Ekspozita e Buron Kacelit kap lëvizjen dhe figurën njerëzore. Taban i veprave të tij është tradita. “Ky koncept kuratorial ka të bëjë me lëvizjen dhe dinamikën, që edhe unë mendoj se është karakteristikë e punës sime e artit tim. Më pëlqen të trajtoj figurën njerëzore në forma të ndryshme, në situata të ndryshme, në ambiente të ndryshme dhe një pjesë e këtyre është ekspozuar këtu”, ka thënë maestro Kaceli për ekspozitën e hapur në galerinë “Qahili”
“Arti Kallnorit” me Buron Kacelin, që në shikim të parë të veprave të tij është njashtu siç paralajmërohet ekspozita: një kremtim i fillimit të Vitit të Ri, një mundësi për t’u riformuar dhe frymëzuar nga arti dhe kultura. Në rastin konkret, pikturat e maestros që gjëllijnë pa hezitim në tabanin e traditës, zbërthejnë lëvizjen. Njëzet veprat e tij, në ekspozitën e hapur në galerinë “Qahili” janë thyerje elegante midis traditës dhe modernitetit.
E kuruar nga Nita Qahili, ekspozita ka qasje konceptuale duke u fokusuar kryesisht në dy elemente themelore. Pos lëvizjes, ndalet edhe te figura njerëzore. Pikturat e Kacelit, të cilat ndërthurin teknika tradicionale dhe eksperimentale, trajtojnë tema universale të jetës dhe përpjekjes. Figura njerëzore, e shpërfaqur përmes linjave fluide dhe ngjyrave dinamike, shfaqet herë si një simbol i forcës dhe herë si reflektim i brishtësisë së ekzistencës.
Kaceli (77) është shembull i gjallë i trashëgimisë artistike që kalon nga një brez te tjetri. Ai e ka trashëguar pasionin dhe talentin për artin nga i ati i tij, “Artisti i Merituar”, Sadik Kaceli (1914 – 2000), një shkollë më vete, themeltar i artit modern shqiptar duke frymëzuar breza të tërë artistësh. Te biografia e jashtëzakonshme e tij, shkruhet se ai është autori i kartëmonedhës së parë shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit kombëtar shqiptar, që s’u përshtat kurrë me realizmin socialist dhe për këtë u mënjanua nga diktatura.
Buron Kaceli, i frymëzuar nga tradita dhe rrënjët e tij, ka arritur ta zhvillojë këtë trashëgimi në një dimension tjetër, duke e përshtatur artin e tij me tendencat bashkëkohore. Edhe ekspozitat, në biografinë e artistit që mban titullin “Mjeshtër i madh”, ndahen në dy “periudha”: gjashtë para ndryshimit të sistemit dhe dhjetë pas ndryshimit të sistemit.
Në njërën prej veprave të ekspozitës së tij të parë personale në Prishtinë, autori shfaq elemente të Valles së Rugovës, duke e paraqitur atë si një pjesë thelbësore të traditës shqiptare. Kjo valle, e njohur për harmoninë e saj dhe përzierjen mes forcës dhe elegancës, përfaqëson jo vetëm një formë të shprehjes kulturore, por edhe një lidhje të thellë shpirtërore mes brezave. Në trajtimin e saj artistik, Kaceli nuk kufizohet vetëm në riprodhimin vizual të lëvizjeve apo kostumeve, por sjell në vëmendje një dimension më të thellë simbolik – atë të unitetit dhe identitetit kombëtar. Ngjyrat, linjat dhe lëvizjet në këtë pikturë duket se ndjekin një ritëm të veçantë, që pasqyron përpjekjen për ta ngritur traditën në një nivel universal.
Në një tjetër pikturë, punëtori i armatosur me pushkë paraqitet duke punuar mes dy qeve në ara. Është një thyerje e qartë midis elementeve tradicionale dhe atyre që lidhen me tensionet historike e sociale. Kësisoj piktura nuk është thjesht një pasqyrë e një realiteti rural, por një reflektim kompleks i një epoke dhe i dualitetit të jetës së përditshme të asaj kohe.
Piktura e radhës paraqet djaloshin me grumbull flamujsh shqiptarë dhe me veshje kombëtare. Ngjyrat e forta dhe kontrastet vizuale shprehin energjinë, ndërsa përqendrimi te simbolika thekson dëshirën për të kultivuar ndërgjegjen kombëtare përmes artit.
