Në edicionin e sivjetmë, zëri i personave me nevoja të veçanta është në fiks 50 filma që vijnë nga e gjithë bota. Narrativat mbi sfidat e jetës projektohen në ekranin e kinemasë “Armata” me porositë që sjell ngjarja unike për tri ditë. Platformë e veçantë është “Art without limit” në skenën kulturore. U jep jehonë zërave që duhen dëgjuar. Ky edicion do të përqendrohet në fuqinë e kinemasë për të rritur ndërgjegjësimin dhe kuptimin e çështjeve të aftësisë së kufizuar
Për të pestën herë në Prishtinë, “Art without limit” është më shumë se festival ndërkombëtar i filmit. Është dëshmi se arti nuk njeh kufij e limite. Është mesazh gjithë përfshirje e inkurajim. Në edicionin e sivjetmë, zëri i personave me nevoja të veçanta është në fiks 50 filma që vijnë nga e gjithë bota. Narrativat mbi sfidat e jetës projektohen në ekranin e kinemasë “Armata” me porositë që sjell ngjarja unike për tri ditë.
Platformë e veçantë është “Art without limit” në skenën kulturore. U jep jehonë zërave që duhen dëgjuar. Ky edicion do të përqendrohet në fuqinë e kinemasë për të rritur ndërgjegjësimin dhe kuptimin e çështjeve të aftësisë së kufizuar. Dhe për këtë sivjet ka pasur një mijë aplikime.
Të dielën mbrëma, salla e “Kino Armatës” ku zakonisht ngjarja shpalos programin, ka qenë e mbushur plot për t’u njoftuar jo veç me programin e sivjetmë, por edhe me misionin e vizionin e saj. Është bërë hapja solemne, ani pse gjatë gjithë ditës është zhvilluar programi i ditës së parë të ngjarjes.
Ka qenë hapje poetike me poezi, për vështirësitë e jetës e sfidat. Halil Mehaj ka kumtuar vargjet poetike që vijnë natyrshëm si rrëfim personal. Ai tregon se njeriu mund të jetë i verbër për nga të parët, por jo edhe në shpirt.
Në pjesën e festivalit që është emërtuar “Zëri i muzikës përtej pengesave”, pianistja Marigona Hamiti, që ka pengesa në të parë, ka dëshmuar se muzika ndihet e përjetohet dhe se pasioni shkon përtej vështirësive. Në skenë ajo ka qenë një pjesë e imazhit të shumë njerëzve që i tejkalojnë ato. Hamiti luan mahnitshëm, loja e saj është magjepsëse, e vepra përrallore. Tingujt harmonikë e ilustrojnë talentin e saj në instrument.
Në këtë ngjarje është shfaqur premierë dokumentari rreth pesë minutash që shfaq rrugëtimin e artistit të ri Akil Dashevci përkundër vështirësive me probleme disleksike dhe disgrafike. Më shumë se histori e jetës së tij është reflektim i artit për të thyer kufij, për të ndërtuar ura e për të inspiruar njerëzit të ëndërrojnë përherë më shumë.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, George Schnetzer, ka thënë se festivali u bën vend grupeve të margjinalizuara.
“Festivali u jep mundësi të pjesëmarrjes grupeve të margjinalizuara lokale me nevoja të veçanta. Vitin e kaluar kisha kënaqësinë të përjetoja frymën e mahnitshme të fuqizimit, inkurajimit, solidaritetit të komunitetit. Kjo është ajo për çfarë ekziston festivali ‘Art without limit’ dhe kjo e bën atë më magjepsëse dhe shumë më shumë sesa një ngjarje normale artistike”, ka thënë ai derisa e ka vënë theksin në filmat austriakë që do të shfaqen në kuadër të festivalit.
Programe speciale të filmave përfshijnë ata nga festivali i filmit të shkurtër “Vienna Shorts” dhe nga “European Film Festival”. Por programi i edicionit të pestë të festivalit përfshin edhe më shumë.
Gjatë ditës së parë të festivalit janë shfaqur filmat “Turn up the bass”, “Un anno un Giorno”, “Second Wind”, “Il mondo a parte” në bllokun e parë të filmave që kanë nisur në orën dhjetë paradite. Bllokun e dytë me filma e kanë ndërtuar “Soul”, “Black rain in my eyes”, “Masked out”, “Captive”, “Munon”, “Rising tides, raising voices”, “Coward”, “Musart”, “Azo’s lsvender house”, “Feel”, “Sound tracks”, “What’s it going to be?”, “The Duchenne race”, “Severe brain injury recovery: Shooting for the stars” dhe “Handbrake”. Të gjithë janë filma të metrazhit të shkurtër.
Programi përfshin filma, skena ndërkombëtare kinematografike. Ky rrëfim vjen prej vendeve si Britania e Madhe, Italia, Franca, Maroku, Siria, Ekuadori, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjeorgjia, Turqia, Australia, Kanadaja e Greqia. Përfshihen zhanre të ndryshme si dokumentarë, dramë, fiksion e animacion.
Dita e dytë e festivalit, të hënën (sot), ka nisur me programin për fëmijë ku është zhvilluar performancë me piano nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, paneli me temën “Gratë që thyejnë kufizimet përmes artit” me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, regjisoren Monika Melen, drejtoreshën e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, Florije Kryeziu nga “UN Women”, gazetaren Lume Berisha, regjisoren Zana Hoxha dhe Adelina Berishën nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Kjo ngjarje vjen si një lloj aktivizmi i festivalit duke u bashkuar në fushatën “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Shfaqja e filmave është ngjarja kryesore edhe të martën në ditën e tretë të festivalit ku gjithashtu do të mbahet një masterklasë nga regjisori anglez Peter MacDonald, figurë e shquar e industrisë së filmit në Hollywood, i cili do të mbajë ligjëratë për studentët e filmbërësit. Festivali ndërkombëtar i filmit “Art without limit” mbyll edicionin e pestë me ndarjen e çmimeve. Peter MacDonald është president i jurisë vlerësuese. Prania e tij në festival konsiderohet si moment i rendësishëm i ngjarjes.
Ai ka punuar me disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit, si Ingrid Bergman, Tom Cruise, Jack Nicholson, Ridley Scott, Sean Connery dhe të tjerë. Në listën e filmave të tij përfshihen projekte të suksesshme si “Rambo III”, “Legend”, “Superman”, “Batman”, “Pink Panther”, “Cabaret”, “Harry Potter”, “The Empire Strikes Back”, “Guardians of the Galaxy” dhe shumë të tjera.
Në skenë ka qenë fjalëpakë. Ka inkurajuar të rinjtë të merren me filmin.
“Kam kaluar 50 vjet prapa kamerave dhe tani e urrej të jem para tyre. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Sa i përket industrisë së filmit, çdo i ri duhet ta provojë, i motivoj të merren me të, sepse është mundësi e mirë për të mbajtur veten por gjithashtu për të udhëtuar, takuar njerëz të rinj e të marrin pjesë në festival”, ka thënë Peter MacDonald.
Ky edicion përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara që shënohet më 3 dhjetor.
“Zakonisht ne mbylljen tash e pesë edicione e bëjmë më 3 dhjetor. Është shumë kohë e shkurtër, por gjithmonë e bëjmë mbylljen për shkak të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara me ndarjen e çmimeve ku filmat më të mirë fitojnë çmime të ndryshme”, ka thënë për KOHËN drejtori artistik i Festivalit, Burim Haliti.
Festivali “Art without limit” vlerësohet si forum unik për të promovuar artin dhe kinemanë e personave me nevoja të veçanta.