frymëzojnë për projekte të tjera në të ardhmen”, ka deklaruar Jaka.

Ekspozita pritet të jetë një ballafaqim me forma të ndryshme shprehjesh, të cilat do ta angazhojnë shikuesin me pothuajse secilën shqisë, e duke e marrë në konsideratë këtë edhe impakti nga ekspozita pritet të jetë evident. 

“Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, aparatuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?”, përfundon ndër të tjera Labinot Kelmendi në konceptin kuratorial të ekspozitës.