Kulturë

Arkivi Marubi shpallet thesar i trashëgimisë botërore nga UNESCO-ja

Përfshirja e arkivit Marubi në listën “Memory of the

Përfshirja e arkivit Marubi në listën “Memory of the World International Register” të UNESCO-s, është vlerësim për dinastinë Marubi që hodhi themelet e fotografisë shqiptare, por edhe për qytetin e Shkodrës, që mbetet një pikë referimi për artin, kulturën dhe kujtesën kombëtare (Foto: Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”)

“Lajm i jashtëzakonshëm! UNESCO ka shpallur arkivin e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register. Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore”, ka shkruar ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani ka thënë se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”

Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është futur në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji – UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit. Lajmi është dhënë të premten nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë si një moment historik për kulturën shqiptare.

“Lajm i jashtëzakonshëm! UNESCO ka shpallur arkivin e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register!”, ka shkruar ministri Gonxhja në rrjetet sociale.  “Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky nuk është vetëm vlerësim për dinastinë Marubi që hodhi themelet e fotografisë shqiptare, por edhe për qytetin e Shkodrës, që mbetet një pikë referimi për artin, kulturën dhe kujtesën kombëtare.

“Nga zemra e Shkodrës, kjo pasuri e rrallë fotografike që ka përjetësuar imazhin, jetën, historinë dhe shpirtin e shqiptarëve, merr sot vlerësimin më të lartë ndërkombëtar! Ky nuk është thjesht një vlerësimin i kontributit të Marubëve, themeluesve të fotografisë shqiptare, por edhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi”, ka theksuar Gonxhja. Qyteti ku kanë vepruar Marubët, sipas ministrit,  “për herë të parë, Shkodra ka një pjesë të sajën në Kujtesën e Botës”, duke shtuar se kjo arritje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani ka thënë se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”.

“Moment historik edhe për artin shqiptar dhe një hap i madh për kontributin që Shkodra i ka dhënë kulturës në Shqipëri. Ajo tashmë do të ketë gjurmën e saj edhe në kulturën e botës. Një falënderim shkon për të gjithë kontribuuesit, që bënë të mundur këtë arritje historike për trashëgiminë kulturore shqiptare”, ka thënë ai.

Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin.

Italiani Pietro Marubbi mbërriti në Shkodër në vitet 1850, menjëherë pas shpikjes së fotografisë. Aty ai hapi studion e parë fotografike në rajon dhe realizoi imazhet e para me teknikën e kolodiumit të lëngshëm. Menjëherë pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij Keli do të mbante mbiemrin e mjeshtrit në nderim të tij. Ai e vazhdoi aktivitetin e studios dhe më pas ia la trashëgim të birit, Gegës. Tri gjeneratat e fotografëve realizonin portrete në studio të personave të ndryshëm, që nga borgjezia urbane te shtresat më të varfra, nga perandorët osmanë te mbreti Zog, nga të burgosurit tek aktorët e famshëm dhe piktorët.

“Koleksioni me mbi 150,000 xhama negativë i dinastisë Marubi paraqet interes nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore, antropologjike dhe artistike. Në të zbulojmë ngjarjet e trazuara të historisë së Shqipërisë – që nga Perandoria Osmane te periudha komuniste – ritualet shoqërore, kostumet folklorike dhe portretet”, shkruhet në uebfaqen e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në vitin 1970 u themelua fototeka “Marubi” me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, të cilat, sipas përkthimit, në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.

“Kjo Fototekë, fillimisht si një sektor i Muzeut të qytetit, ishte nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, por në vitin 2003 kalon nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. Me 9 maj 2016, me koleksionet e Fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi”, shkruhet në uebfaqen e këtij institucioni. Muzeu i ri i projektuar nga studioja arkitekturore Casanova + Hernandez, është krijuar si një hapësirë për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Trashëgimia dhe tradita theksohen përmes restaurimit të ndërtesës historike të projektuar nga Kolë Idromeno - artisti dhe arkitekti shqiptar, ish-nxënësi i Pietro Marubbit – duke ruajtur karakteristikat e saj strukturore muzeu shtrin funksionet e tij përtej mureve, në pedonalen e qytetit, përmes një ekspozitori të vendosur përballë hyrjes, konceptuar si një element lidhës për të bërë të mundur që modeli i hapur dhe i gjallë i muzeut të veprojë si shënjues kulturor për Shkodrën.

LEXO EDHE: