Kulturë

Arti Bashkëkohor në ndërveprim me tradicionalen në “Autostrada Biennale”

Autostrada Biennale

Për këtë edicion është bërë e ditur se ekspozitat do të shpalosen në disa monumente historike. Midis tyre janë Sahatkulla, Shtëpia e Shani Efendiut dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. Vepra ekzistuese e ato të komisionuara synojnë të nxisin dialog duke reflektuar në të kaluarën (Foto, ilustrim nga edicioni i kaluar)

“Lidhja midis trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor në këtë edicion të ‘Autostrada Biennale’ është e ngushtë dhe ndërvepruese. ‘Bienalja’ synon të krijojë një dialog dinamik mes monumenteve historike dhe veprave të artit bashkëkohor, duke angazhuar artistët të ripërfytyrojnë narrativat historike përmes ndërhyrjeve artistike”, ka thënë kuratori Erzen Shkololli derisa ka zbuluar shkurt edhe temat që do të eksplorohen

Arti e kultura janë jehona e emrit të Kosovës në botë. Aty frymojnë e marrin formë me identitetin e vendit. Prizreni është një prej destinacioneve qendrore. “Autostrada Biennale” është njëra dhe bëhet qendër e artit bashkëkohor jo veç në vend, por më gjerë. Nën temën “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” me Erzen Shkolollin kurator, ngushtohet lidhja midis trashëgimisë kulturore e artit bashkëkohor. Sipas kuratorit, artistët trajtojnë tema globale si migrimi, kujtesa identiteti, duke u ngushtuar deri në aspektet historike të vendit nga artistë lokalë.

Një prej ngjarjeve më të mëdha jo veç në Kosovë, por e vlerësuar shumë edhe nga kritika e artit, është rreth katër muaj larg. Nga 5 korriku deri me 5 tetor, ngjarja synon të jetë në hartën ndërkombëtare të botës kulturore.

Në edicionin e pestë me të cilin shënohen dhjetë vjet veprimtari, “Autostrada Biennale” ka ftuar artistë të brezave dhe vendndodhjeve të ndryshme që të shtrijnë artin e tyre në hangar e në monumente kulturore e historike të qytetit.

Sipas kuratorit Erzen Shkololli, ekspozimi i veprave të këtyre artistëve e vendos Kosovën në hartën e bienaleve të rëndësishme.

“Ekspozimi i veprave të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë është i rëndësishëm pasi ndihmon në krijimin e një shkëmbimi kulturor ndërkombëtar dhe vendos Kosovën në hartën e bienaleve të rëndësishme. Kjo kontribuon në zhvillimin e skenës artistike lokale dhe krijon një dialog të vazhdueshëm mes të kaluarës dhe të tashmes, duke u dhënë një kontekst të ri monumenteve historike”, ka treguar Shkololli në një bisedë të shkurtër me shkrim për KOHËN.

“Autostrada…” edhe në edicionin e kaluar e kishte veshur Qendrën Historike të Prizrenit me art. Por kësaj here thellohet më shumë. Monumentet e trashëgimisë kulturore do të strehojnë artin bashkëkohor që sjell ngjarja tanimë me nam. Tradicionalja me modernen do të jenë dialogu i këtij edicioni, sipas konceptit kuratorial e njëjtë është shprehur edhe vetë kuratori Shkololli.

“Lidhja midis trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor në këtë edicion të ‘Autostrada Biennale’ është e ngushtë dhe ndërvepruese. Bienalja synon të krijojë një dialog dinamik mes monumenteve historike dhe veprave të artit bashkëkohor, duke angazhuar artistët të ripërfytyrojnë narrativat historike përmes ndërhyrjeve artistike”, ka thënë Shkololli derisa ka zbuluar shkurt edhe temat që do të eksplorohen.

“Pjesëmarrësit eksplorojnë temat e kujtesës, mitologjisë dhe trashëgimisë materiale, duke krijuar një lidhje organike mes së vjetrës dhe së resë. Monumentet historike, si Sahatkulla dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës, nuk janë vetëm hapësira ekspozimi, por janë gjithashtu pjesë aktive të ‘Bienales’, ku arti bashkëkohor krijon një ndërveprim të ri me historinë”, është shprehur ai.

Por ka edhe të tjera tema si migrimi e identiteti ku artistët vendorë e ata ndërkombëtarë i përshtaten aspektit historik të qytetit me kulturë të pasur.

