Piero Dorazio, Gabrijel Stupica, Jean-Michel Folon, Andy Warhol, Emilio Greco, e Gottfried Helnwein janë vetëm disa nga emrat, veprat e të cilëve tash e disa javë bëhen bashkë në një ekspozitë unike në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë është edhe një dëshmi e radhës për fondin e pasur që institucioni më i lartë i artit pamor në vend posedon. Bëhet fjalë për një komisionim të veçantë që kishte ngjarë në vitin 1984, kur Sarajeva po përgatitej të ishte nikoqire e Lojërave Olimpike Dimërore. Me objektivin që kësaj ndërmarrjeje gjigande sportive t’i shtohej dhe dimensioni kulturor e artistik, Komiteti Olimpik Jugosllav nisur nga nisma e botuesit “Visconti Art”, Lazo Vujić, kishin qenë arsyet e lindjes së “portofolit” me titullin “Arti dhe Sporti”. Në shikim të parë, sipërfaqësor e vetëpërshkrues, ky titull merr kuptim me emrat pjesëmarrës në të. Piero Dorazio, Jean-Michel Folon, Emilio Greco, Gottfried Helnwein, Howard Hodgkin, Dzevad Hozo, Kyu-Baik Hwang, Jiri Kolàr, Henry Moore, Mimmo Paladino, Michelangelo Pistoletto, James Rosenquist, Giuseppe Santomaso, Cy Twombly, Andy Warhol, Francesco Clemente dhe Yozo Hamaguchi, janë emrat e artistëve ndërkombëtarë dhe jugosllavë të kohës të cilët ishin komisionuar të punonin grafika enkas për Lojërat Olimpike Dimërore. Vendimi për mbajtjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Sarajevë ishte shpallur më 18 maj 1978, gjatë sesionit të 80-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Athinë. Ndërkaq Lojërat ishin zhvilluar nga 8 deri më 19 shkurt të vitit 1984, në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, asokohe republikë e Federatës së Jugosllavisë. E në koleksionin e porositur ishin realizuar 16 grafika e dy posterë, secila e kopjuar në 200 copë për t’u shpërndarë pastaj nëpër arkiva të ndryshme nëpër shtetet jugosllave dhe më tej. Kopjet e tyre përfunduan edhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Një letër e gjetur në arkivin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e datës 13 qershor 1985, dokumenton po këtë korrespondencë të veçantë. Atë mes “Muzej XIV ZOI”, e cila miraton pikërisht këtë vendim për të dhuruar këtë seri të portofolit “Arti dhe Sporti” përmes drejtorit të Muzeut Olimpik në Sarajevë dhe atëherë drejtorit të asaj që ishte Galeria e Artit, artistit Shyqri Nimani. E pjesë e arkivit të GKK-së veç veprave janë edhe efemeret gjegjëse që e dokumentojnë këtë shkëmbim institucional, prej fillimit të bashkëbisedimit mes tyre, vendimit e deri te vizita e artistit Engjëll Berisha – në atë kohë kurator i GKK-së – për në Sarajevë, ku edhe e kishte pranuar koleksionin për ta sjellë pastaj në Kosovë.
E se si kishin arritur deri te formimi i këtij fondi special, tregon kuratorja e GKK-së, Hana Halilaj, e cila ka bërë të ditur se këto vepra vijnë të ekspozuara së bashku për herë të parë që nga viti kur ishin pranuar si pjesë e fondit. Deri tani grafikat e koleksionit “Arti dhe Sporti” ishin ekspozuar tek tuk vetëm në kuadër të ekspozitave që i ishin përkushtuar promovimit të teknikës së grafikave.
“Në këtë rast bashkëpunimi me ‘Visconti art’ vjen duke ftuar një numër të artistëve të njohur ndërkombëtarisht dhe i kanë komisionuar për të prodhuar një grafikë e cila është e lidhur me tematikën e Lojërave Olimpike, Lojërave Dimërore ose me qytetin e Sarajevës. Në esetë e ‘Visconti art’ që mund të gjenden ‘online’ tregohet se si e ka takuar Andy Warhol, Henry Moore, Gabriel Stupica, Jieri Kolar, Michel Folon e shumë artistë të tjerë të njohur të cilët më pas kanë dorëzuar këto printe. Secili print është i madhësisë së njëjte dhe është në 200 kopje origjinale, më pas koleksioni ka qenë si ‘portofoli’ e në rastin e Galerisë Kombëtare janë pranuar 2 posterë dhe gjithsej 16 grafika. Koleksioni dhe vepra të caktuara të tij janë prezantuar disa herë në GKK, por gjithmonë si pjesë e ekspozitave rreth mediumit të grafikës, do të thotë asnjëherë vetëm dhe kemi menduar që këtë radhë të jetë fokusi te portofoli si tërësi që është e pranuar në GKK ”, ka thënë Halilaj.
