Një pikturë shumëngjyrëshe, që dikur përçonte tek audienca ndjesinë e një jetese të mirë, “pamëshirshëm” është mbuluar me të zezë. Artisti e ka ripikturuar veprën e formatit të madh bashkë me shumë të tjera.
Ai hedh të zezën mbi pëlhurë, derisa ajo të dominojë përmbi harmoninë e ngjyrave të ndezura, si simbolikë se e keqja sot ia ka zënë frymën lumturisë.
Veprat e ripikturuara janë reflektim artistik i Pajtim Osmanajt për ditët e errëta. Kësisoj i quan artisti ditët e pandemisë globale që e ka kapërthyer botën.
Emri i artistit të ri nga Kosova u mishërua me skenën pamore të New Yorkut kur e përditshmja prestigjioze “New York Times” ia dha epitetin “Banksy” kosovar. Ai po kalon ditët e distancimit social në New York. Ishte gushti i vitit 2015 kur NYT solli profilin e rioshit që i doli në pah arti i tij derisa po punonte në ndërtimtari. Pas orarit të punës dhe gjatë pauzave të drekës, Osmanaj pikturonte murale nëpër shkallë, bënte skulptura prej betoni dhe kishte transformuar kontejnerët në vepra artistike.
E tash i gjithë realiteti me të cilin po përballet njerëzimi pashmangshëm reflektohet në punën e tij artistike.
Në Amerikë 165 mijë janë prekur nga koronavirusi deri të martën.
Osmanaj ka rrëfyer për “Kohën” se pjesën më të madhe të kohës po e kalon në studion e tij.
“Deri para tri javësh kam qenë duke përgatitur ekspozitën personale që e kam pasur në plan ta mbaj në Ukrainë gjatë muajit prill, por që është dashur të shtyhet për datë të pacaktuar, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në gjithë botën. Sidomos këtu në New York gjendja po keqësohet gjithnjë e më shumë dita-ditës dhe janë mbi 70 mijë persona të infektuar deri më tani”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai nuk i është ndarë artit dhe është rreshtuar në mesin e krijuesve nga e gjithë bota që duket se janë në kulm të kreativitetit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.