“Në këtë edicion qëllimi ka qenë të krijohet një lidhje mes artistëve nga vende të ndryshme dhe kontekstit historik të Prizrenit. Artistët janë ftuar të trajtojnë temat globale si migrimi, kujtesa dhe identiteti, duke reflektuar mbi hapësirat e komunikimit dhe ndërveprimit. Pjesëmarrësit e ‘Bienales’, si Nika Shpan dhe Laurent Mareschal, përdorin instalacione që trajtojnë aspekte të kujtesës dhe traditës. Po ashtu, artistët vendorë si Doruntina Kastrati angazhohen me hapësira historike, duke theksuar nevojën për përshtatjen e këtyre hapësirave me sfidat e kohës moderne”, ka thënë Shkololli, i cili është artist e kurator i njohur. A ka udhëhequr për një mandat Galerinë Kombëtare të Kosovës e po ashtu për një mandat edhe Galerinë Kombëtare të Artit në Shqipëri.

Në edicionin e kaluar “Autostrada Biennale” me temë “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, e kuruar nga turkja Övül O. Durmuşoğlu dhe polakja Joanna Warsza, ishte zgjeruar edhe në Prishtinë e Mitrovicë. Në ish-Tulltore kishte zënë vend vepra “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” nga artistja turke Hera Büyüktaşçıyanm, ku përrenjtë e dikurshëm aty u “rikthyen” artistikisht. Edhe në qytetit verior të Kosovës qëndron “Monumenti në lëvizje” i Alban Mujës si ringjallje e monumentit të viteve ’70, me titull “Barazi, punë, dije”, që qe hequr pa paralajmërim në vitin 2010.

E ekspozita e sivjetme, me temë “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” është bërë e ditur se është e përqendruar në Prizren.

“Në këtë edicion ‘Bienalja’ është përqendruar në Prizren, duke e ruajtur fokusin në monumentet dhe hapësirat historike të këtij qyteti. Ndërsa edicioni i kaluar u zgjerua në Prishtinë dhe Mitrovicë, këtë vit theksi është në hapësirat e njohura të Prizrenit, si Sahatkulla dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. Përveç këtyre, hangarët e rikontekstualizuar në Parkun e Inovacionit janë hapësira të reja ekspozimi për artin bashkëkohor. Ky fokus i vitit në Prizren megjithatë nuk e përjashton mundësinë e zgjerimit në të ardhmen, duke ruajtur fleksibilitetin për bashkëpunime të tjera”, është shprehur Shkololli, që sivjet qëndron në krye të krejt asaj çfarë “Autostrada...” do të flasë me art.

Po vepra e Mujës bashkë me skulpturën shumëngjyrëshe prej xhami të Neda Saeedit me titull “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin” në “Sheshin e Lidhjes”, si dhe vepra e kolektivit “Open Group” që paraqet planimetrin e tre muzeve të shkatërruar në Ukrainë nga pushtimi rus në një prej ambienteve të hapura në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit qëndrojnë aty të pashkëputura edhe pas 7 shtatorit të 2023-s, kur u mbyll edicioni i katërt.

Sipas Shkolollit, veprat që sillen në edicionin e sivjetmë ndërveprojnë dukshëm me këto vepra permanente.

“Veprat e këtij edicioni të ‘Autostrada Biennale’ krijojnë një ndërveprim të dukshëm me ato permanente si ato të Meda Saeedi, Alban Mujës dhe ‘Open Group’. Ky dialog mes veprave të përkohshme dhe atyre të përhershme thellon kuptimin e artit bashkëkohor në kontekstin lokal, duke sfiduar dhe pasuruar diskursin e krijuar nga veprat që tashmë janë pjesë e skenës artistike”, ka vlerësuar kuratori i edicionit të sivjetmë i “Autostrada Biennale”.

Për këtë edicion është bërë e ditur se ekspozitat do të shpalosen në disa monumente historike. Midis tyre janë Sahatkulla, Shtëpia e Shani Efendiut dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. Vepra ekzistuese e ato të komisionuara synojnë të nxisin dialog duke reflektuar në të kaluarën.

Sipas konceptit kuratorial, artistët pjesëmarrës do të jenë: rusi Vadim Fishkin, Simon Shiroka, Anita Muçolli, Doruntina Kastrati, sllovaku Robert Gabrisi, artisti francez Laurent Mareschal, ajo sllovene Nika Shpan, Edin Zenuni, David Fesl, Tamara Grçiq, Nathan Coley, Brilant Milazimi, midis tjerësh.

Edicioni i pestë i “Autostrada Biennale” pritet të dëshmohet unik prej 5 korrikut deri më 5 tetor, kur hangarët në ITP do të strehojnë këto vepra, si dhe Qendra Historike e Prizrenit do të jetë në dialog me artin bashkëkohor.