Kulturë

Arritja deri në Korenë e Jugut – motivim e energji për Baletin

Baleti Kombëtar i Kosovës në Cheonan të Koresë së Jugut (Foto: BKK)

Baleti Kombëtar i Kosovës në Cheonan të Koresë së Jugut (Foto: BKK)

Përfaqësimi i Kosovës edhe në një shtet si Koreja e Jugut, është njëra anë e medaljes në debutimin e Baletit Kombëtar atje, por ajo që merr nga turne të kësaj natyre janë motivimi dhe energjia. Kur del jashtë kufijve, kushtet në të cilat funksionon në vend lihen anash. Trupa tashmë është kthyer prej atje, e drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi ka numëruar anët pozitive prej përfaqësimeve të tilla. “Një qytet i tërë, i mbushur me kërcimtarë të të gjitha gjinive të kërcimit, ka krijuar një atmosferë vlerësimi dhe admirimi, e cila besoj se ka qenë tejet frymëzuese për balerinët tanë”, ka thënë ai

Baleti Kombëtar i Kosovës, prej fillimit të vitit ka shënuar disa kapituj, në të cilët institucioni ka ngjitur në skenat e disa vendeve për të parën herë. Pas Nju-Jorkut e Lisbonës, ritmet e këngës dhe kërcimi unik i bazuar në trashëgiminë shqiptare, por me balet bashkëkohor, janë gërshetuar rreth 80 kilometra larg kryeqytetit të Koresë së Jugut, midis qytetit Cheonan. Për BKK-në, ky vlerësohet një prej prezantimeve më të rëndësishme. Trupa tashmë është kthyer nga ky mini-turne, duke lënë atje jehonën e emrit të Kosovës, por mbi të gjitha prej atje ka marrë motivim e energji.

Kur trupa e Baletit del jashtë kufijve, kushtet në të cilat funksionon në vend lihen anash. Aty publiku sheh vetëm rezultatin final që prezantohet kryekëput me punën e koreografëve e kërcimtarëve në skenë. Një shtet të vogël – mbase me emrin fare pak a hiç të dëgjuar në një shtet të largët – e prezanton nëpërmjet kulturës e artit. Veçmas në festivalin e vallëzimit “Cheonan World Dance Festival”, i cili e lidh ngushtë emrin e ansamblit pjesëmarrës me shtetin prej nga vjen. Tipik sikurse prezantohen ekipet pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike.

Me këtë moment ka nisur edhe prezantimi i Baletit Kombëtar të Kosovës në Kore të Jugut, të premten e kaluar, më 25 shtator. Institucioni u shfaq në një tjetër skenë ku nuk ka shkelur më parë. Veprat e fundit bashkëkohore të repertorit të Baletit u shfaqën në qytetin Cheonan.

Publiku atje u njoh me një pjesë të rrëfimit të baletit “Aeon” duke shfaqur sekuenca të shfaqjes. Me koreografi të portugezit Daniel Cardoso në Korenë e largët, Baleti, figurativisht, me art, e ka vënë jetën e njeriut në skenë duke portretizuar hidhërimet, dashurinë e inatet e jetës. Si lloj reflektimi i jetës moderne që zbërthehet nëpërmjet shfaqjes bashkëkohore.

Një tjetër kapitull i asaj çfarë Baleti ka prezantuar, ka qenë edhe shfaqja “Time” që në mars të vitit të kaluar u dha premierë. Shfaqja me koreografi të Taulant Shehut, siç edhe emërtohet, është matje e peshës së barrës së durimit. Në Kore, ansambli i balerinëve e balerinave ka koordinuar lëvizjet për të shfaqur dhimbjen, forcën e dashurinë. Ka pasur në program edhe fragmente nga “Tango Nights”.

Por në këtë prezantim nuk mund të tejkalohej historia 50-vjeçare e Baletit. Prezantimi me balet autentik, të bazuar në muzikë tradicionale e lëvizje të kërcimit popullor është përfaqësuar me baletin klasik “Halili dhe Hajria”. Ky prezantim në Kore, për BKK-në konsiderohet historik.

Në disa incizime të publikuara nga institucioni, trupa e Baletit shihet me veshje që ngjajnë në ato kombëtare duke luajtur koreografinë e bazuar në motive popullore dhe me këngë të bukura shqipe. Shihet se publiku ka qenë i shumtë në numër. Shfaqje ka dhënë në skenë e në rrugë, duke e bërë të duket si një lloj karnavali madhështor i vallëzimit.

Këtë lloj energjie e ka konfirmuar për KOHËN drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, sapo qe kthyer nga Koreja e Jugut. 

“Një qytet i tërë, i mbushur me kërcimtarë të të gjitha gjinive të kërcimit, ka krijuar një atmosferë vlerësimi dhe admirimi, e cila besoj se ka qenë tejet frymëzuese për balerinët tanë”, ka bërë të ditur Kajtazi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Ai ka thënë se “Cheonan World Dance Festival” ka qenë një prej përvojave më të bukura që ata kanë përjetuar dhe se prezantimi i BKK-së është vlerësuar nga publiku atje.

“Performancat e balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës jo vetëm që u mirëpritën, por gjithashtu u shoqëruan me ovacione dhe duartrokitje entuziaste që na bënë të ndihemi jashtëzakonisht të vlerësuar. Kjo mbështetje nga publiku ishte një motivim i jashtëzakonshëm për ne”, ka thënë Kajtazi.

E ka konsideruar një prej prezantimeve më të rëndësishme të BKK-së.

“Prezantimet e balerinëve tanë gjithandej nëpër botë e kanë rëndësinë e vet në përurimin e kulturës sonë shtetërore e shoqërore, por edhe janë motivim i jashtëzakonshëm për balerinët tanë, por festivali në Cheonen të Koresë së Jugut, ndoshta edhe për shkak të përmasave të tij, mund te them lirisht që ka qenë një prej prezantimeve tona me të rëndësishme”, ka thënë ai më tej, derisa ka treguar se festivali ka tërhequr audiencë jashtëzakonisht të madhe në numër.

Ndryshe prej institucioneve të tjera kulturore që sezonet i kanë hapur me premiera, Baleti ka shpalosur punën duke marrë pjesë në këtë festival.

Festivali botëror i vallëzimit në Cheonan u mbajt prej 25 deri më 29 shtator.

Pjesëmarrja e BKK-së në festival është rezultat i ftesës nga festivali në shkurt të këtij viti.

“Në emër të ‘Cheonan Festival Committee’, është kënaqësi dhe nder ta ftojmë grupin tuaj në ‘Cheonan World Dance Festival 2024', që do të mbahet prej 25 deri më 29 shtator 2024 në qytetin Cheonan, Republika e Koresë", shkruhej në ftesën e Festivalit dërguar BKK-së.

Institucioni i Baletit është prezantuar në atë që njihet si “qyteti kryesor i kombit” për shkak të vendndodhjes së tij 83,6 kilometra në jug të Seulit.

Festivali Botëror i Vallëzimit në qytetin Cheonan u mbajt për herë të parë në vitin 2003 dhe sivjet shënoi 19-vjetorin e tij.

“Është zgjedhur tetë herë si një festival përfaqësues i arteve të skenës rajonale nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit për gjashtë vjet rresht. Është festival ndërkombëtar kërcimi që përfaqëson Korenë. Është zgjedhur si një festival nderi i kulturës dhe turizmit nga Ministria e Kulturës, Sporteve dhe Turizmit që prej vitit 2020. Kërcimtarët më të mirë do të mblidhen dhe do të konkurrojnë në mënyra të ndryshme në Festivalin e Vallëzimit”, shkruhet në adresën elektronike të ngjarjes.

Në edicionin e kaluar, ngjarja ishte hapur më 5 tetor dhe kishte vazhduar aktivitetin deri më datën 9 të atij muaji.