Libri “Arti bashkëkohor 1” nga Milot Gusia, profesor i dizajnit e kritik arti, nëpërmjet analizave të 40 ekspozitave zbërthen jo vetëm transformimin e artit, por edhe atë shoqëror, politik dhe teknologjik. Kësisoj një vepër si kjo është ftesë për ta kundruar ndikimin e shumanshëm të artit dhe njohjen e fuqisë së tij për të ndikuar në botën përreth e mbi të gjitha për t’u bërë reflektim i saj. “Arti bashkëkohor është duke u transformuar në një fushë të gjerë, e cila është në një evoluim konstant dhe po reflekton te ndryshimet politike, sociale dhe teknologjike”, ka thënë Gusia në përurimin e librit të tij
“Arti bashkëkohor” nga Milot Gusia formalisht vjen si përmbledhje recensionesh e shkrimesh publicistike për artin duke përfshirë krijimtarinë e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Por, në esencë është reflektim i proceseve të transformimit shoqëror, politik dhe teknologjik që përvijohet nëpërmjet artit që vazhdon të evoluojë në një fushë të gjerë e dinamike, duke thyer kufijtë tradicionalë të shprehjes artistike.
Në këtë kontekst krijimtaria bashkëkohore është mishërim i një ndërveprimi kompleks mes njeriut, shoqërisë dhe teknologjisë pasi artistët nëpërmjet mediumeve të reja dhe teknikave eksperimentale sjellin në pah temat më urgjente të kohës. “Arti bashkëkohor” – në vëllimin e parë të përuruar të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës – tek analizon 40 ekspozita, dëshmon se arti nuk është vetëm një platformë estetike, por edhe një mjet për ndërgjegjësim, përfshirje dhe ndryshim.
Pikërisht ky është fokusimi i Milot Gusisë në veprën e tij, i cili nëpërmjet analizave ofron një pasqyrë të qartë të angazhimit të artistëve në eksplorimin e çështjeve të tilla si drejtësia sociale, ndryshimet klimatike, identiteti dhe kujtesa kolektive. Kësisoj “Arti bashkëkohor” është ftesë për ta kundruar ndikimin e shumanshëm të artit dhe njohjen e fuqisë së tij për të ndikuar në botën përreth.
Milot Gusia ka thënë se libri “Arti bashkëkohor 1” është rezultat i shkrimeve të tija publicistike artin bashkëkohor bazuar në një përzgjedhje ekspozitash gjatë periudhës 2021-2023.
“Ajo se çka kam arritur si konkluzion nga ky hulumtim që e kam bërë për tre vjet, duke përfshirë skenën vendore dhe ndërkombëtare, është se kam vërejtur që arti bashkëkohor është duke u transformuar në një fushë të gjerë, e cila është në një evoluim konstant dhe po reflekton te ndryshimet politike, sociale dhe teknologjike të kohës në të cilën po jetojmë. Pra arti është i ndikuar nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik në botë dhe kjo është duke u reflektuar tek arti vendor”, ka thënë Gusia.
Ka thënë se artistët vendorë janë duke përdorur një varg mediumesh, duke përfshirë teknologjinë digjitale për të eksploruar çështjet aktuale. Thekson se ndryshimet klimatike, drejtësinë sociale, identiteti dhe kujtesa unike kolektive vendore dhe periudha historike nëpër të cilën shoqëria ka kaluar, janë çështjet qe prekin artistët vendorë.
“Duke formuluar perspektivat personale, artistët përmes veprave të tyre e kanë bërë dhe janë duke e bërë audiencën e vet pjesëmarrëse aktive në proceset e transformimit. Prandaj këto ekspozita janë duke transformuar edhe audiencën, edhe vetë publikun e përgjithshëm vendor. Kështu, duke formuluar perspektivat personale të tyre, të jetës dhe të rrethanave në të cilat ata po jetojnë, përmes veprave të tyre, ata janë duke e vetëdijesuar opinionin tonë për ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë tonë”, ka thënë Gusia, profesor në Fakultetin e Dizajnit të Integruar (UBT).
Është ndalur edhe te realiteti virtual për ta krijuar veprën interaktive dhe zhytëse e që ka një efekt mjegullimi midis botës fizike dhe digjitale.
“Ajo çka është prezentë, është se po shtohen zgjatjet trupore apo body extensions, që po ngrihen në një nivel të ri përmes shtimit të instrumenteve të veshura, sidomos te disa artistë avangardë të Kosovës të cilët kanë studiuar në programet ndërkombëtare dhe po arrijnë gjithnjë e më shumë një famë të madhe në skenën e artit avangardë ndërkombëtar”, ka thënë Gusia.
Përdorimi i këtyre instrumenteve në vepra, sipas tij, fut nocione të reja më të thella në art.
“Gjithashtu po spikaten gjithnjë më shumë çështjet politike dhe sociale në art. Shumë artistë janë duke përdorur veprat e tyre për të komentuar vizualisht rreth temave të ndjeshme të imigrimit, kujtesës kolektive, racizmit dhe krizave të theksuara të refugjatëve që janë gjithnjë e më shumë dominuese në botë“, ka thënë ai, duke shtuar se arti është duke u bërë një medium që u i mundëson artistëve të rinj t’i shprehin liritë e tyre, si gjinore, seksuale dhe shprehjen e revoltës së tyre edhe përballë politikës.
“Ata janë duke përdorur krijimtarinë e tyre për t’u dhënë zë komuniteteve të margjinalizuara dhe për t’i sfiduar sistemet e fuqisë dhe shtypjes, që janë gjithnjë e më shumë aktuale në artit e sotëm. Një prej aspekteve të rëndësishme në fund janë edhe mjedisi dhe qëndrueshmëria, brenga gjithnjë më të rëndësishme dhe të shprehura fuqishëm te artistë e rinj”, ka thënë Gusia.
Libri hapet me tekstin për ekspozitën e Alban Mujës “Whatever Happens. We Will Be Prepared”, kuruar nga Maria Isserlis e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe që ishte derivat i “Albumit familjar”, që më 2019 përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
“Arti bashkëkohor” në gati 300 faqe sjell detajet e analizat për ekspozita. Përmbyllet me biografitë e artistëve të përzgjedhur dhe me një përmbledhje të galerive jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.