Në përmbajtje secila nga grafikat kap esencën e vrullit artistik të zhvilluar në fund të shekullit të 20-të. Ngjyrat e ekspresionizmi në kulm. As format e ndryshme stilistike e imazhet e skiatorëve nuk mungojnë. Të gjithë artistët i qëndrojnë besnikë shprehjes së tyre specifike, duke përdorur elementet formale të gjuhës së zhvilluar gjatë viteve të pranisë së tyre krijuese në artin botëror. Por, mbi të gjitha, çdo printim i përfshirë në portofol është në të njëjtën kohë një kontribut i veçantë në vazhdimësinë e orientimit të tyre artistik, e tema është një shtysë shtesë e cila i ka çuar në pikërisht këto produkte finale. Simbioza e idesë personale dhe lajtmotivit të sportit. Në këtë koleksion pa dyshim paraqitet si një qasje kreative e interesante, sidomos kur observohet rëndësia e kësaj ngjarjeje dikur, në raport me entuziazmin e sotëm karshi Lojërave Olimpike në Paris, që për koincidencë përkojnë me ekspozitën “Arti dhe Sporti”.
“Gjatë hulumtimit për me riprezantu dhe me kuptu historinë e këtij koleksioni kemi ardhur në përfundim që ka qenë një iniciativë e veçantë përfshirja e gjithë këtyre artistëve të njohur për të prodhuar diçka në rastin e këtij organizimi. Në një dokument që e kam lexuar në këtë rast gjatë studimit e kam parë që për shembull ka qenë një hulumtim rreth Lojërave Olimpike që i referohen edhe këtij portofoli, por që ka qenë një studim më i thellë i të gjitha imazheve. Nuk më duket që ka pasur iniciativa të tilla sivjet në Paris, por kanë ndryshuar kohërat dhe gjithçka është orientuar kah ana digjitale, por e veçanta e këtyre është se secili shtet ka qasje ndryshe në organizimin e tyre”, ka shtuar Halilaj.
“Skis” është njëra nga veprat që vizitorët mund të shohin në këtë ekspozitë. Ka nënshkrimin e artistit të njohur çek, Jiří Kolář, ku paraqiten skitë me një sfond të bardhë, por të mbushura me fjalë në gjuhën çeke nga tekste të ndryshme, pasi që vetë autori njihet para të gjithash si shkrimtar e poet. Në njërën nga skitë janë imazhe të konstalacioneve yjore, ndërkaq në anën e majtë paraqiten krahë zogjsh shumëngjyrësh që i japin në tërësi veprës një përbërje abstrakte. Në anën e djathtë të kompozimit shohim edhe një peizazh dimëror të Sarajevës me një efekt pasqyrimi që duket se është arritur me prerjet horizontale të imazhit origjinal nga artisti. Pa dyshim që vëmendjen aty e merr dhe një grafikë tjetër, mjafton emri i autorit. Andy Warhol duke mbivendosur ngjyra të ndryshme mbi njëra-tjetrën, formon një katror të zi në të cilin krijohet përshtypja se po kalon furishëm patinatori. E veç fabulës në të kjo grafikë në ato Lojëra Olimpike ishte shndërruar dhe në postier, i cili ishte parë ngado nëpër rrugët e Sarajevës. “The Celebration” nga artisti italian Michelangelo Pistoletto është një parafytyrim i një qasjeje krejt unike në mesin e të tjerave. E punuar në folie alumini, i përgjigjet reflektimit të cilitdo që i del para, si një pasqyrë, por në mes është një balonë ngjyrë rozë me rrathët olimpikë në të.
Kopjet e veprave nga ky portofol ”Arti dhe Sporti” janë pjesë e shumë koleksioneve në botë, duke përfshirë atë të Muzeut të Artit Modern në New York, në Britaninë e Madhe, nëpër koleksione private dhe në atë të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup. Por, ajo çfarë e bën edhe më të veçantë ekspozitën dhe vetë koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës është dhe përmbajtja e efemereve të ndryshme që përkojnë me koleksionin e grafikave në fjalë.
“Arkivat e GKK-së për mua janë shumë të rëndësishme dhe gjatë këtij viti kemi bërë të pamundur që në çdo ekspozitë të mundohemi të tregojmë se sa të pasura janë këto arkiva të galerisë, fatkeqësisht nuk janë plotësisht të qasshme, por arkivi i galerisë është mjaft i pasur dhe është ruajtur i tëri, kështu që nuk ka ekspozitë e eveniment që është organizuar në galeri të cilin nuk mund ta shohim nga materialet arkivore, ecurinë e tyre. Duke e pasur parasysh mungesën e historisë së artit në vend, personalisht kam menduar se qysh kanë përfunduar në galeri, si ka ardhur deri te fakti se si këto vepra janë bërë pjesë e galerisë, edhe pse kanë qenë të prezantuara më parë, por gjeneratat ndërrojnë, audienca ndryshohet. Është me rëndësi që jo vetëm të prezantojmë ekspozita, por edhe të provojmë të krijojmë diskurs më të gjerë i cili kontekstualizon veprat qe i paraqesim në galeri, sidomos për ekspozitat retrospektive”, ka shtuar Halilaj.
E lidhur me këtë synim Galeria Kombëtare duket se tashmë e ka kapur tempin. Ofron copëza të historisë së vetë institucionit vazhdimisht duke ofruar ambient adekuat që të zgjerohet diskursi përtej asaj që ekspozohet. “Udhët që më njohin” nga artisti Rron Qena është ekspozita tjetër, e cila vazhdon të jetë në dispozicion në kuadër të programit vjetor të GKK-së, e cila pritet të përfundojë më 1 shtator të këtij viti.