Kulturë

Arti “shkencor” përballë frikës e shpresës nga Inteligjenca Artificiale

Të vendosura në hapësira të mëdha dhe të pandriçuara, shumë nga veprat e artit inkorporojnë dritën dhe lëvizjen (Foto: Associated Press)

Të vendosura në hapësira të mëdha dhe të pandriçuara, shumë nga veprat e artit inkorporojnë dritën dhe lëvizjen (Foto: Associated Press)

Artistja e mirënjohur, Anicka Yi, po mban ekspozitën e saj të parë personale në Azi. Ekspozita në Pekin nëpërmjet qasjes novatore, ndaj artit, riimagjinon kufijtë midis jetës dhe teknologjisë. Në një kohë kur përparimet e shpejta në Inteligjencën Artificiale po provokojnë shpresë dhe frikë, artistja ofron mundësi të reja për të marrë në konsideratë natyrën e evolucionit njerëzor, krijimtarinë dhe format e shfaqura të bashkëjetesës

Si qelizat biologjike, apo meduzat nga thellësitë e oqeanit, tentakulat e veprës artistike “Radiolaria” lëvizin para vizitorëve të magjepsur. Vepra është pjesë e ekspozitës së parë personale të Anicka Yi në Azi. Artistja bashkëkohore është e njohur për teknikat e saj jo të zakonshme. Dhe ato janë të ekspozuara në Qendrën e Artit Bashkëkohor “UCCA” në Pekin, e njohur në gjithë botën.

Ekspozita me titull “Anicka Yi: There Exists Another Evolution, But In This One”, përfshin pothuajse 40 skulptura dhe vepra arti të krijuara nga artistja e njohur koreano-amerikane. Njëherësh e shënon vizitën e saj të parë në Kinë. Të vendosura në hapësira të mëdha dhe të pandriçuara, shumë nga veprat e artit inkorporojnë dritën dhe lëvizjen.

“Duhet të provosh gjëra të reja. Pasi nuk e kam vizituar Kinën më parë, nuk bëra një vizitë në terren, kryesisht sepse ka pasur pandemi nga koha kur konceptuam ekspozitën dhe tani. Unë vërtet merrem shumë me hapësirën. Ajo është kaq e rëndësishme për të përcaktuar se çfarë lloj narrative dhe historie mund të tregonim në këtë hapësirë, ishte vërtet pikënisja e gjithçkaje”, ka thënë Anicka Yi.

Hapësira e ekspozitës në Qendrën e Artit Bashkëkohor “UCCA” frymëzohet nga “izolimi” dhe “steriliteti klinik”, duke iu referuar laboratorëve, spitaleve dhe “anijeve kozmike të filmave fantastiko-shkencorë” (Foto: Associated Press)

Hyrja e ekspozitës përmban një korridor të gjatë metalik që zgjerohet në hapësirat e errëta të galerisë.

Hapësira e ekspozitës në Qendrën e Artit Bashkëkohor “UCCA”, sipas kuratorit të muzeut, Peter Eleey, frymëzohet nga “izolimi” dhe “steriliteti klinik”, duke iu referuar laboratorëve, spitaleve dhe “anijeve kozmike të filmave fantastiko-shkencorë”.

Yi, e cila ka lindur në Seul dhe jeton në qytetin e New Yorkut, ka pasur ekspozita të shumta personale në mbarë botën, përfshirë muzeun “Tate Modern” në Londër. Krijimtaria e saj shqyrton marrëdhënien midis biologjisë dhe teknologjisë dhe përdor një gamë metodash kreative si, “lëkura kombucha” e bërë nga fermentimi i çajit dhe sheqerit, dhe mbështjellëset e mëdha që varen nga tavani dhe janë krijuar nga algat.

Si pjesë e debutimit të saj në Kinë dhe e frymëzuar nga elementi i Inteligjencës Artificiale në punën e saj, Yi mori pjesë në një bisedë artistike për të bashkëvepruar me audiencën kineze lokale. Punëtori të imazheve të krijuara nga IA do të organizohen nga “UCCA” gjatë periudhës sa do të qëndrojë e hapur ekspozita.

“Është diçka emocionuese që të kesh mundësinë për të prezantuar punën e saj tek audienca këtu, sidomos duke marrë parasysh gamën e interesave të saj në teknologji – në veçanti Inteligjencën Artificiale dhe përparimet e saj në këta vjetët e fundit – si dhe përballjen mes kompanive të teknologjisë amerikane dhe kineze që ofron një lloj ure konceptuale”, ka thënë Eleey.

Veprat shqyrtojnë marrëdhënien midis biologjisë dhe teknologjisë dhe përdor një gamë metodash kreative si, “lëkura kombucha” e bërë nga fermentimi i çajit dhe sheqerit, dhe mbështjellëset e mëdha që varen nga tavani dhe janë krijuar nga algat (Foto: Associated Press)

Një numër i madh vizitorësh kuriozë pushtojnë ekspozitën, të intriguar nga shprehja artistike e artistes, Yi. Kuratorja e artit nga Pekini, Carlie Chang, ndihet e humbur në ekspozitë, pavarësisht asaj që ajo e sheh si shprehje “të përmbajtur” të artistes.

“Edhe pse gjuha e saj është shumë e rreptë, ajo i bën njerëzit ta përjetojnë një intimitet të zbehtë dhe të çuditshëm”, ka thënë Chang.

Për Anickan, kjo ekspozitë nuk është thjesht një mjet i dobishëm për të prezantuar punën e saj para një publiku të ri, por edhe një mundësi e ndërsjellë për të mësuar nga audienca lokale, falë shqetësimeve të përbashkëta për ekzistencën që ka ndarë me artistët kinezë të cilët i ka takuar.

“Janë vetëm këta lloj kufijsh dhe kufizimesh që i mbajnë këta binarë dhe këto dyzime, por ne kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe jam mirënjohëse që jam këtu dhe kam mundësinë të mësoj prej tyre”, ka thënë artistja.

Hyrja e ekspozitës përmban një korridor të gjatë metalik që zgjerohet në hapësirat e errëta të galerisë (Foto: Associated Press)

Nëpërmjet qasjes së saj novatore, multisensionale ndaj artit, Yi riimagjinon kufijtë midis jetës dhe teknologjisë. Në një kohë kur përparimet e shpejta në Inteligjencën Artificiale po provokojnë shpresë dhe frikë, artistja ofron mundësi të reja për të marrë në konsideratë natyrën e evolucionit njerëzor, krijimtarinë dhe format e shfaqura të bashkëjetesës.

Ekspozita “Anicka Yi: There Exists Another Evolution, But In This One” qëndron e hapur për publikun kinez deri në muajin qershor.