“Figura njerëzore është një element qendror në artin e mjeshtrit Kaceli, i njohur për aftësinë e tij për të tërhequr vëmendjen, veçanërisht në skena me nivele të ndryshme të ndërveprimit shoqëror. Studimet tregojnë se kur një pikturë përfshin një figurë njerëzore, shikimi i vëzhguesve tenton të përqendrohet tek ajo”, është shpjegimi që kuratorja Nita Qahili ia bën veprës së Kacelit, veprat e të cilit ndodhen në institucione të ndryshme të Shqipërisë si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Më 1978 në Beograd, çoi “Tokën shqiptare”. Ka punuar edhe si restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës (1971-1974), piktor ilustrator në Shtëpinë e Librit “Libri Shkollor” (1980-1992), drejtor për Kulturë në Bashkinë e Tiranës (1992-1996), deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1996-1997), zëvendësdrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve (2009-2014) e të tjera.
Ndikimi i traditës dhe modernizmit në artin e tij krijon ura midis kohësh duke shprehur identitet unik që mbështetet në rrënjët kulturore shqiptare. Koha në fakt është në lëvizje.
“Ky koncept kuratorial ka të bëjë me lëvizjen dhe dinamikën, që edhe unë mendoj se është karakteristikë e punës sime e artit tim. Më pëlqen të trajtoj figurën njerëzore në forma të ndryshme, në situata të ndryshme, në ambiente të ndryshme dhe një pjesë e këtyre është ekspozuar këtu”, ka thënë piktori Kaceli, të enjten mbrëma në vernisazhin e ekspozitës së tij.

Kaceli ka thënë se të trajtohet figura njerëzore për artistin është domosdoshmëri sepse përmes figurës njerëzore gjithmonë arti botëror ka shprehur idetë e veta. Aty artisti shpreh botëkuptimin e vet, mendimin që ka për jetën, për shoqërinë e këtu është një pjesë e punës që ka të bëjë edhe me gëzime me dasma qytetare, me valle, por edhe me një moment lufte.
“Në pikturat e mia kam vazhduar me traditën e cila më pëlqen natyrisht duke i futur element të ri, një traditë që të jetë pikturë e kohës dhe shpresoj të jetë një realizëm modern”, ka thënë ai.
Ky ndërveprim mes linjave dhe lëvizjes, i cili e karakterizon qasjen artistike të Kacelit, përbën një fushë të veçantë studimi dhe vlerësimi në ekspozitën e tij. Përzgjedhja e punimeve që reflektojnë ndjenjën e lëvizjes nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por një mënyrë për të theksuar individualitetin e çdo krijimi. E, përzgjedhja është një dëshmi e ndjeshmërisë dhe përkushtimit që kanë kuratorët dhe artistët për të nxjerrë në pah veçantinë e secilës vepër dhe lidhjen e saj me një temë më të gjerë.
“Puna e Kacelit është një punë që e ka një veçanti për shkak se e kombinon vijën, kombinon elementet e lëvizjes së figurave dhe karaktereve nëpër pëlhura dhe në të njëjtën kohë kombinimin e ngjyrave që krijohet njëfarë harmonie që mund ta shohësh në momentin që është në një pozicion specifik”, ka thënë kuratorja Nita Qahili. Sipas saj, ka qenë interesante të përzgjedhë punimet që kanë lëvizje e të tilla ka pasur shumë.
Piktori Naim Spahiu ka thënë se ekspozita e Kacelit është dëshmi e një artisti, i cili nga tradita familjare e deri këtu, ka sjellë një art të mirëfilltë modern, duke i ikur nga pak edhe realizmit socialist, por me një shprehje bashkëkohore.
“Në veprat e Buronit vërehet saktë një lëvizje e figurave dhe një vizatim modern i cili është sa real aq surreal, por e rëndësishmja është që koloriti shumë i ndjeshëm i Buronit dhe këto motive që i ka sjellë nga traditat tona shqiptare, krijojnë një identitet të pashlyeshëm historik. Sonte manifestohen përmes pikturës dasmat, ahengjet, përshkrimi burimor që vjen nga vetë Buroni si artist i mirëfilltë shqiptar”, ka thënë Spahiu.
Për galerinë “Qahili”, “Arti Kallnorit” përmes një dialogu të hapur dhe ndërveprimit mes artit dhe komunitetit, “synon të frymëzojë pjesëmarrësit për të menduar më thellë dhe për të shprehur qëllimet e tyre për vitin e ardhshëm”.
“Kjo hapësirë bëhet një pikë takimi simbolike ku vizionet dhe aspiratat përplot 12 muaj marrin formë, duke nxitur jo vetëm krijimin artistik, por edhe zhvillimin personal dhe kolektiv”, ka shkruar galeria.
E, nisja e këtij rrugëtimi me maestro Kacelin është përzgjedhje e qëlluar.