Kulturë

Arratisja e Ismail Qemalit nga Perandoria në dokumente arkivore të Indisë

Arkivi Kombetar - dokument

Dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë që tashmë i janë dhuruar Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri janë pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike dhe zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane

Shteti shqiptar është pasuruar me dokumente që dëshmojnë lëvizjet e shpallësit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali. Lëvizjet e tij para dhe pas shpalljes së mëvetësisë më 28 nëntor 1912 qenë të shpeshta. I kishte prirë arratisja nga Perandoria Osmane, e cila asokohe mezi mbahej në këmbë. Pikërisht për këtë periudhë flasin dokumentet e Arkivit Kombëtar të Indisë. 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka njoftuar se “vizioni i etërve të kombit për një shqiptari të bashkuar e të begatë është udhërrëfyesi që prin DPA-në, në rolin e rojtares dhe të shërbestares së pasurisë dokumentare”. 

Sipas njoftimit, rrugëtimi i përveçëm i kryeministrit të Pavarësisë, Ismail Qemali, mes orvatjeve dhe mëtimit të pareshtur për mëvetësinë e Shqipërisë, do të jetë përherë lëmi kërkimore “për t’u shteruar e për të nxjerrë mësime të vyera”.  

“E këtij rasti është edhe kërshëria e studiuesit Evarist Beqiri, i cili nisur nga hulumtimi vetjak, ka vendosur t’i besojë DPA-së dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë.  Këto materiale, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane”, shkruhet në njoftimin e DPA-së.  

Sipas Drejtorisë, për të mësuar më tepër mbi kulisat që i paraprinë Kuvendit të Vlorës, çdo studiues mund t’i drejtohet Sallës së Studimit në Tiranë ose Këndeve Arkivore të çelura në mbarë vendin, në Kosovë në Maqedoni të Veriut, në Greqi dhe në Italinë e Jugut. 

“Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej DPA-së, kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë. 

Ky institucion edhe rrënjët i ka te shpallja e Pavarësisë. Sipas DPA-së, për herë të parë në histori vlerësimi i dokumenteve dhe administrimi e ruajtja e tyre gjen pasqyrim në aktin më të lartë normativ të shtetit. Sipas ueb-faqes së DPA-së, në kanunin e Përkohshëm të Qeverisë së Vlorës u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore në organet e administratës shtetërore, për punën me dokumentet.

“Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 2.1.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projekt-rregullore parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit”, shkruhet te historiku i DPA-së.

 

LEXO EDHE: