Kulturë

“Artistët e së nesërmes” me tre finalistë “që provokojnë guximshëm”

“Stacion”

Dhjetë artistë kishin synuar të futen në garë për “Artistët e së nesërmes”, i cili prej vitit 2016 organizohet prej qendrës për art bashkëkohor “Stacion”

Artistët Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri janë tre finalistët për “Artistët e së nesërmes”, çmimit tradicional që organizohet prej qendrës për art bashkëkohor “Stacion”. Emrat e tyre dhe detaje të tjera, “Stacioni” i ka bërë të ditura të shtunën me komunikatë për media. 

“Pas shqyrtimit të dhjetë aplikimeve nga artistët që plotësonin kriteret e çmimit dhe pas diskutimeve të gjera, juria zgjodhi njëzëri tre finalistët, bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe vlerësimet e punës së tyre deri më tani”, shkruhet aty. Sipas komunikatës, të tre artistët “ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët”. Shpalosen edhe përshkrimet për secilin propozim. 

“Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimozës për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht”, shkruhet në përshkrim. Sipas jurisë, vepra e saj “luan me idenë e hapësirave ‘të ndërmjetme’ dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë”.

E, Luiza Thaqi prek çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën. 

“Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka qasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë”, shkruhet në përshkrim. 

I nominuari i tretë, Dion Zeqiri merret me “forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jo fizikës”. 

“Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar; ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë po ashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave meqë vazhdon të jetojë me ty”, shkruhet në përshkrim. 

Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes 2024” janë Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e “e-flux”, Berlin, Milana Dungjerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, dr. Vjollca Krasniqi, sociologe, profesoreshë e asociuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në New York dhe Stamboll dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes 2024”, do të hapet më 1 nëntor 2024 dhe fituesi si në edicionet paraprake, do të shpërblehet një program rezidencial artistik dymujor në New York, SHBA, në Residency Unlimited nga maji deri në qershor 2025 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të “Stacionit” më 2026.

Vitin e kaluar Renea Begolli e mori çmimin “Artistët...” për veprën “Skies extended” (Qiej të zgjatur) ku pozicioni teknologjik ishte parësor në vepër duke mos përcaktuar kufij se sa larg mund të shkojë ajo. Me art, Begolli mundësonte “ngjitjen” në qiell. Instilacioni me tekstil, nëpërmjet materialit të kaltër të thurur në formë të shkallëve, lidhte tokën me qiellin. Finalistë kishin qenë edhe Shkamb Jaka e Arbesa Musa. 

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamorë – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe të shoqërisë civile. 

Deri në vitin 2014, “Artistët e së nesërmes” organizohej nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Atë vit u mor vendimi që të organizohej çdo dy vjet. Por prej vitit 2016 çmimi kaloi në kompetencë të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” dhe mbeti ngjarje e përvitshme.